Mbetemi si vend që mbahemi për forcën fizike sesa atë mendore, ndërsa pak investohet në teknologji dhe IT. Raporti i detajuar i BB-së tregon mangësitë, por edhe avantazhet
Përdorimi i teknologjisë së avancuar, investimi për ide të reja, për staf të kualifikuar etj., vijon të jetë problem për Shqipërinë, që kërkon të integrohet në tregun europian. Studime të ndryshme paraqesin një situatë negative për vendin sa i takon rëndësisë që i kushtohet tregut të IT, teknologjive të avancuara apo kërkimeve për produkte sa më cilësore. Në raportin e fundit të Bankës Botërore, paraqitur nga studiuesit Chris Uregian dhe Evis Sulko, vihet në dukje niveli i përdorimit të teknologjisë nga ana e biznesit.
Në renditjen botërore, referuar indeksit të konkurrueshmërisë për 2010-n, Shqipëria pozicionohet e 126-a në aftësinë e përdorimit të teknologjisë. Mungesa e përdorimit të mjeteve të avancuara në prodhimin e produktit final na bën më pak konkurrues me vendet e tjera të Europës Juglindore.
Duhen investime në risitë teknologjike
Qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në terma afatgjatë dhe afatmesëm, drejt përafrimit të nivelit të të ardhurave të Bashkimit Europian, do të varet nga përmirësimi i aftësisë të sektorit privat për të rritur konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar, si dhe nga klima e investimeve, ky paragraf është shkëputur nga prezantimi që ekspertët e BB-së bënë pak kohë më parë, për “përdorimin e teknologjisë dhe inovacionit”, në konferencën e zhvilluar në Tiranë.
Sipas tyre, investimet duhet të përqendrohen kryesisht në inovacionin teknologjik dhe në kapitalin fizik e njerëzor. Referuar indeksit të konkurrueshmërisë, Shqipëria renditet e 126-a në aftësinë për përdorimin e teknologjisë. Në përgjithësi, vendi ynë renditet nga ekspertët e BB-së në vend të 96 sa i takon aftësisë për të konkurruar në botë, por në fushën e teknologjisë është shumë më keq. “Te treguesi i aftësisë për të përdorur teknologjinë e fundit e rendit Shqipërinë në vend të 105, kurse në drejtim të bashkëpunimit mes universitetit dhe industrisë për kërkim dhe zhvillim, pozicionohet e 133-a”, evidenton raporti.
Treguesit dhe “cilësia e institucioneve shkencore dhe kërkimore”, na rendit të 128-ët, kurse “shpenzimet e kompanive për kërkim dhe zhvillim” dhe “kapacitetet për inovacione”, na pozicionojnë respektivisht në vend të 126 dhe 120.
Nevoja për përmirësim teknologjik
Statistikat zyrtare tregojnë se volumi i tregtisë me jashtë arrin 39 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse në Europën Juglindore ky nivel është rreth 50 për qind. Sipas vëzhgimit të bërë nga BB-ja, eksportet shqiptare dominohen nga produkte që kërkojnë shumë punë fizike dhe shumë pak vlerë të shtuar. Vetëm 15 për qind e eksporteve konsiderohen me punë cilësore, apo me shumë kapital, ndërsa Europa Juglindore e ka nivelin me shumë kapital nga 30 deri në 40 për qind.
Përbërja e eksporteve drejt tregjeve nuk është e diversifikuar, pasi më shumë se 72 për qind e produkteve shkojnë drejt Italisë. Nga vëzhgimi vihet re se, rritja e eksporteve ka qenë më së shumti pasojë e produkteve ekzistuese në tregjet ekzistuese. “Nuk ka pasur shtim të gamës së produkteve të eksportuara apo zgjerim të numrit të tregjeve ku eksportohet”.
Shqipëria nuk ecën shumë mirë në drejtim të Investimeve të Huaja Direkte për Frymë (krahasuar me popullatën). Kjo do të thotë se financimet e investimeve të reja janë të vështira së bashku me transferimin e informacionit dhe dijes mbi teknologjinë”, thuhet në raport. Gjatë 20 viteve të fundit, Shqipëria ka tërhequr vetëm 1160 dollarë për frymë investime të huaja, duke qenë vendi me investimet më të pakta në Europën Qendrore dhe Lindore.
Emigrimi i shqiptarëve ka qenë shumë masiv që nga fillimi i tranzicionit, gjë që ka reduktuar sasinë dhe cilësinë e ofertës vendëse të punës. Po ashtu, shumica e emigrantëve kanë nivel të ulët apo të mesëm arsimimi, por nga totali i emigrantëve të përhershëm, 46 për qind kanë shkollë të mesme apo më shumë, ndërkohë që mes punëtorëve që nuk kanë emigruar, vetëm 31 për qind kanë më shumë se tetë klasë shkollë. Emigrantët më të arsimuar dhe më të suksesshëm janë ata që ka më shumë gjasa të mos kthehen në Shqipëri. Të dhënat demografike tregojnë se emigrantët e kthyer nuk mund të klasifikohen si kthim i trurit në atdhe.
Të fundit në IT
Mungesa e kulturës dhe mundësisë ekonomike na pozicionin të fundit në rajonin e Europës Juglindore, sa i takon përdorimit të kompjuterit dhe marrjes së informacionit nga interneti. Kështu, dërgimi i emaileve, ose komunikimi i bizneseve me postë elektronike në Shqipëri është në nivel 48.7 për qind, kurse në vend të parë renditet Estonia, ku gati 95 për qind e bizneseve e përdorin komunikimin elektronik. Po ashtu, në lidhje me marrjen e informacionit përmes internetit apo pasja e një faqeje interneti te bizneset shqiptare është në nivel të ulët, ku gati 30 për qind e disponojnë atë. Në vend të parë edhe këtu është Estonia, ndërsa në vendet e rajonit të Ballkanit, më mirë se ne pozicionohen bizneset e Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës.
Rezultatet e vëzhgimit konfirmojnë nivelin e ulët të përdorimit të teknologjisë së informacionit nga firmat shqiptare
% e firmave që përdorin faqen e tyre të internetit
% e firmave që përdorin e-mail për të komunikuar me klientët e tyre/furnizuesit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.