Në këto 20 vitet e fundit, mund të thuhet pa frikë që financimet e qeverisë gjermane në projektet e zhvillimit në Shqipëri kanë qenë ndër më të rëndësishmet. Por, sipërmarrësit gjermanë ende nuk e njohin mirë çfarë ofron porta hyrëse në Ballkan.
Në konferencën që po mbahet sot në Tiranë, dhe që mblodhi rreth 300 përfaqësues biznesi, kryeministri i Shqipërisë z.Sali Berisha, siguroi sipërmarrësit se, “po bëjmë përpjekje maksimale për të ulur barrën burokratike për biznesin”. Ai ftoi biznesin gjerman të investojë në Shqipëri, “pasi ky vend ka kapacitete të mëdha”.
Duke dhënë mbështetjen e saj për rritjen e bashkëpunimit, znj.Andrea, Gebbeken Presidente e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), vlerësoi si të mira marrëdhëniet aktuale të dy vendeve në fushën ekonomike, por theksoi se, “ka shumë potencial për t’i zgjeruar këto marrëdhënie më tej”.Hanno Stocker, Drejtor i Shoqatës për Europën Lindore e Qendore tha se, “Shqipëria mbetet ende një treg i panjohur për Gjermaninë”. Sipas tij, si Shqipëria edhe vendet e tjera të Europës Juglindore duhet të përmirësojnë imazhin e tyre në tregun gjerman, pasi kjo ia vlen në terma afatgjatë. Sipas tij, turizmi e bujqësia janë sektorët që aktualisht shihen me më shumë interes në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.