Shqipëria po humbet shkëlqimin, më pak polakë, nordikët vendosin kushte

25/12/2018 4:23 PM 0 komente

Flet Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”

 

Sfida 10 milionë turistë që qeveria i ka vendosur vetes do të bëhet edhe më e vështirë, nëse nuk do të ketë reflektim për të marrë masa të menjëhershme mbi infrastrukturën, shërbimin, sigurinë ushqimore. Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”, shprehet se polakët kanë reduktuar numrin e turistëve që do të sjellin vitin e ardhshëm, ku nga dhjetë charter në javë, në vitin 2019 do të ketë vetëm shtatë.

Nordikët, nga ana tjetër, nuk japin garanci për 2020 nëse nuk do të plotësohen kushtet që kanë kërkuar. Hapja e tregjeve agresive si Egjipti dhe Tunizia, që aplikojnë subvencione për operatorët për çdo turist që çojnë, është një tjetër arsye pse Shqipëria po humbet shkëlqimin e saj turistik.

Ka një vëmendje të shtuar të qeverisë për hotelet me 5 yje. Ju që jeni në kahun e tur-operatorëve dhe që sillni turistët, si e shihni këtë fokusim?

Është e vërtetë që qeveria së fundmi po ndalet më shumë tek certifikimi i hoteleve përmes brandeve apo emrave të njohur që yjet e tyre i marrin përmes kompanive mëmë. Si nismë ka një të mirë dhe një të keqe. E mira qëndron në faktin që tërheq klientë të rinj për Shqipërinë që janë në sistemet e këtyre hoteleve zinxhir ndërkombëtarë, Shqipëria futet në rrjetin e tyre dhe deri-diku edhe promovohet si destinacion. E keqja pastaj qëndron në faktin që duke u ndalur tek 5 yjet janë harruar hotelet me 1-4 yje që duhet të ishin certifikuar dhe klasifikuar tashmë. Kuadri ligjor i 2015-s parashikon që ky proces të ishte përfunduar dhe sot strukturat të ishin të kategorizuara.

Duke mos bërë këtë, dëmtohen ata investitorë në struktura akomoduese që kanë investuar për të kapur një standard të caktuar, por që nuk ua certifikon apo vërteton askush. Për shembull, nëse një investitor ka një hotel që mendon se plotëson standardin e 3 yjeve, ai kërkon që këtë ta ketë të dokumentuar. Ne shpesh hasim probleme me operatorët e huaj kontraktorë, që vijnë kërkojnë hotelin që paraqitet me 3 yje dhe kërkojnë dokumentin që vërteton këtë pjesë. Ka raste kur operatorët e huaj janë hedhur në gjyq nga klientët e tyre, sepse hotelet me 3 dhe 4 yje nuk kanë pasur dokumentacionin që vërteton këtë standard.

Janë lakuar disa emra brand, që kanë interes për vendin tonë. A mendoni se kjo e zgjidh ngërçin me mungesën e shtretërve?

Unë dyshoj që kjo politikë në vetvete do të funksionojë, pasi të gjithë ata që marrin brand, që janë pra partnerë, do të paguajnë një fee (tarifë) të caktuar. Kjo historia e brandeve është një pengesë e madhe, sepse kërkesa është e vogël dhe përqendrimi i tyre është në Tiranë. Edhe Marriot, edhe Hilton në Tiranë, u vendosën. Ndërkohë, ne numrin më të madh të turistëve e kemi në bregdet. Ne do të na interesonin që këta emra të vendoseshin në zonat bregdetare, jo se nuk duhen në kryeqytet, por nevoja për struktura akomoduese me standarde është më e lartë përgjatë vijës bregdetare.

Gjatë dy viteve të fundit pati disa zhvillime pozitive me kontrata që u nënshkruan me tur-operatorët e huaj për rezervime deri në 3 vite avancë, kryesisht për Durrësin. Si ka qenë pjesa e këtyre kontratave këtë vit?

Ne vazhdojmë edhe për vitin 2019 të kemi aktive disa kontrata që kanë nënshkruar më parë, por duhet thënë se disa nga operatorët e mëdhenj që janë në Shqipëri, kanë reduktuar numrin e turistëve që do të vijnë në Shqipëri. Për shembull, nëse Itaka kishte këtë vit dhjetë avionë në javë, në vitin e ardhshëm ka lënë vetëm shtatë. Ky reduktim ka ardhur si rezultat i rënies së kërkesës për Shqipërinë ndoshta dhe ngaqë janë hapur tregje si Egjipti dhe Tunizia.

Këto dy vende aplikojnë një politikë shumë të mirë subvencionesh për partnerët dhe për çdo turist jepet subvencion tek operatori ndërkombëtar që e ka sjellë. Një tjetër arsye e rënies së numrit është edhe pjesa që ka të pakënaqur nga Shqipëria. Nordikët do të kenë në vitin 2019 po ata numra që patëm sivjet, por nuk garantojnë që për 2020 do të mbajnë të njëjtin ritëm, nëse nuk zgjidhen problemet. Kanë deklaruar se do të ketë përgjysmim ose do të ikin fare nga Shqipëria, pra do ta heqin nga lista e tyre e ofertave.

Cilat janë problemet ku është vendosur më shumë theksi nga kontingjenti i të pakënaqurve dhe që kërkohet ndërhyrje?

Janë probleme që janë lakuar çdo vit në takime dhe tryeza. E para është infrastruktura, e cila duhet të merret seriozisht. Më lejoni të sjell në vëmendje atë që pamë këtë vit në Golem. U shtrua rruga, u morën disa masa, kur erdhi puna për trotuaret u lanë të pashtruar, punime të hapura aspak estetike dhe e përshtatshme për një zonë turistike. Pastaj janë ato të tjerat që kemi përmendur, që lidhen me shërbimin në hotele që ka gjithmonë vend për përmirësim, me higjienën.

Ka një theks të shtuar të operatorëve të huaj te siguria ushqimore dhe autoritetet publike që mbulojnë këtë pjesë duhet të jenë gjithmonë e më të pranishëm. Kjo kërkesë e operatorëve nuk vjen rastësisht sepse ka pasur edhe probleme me helmimin e turistëve. Janë të gjitha këto që vënë në pikëpyetje mundësinë e Shqipërisë për turistin elitar.

Ky turist nuk ka pse të vijë të shpenzojë në Shqipëri, në Jug ku synojnë ta kthejnë në zonë elitare. Ky turist elitar nuk kënaqet vetëm me natyrën, por i do të gjitha, do një ofertë të plotë, do infrastrukturë të përshtatshme. Edhe nëse arrijmë të tërheqim këtë lloj turisti, pra elitar, sezoni do të jetë i shkurtër vetëm 45 ditë. Nuk mund të quajmë turist elitar turistin shqiptar që zgjedh të kalojë fundjavat në Jug. Duhet të bëhet më shumë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of