Sonja Kurz, Drejtore e Përgjithshme e GIZ Shqipëri
Shqipëria ka potenciale rritje në disa sektorë, duke nisur nga agroturizmi tek energjia, dhe politikat e mbështetja që jepet për to mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetesës së komuniteteve lokale në zonat rurale.
Për Dr. Sonja Kurz, Drejtore e Përgjithshme e GIZ Shqipëri, fokus të veçantë duhet të ketë edhe biodiversiteti dhe burimet natyrore, si elemente të rëndësishme nga ku mund të përfitohet shumë, kur shfrytëzimi bëhet në mënyrë të qëndrueshme.
Ajo nënvizon se GIZ është angazhuar me institucione partnere në nivel kombëtar dhe lokal, për të zbatuar modele që mund të shërbejnë si një udhërrëfyes për të ardhmen dhe sektorët ku janë zbatuar janë nga më të ndryshmit.
Së pari, le të themi diçka për GIZ sa i takon kontributit në Shqipëri gjatë viteve, si dhe fushat që kanë qenë më në fokus…
Gjermania është donatori më i madh bilateral në Shqipëri dhe GIZ ka qenë në terren, duke zbatuar projekte që nga viti 1988, çka na bën ne një partner të besuar për zhvillim të qëndrueshëm për më shumë se 30 vjet tashmë.
Së bashku me institucionet tona partnere, si në nivel qendror edhe atë lokal, po punojmë për të krijuar perspektivë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe një të ardhme të qëndrueshme për vendin, bazuar në standardet e Bashkimit Europian.
Puna e GIZ në Shqipëri ka qenë e fokusuar në dy çështje parësore. E para është Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik, formimi profesional dhe promovimi i punës. Në këtë fushë, ne fokusohemi në rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive, përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e punësimit dhe zhvillimit të aftësive dhe mbështetjen e negociatave të anëtarësimit në kapitujt ekonomikë të Acquis të BE-së.
Si rezultat i kësaj, vetëm përmes projekteve nën këtë klaster, në tre vitet e fundit ne kemi nxitur sektorin privat dhe kemi siguruar punësim për 8200 persona, duke aplikuar konceptin e punëve të denja dhe përfshirëse.
Zhvillimi Rural dhe i Bujqësisë është një tjetër sektor i rëndësishëm nën këtë çështje kryesore. Kemi mbështetur fermerët e vegjël dhe Ndërmarrjet e Mesme të Vogla në modernizimin e bujqësisë, zgjerimin e turizmit rural dhe kemi përdorur biodiversitetin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të siguruar të ardhura për popullsinë lokale.
Që nga viti 2019, 1460 fermerë të vegjël dhe Ndërmarrje të Mesme të Vogla kanë përfituar nga aksesi në masat financuese dhe kanë shtuar aktivitete diversifikuese me të ardhura. Ne u kemi mundësuar që të përmirësojnë konkurrencën në Shqipëri dhe në tregjet rajonale.
Çështja e dytë thelbësore është Klima, Energjia dhe Tranzicioni, përfshirë Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban.
Në sektorin e Ujit, GIZ ka mbështetur 29 Ndërmarrje Ujësjellësi në ndërhyrje të ndryshme, që kanë rezultuar në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, infrastrukturë dhe shërbime për 1,595,156 persona në zona urbane dhe ka përmirësuar shërbimet e ujërave të përdorur për 896,527 individë.
Ekonomia qarkullues është zemra e modernizimit të menaxhimit të mbetjeve. GIZ mbështeti sektorin e menaxhimit të mbetjeve që nga viti 2016, për të përmirësuar shërbimet në të gjithë vendin, ku 6 nga 11 bashki janë mbështetur më konkretisht për të rritur shërbimet e mbulimit dhe për të organizuar riciklimin. Me mbështetjen e GIZ, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tashmë ka një strategji kombëtare me kostot dhe masat konkrete, që synojnë arritjen e direktivave të BE-së dhe mbështetjen e negociatave të anëtarësimit.
Çështje të tjera të rëndësishme për GIZ janë barazia gjinore, mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit, migrimi dhe mobiliteti urban. Në kontekst rajonal, ne kemi mbështetur fusha të tilla si promovimi i tregtisë së huaj, eficienca e energjisë, shërbimet lokale dhe reforma ligjore.
A mund të përmendim disa nga projektet e rëndësishme që aktualisht janë në zbatim në Shqipëri dhe po mbështeten nga GIZ?
GIZ aktualisht po zbaton 27 projekte në total, ku 7 prej tyre janë dypalëshe, 13 rajonale dhe 7 projekte globale dhe të gjithë janë në linjë me prioritetet e qeverisë shqiptare, por duke qëndruar të angazhuar te parimet tona: qëndrueshmëria dhe institucionalizimi i masave mbështetëse.
Disa nga ndërhyrjet tona më të prekshme nga publiku i gjerë janë: Mbështetja e Arsimit Profesional dhe Trajnimi.
Ne kemi kontribuar në zhvillimin e një modeli për arsimin që i korrespondon kërkesave të tregut të punës në aspektin kombëtar dhe rajonal. Qendra Multifunksionale e Kamzës është aktualisht shkolla më e madhe profesionale në vend dhe me ndihmën tonë, është transformuar në një model suksesi, që shërben si bazë për optimizimin e sistemit publik të arsimit profesional dhe trajnimit që do të zbatohet në vitet në vijim.
Ne mbështesim zhvillimin e kurrikulave dhe infrastrukturës (17 laboratorë të rinj dhe 33 programe të reja trajnimi); trajnimi i mësuesve (gati 80 për qind e mësuesve që punojnë në sistemin publik të arsimit profesional janë trajnuar), njohuri në vendin e punës, dhe shkëmbime ndërkombëtare mes studentëve, të tilla si ato mes Qendrës Multifunksionale në Kamzës dhe Universitetit Teknik të Berlinit.
Si rezultat, më shumë se 9500 punëkërkues janë trajnuar me kurse afatgjatë dhe afatshkurtër, që ofrohen në QM Kamëz, në 10 qendra të trajnimit profesional dhe 20 ofrues privatë.
Investimet, si në aftësi teknike edhe në ato soft (shprehi të buta) janë shumë të rëndësishme në ditët e sotme, për të siguruar punësimin e të rinjve dhe të rriturve.
Ndaj mbi 12 mijë punëkërkues të papunë janë bërë pjesë e kërkimit të punës dhe masave të trajnimit të aftësive “të buta” i quajtur “Start SMART”, zbatuar në 10 qendra publike të formimit profesional. E gjithë kjo ka vendosur një standard të ri për personalizimin e mbështetjes për çdo individ.
Një tjetër çështje e rëndësishme për ne është përmirësimi i performancës për zinxhirët e përzgjedhur të vlerës në bujqësi, të tillë si frutat dhe arrorët, perimet, bimët aromatike dhe mjekësore dhe ripërtypësit e vegjël.
Fokusi është në përmirësimin e cilësisë së produktit, nëpërmjet prezantimit të teknologjive inovative që ulin përdorimin e agrokimikeve. Niveli i ulët i mbetjeve kimike në produktet bujqësore kontribuon në rritjen e eksporteve në tregjet europiane, si dhe të sigurisë ushqimore për konsumatorët.
Në terma të sigurisë ushqimore dhe cilësisë së lartë të produkteve, GIZ ka mbështetur drejtpërdrejt fermerët jo vetëm me trajnime, por edhe me 1200 enë mjeljeje inoksi, që e mbajnë qumështin në standarde të larta cilësie.
Në sektorin e lëvizshmërisë urbane, ne po punojmë për të përmirësuar një alternativë mobiliteti miqësore me klimën në Tiranë, një nga qytetet me dendësi dhe rritje të shpejtë në Europë.
Numri i makinave u rrit nga thuajse zero në fund të kohës së komunizmit, pra vitet e vona 1980, në gati 200 makina për 1 mijë banorë, duke krijuar një trafik ekstrem dhe cilësi ajri të rënduar.
Po mbështesim Bashkinë e Tiranës për të përmirësuar cilësinë e shërbimit në sistemin e autobusëve, duke vendosur një strukturë menaxhimi që udhëhiqet nga të dhënat në mobilitetin urban dhe duke mbajtur parasysh sesi numri i biçikletave po rritet në një qytet, ku më shumë se 70 për qind e udhëtimeve me makina janë më të shkurtër se 5 kilometra dhe mund të zëvendësohen lehtësisht me ecje, biçikletë apo transport publik.
Pas koronavirusit, Programi i GIZ për Ujin në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor në Tiranë po kompleton ngritjen e një laboratori për universitetin, dedikuar monitorimit të ujërave të zeza për praninë e viruseve të rrezikshëm si Sars-Cov-2.
Qëllimi është paralajmërimi në faza të hershme të përhapjes së pandemive tek institucionet përgjegjëse, si Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.
Rreth 190 mijë familje kanë përfituar nga shërbimi i përmirësuar i menaxhimit të mbetjeve urbane në 10 bashki. Deri më sot kemi mbështetur ngritjen e 3 qendrave burimi për mbetjet (në Himarë, Sarandë dhe Cërrik) ku 39 tonë letër, karton, plastikë dhe kanoçe alumini ndahen më vete, dorëzohen dhe shiten te kompanitë e riciklimit.
Më shumë se 300 tonë pleh organik është prodhuar dhe përdorur për të përmirësuar hapësirat e gjelbra bashkiake. Këta janë shembuj pilotë si pionierë të herës së parë në Shqipëri. Shembujt po “kopjohen” tashmë në bashki të tjera si Roskoveci dhe Belshi.
Ne shpresojmë që ndalimi i qeseve njëpërdorimshe, i cili nisi nga 1 qershori, të ketë ndikim të madh në mjedisin e Shqipërisë. Ndaj ne mbështesim një fushatë të madhe si për edukimin, edhe për ndërgjegjësimin.
Emigrimi është një çështje e rëndësishme për Shqipërinë. Përmes Qendrës Gjermane të Informacionit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë (DIMAK Albania), ne japim informacion, mbështetje dhe konsultim individual për këdo që po sheh për mundësi punësimi apo ndjekë edukim profesional apo kurse të kualifikimit në Shqipëri dhe Gjermani.
Nëpërmjet ndërhyrjes së DIMAK, më shumë se 3100 persona janë punësuar, apo kanë gjetur një vend pune. Kemi mundësuar më shumë se 16.300 Masa Edukimi dhe Kualifikimi dhe 18.652 sesione këshillimi.
GIZ bashkë me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) po zbaton një skemë të shkëmbimit rajonal shkollor, e njohur si “Superschools”, përmes së cilës po u japim mundësi nxënësve të shkollave të mesme nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në të parën skemë të shkëmbimit shkollor rajonal.
Të fokusohemi te rinia është në qendër të punës sonë dhe ne besojmë se duhet të krijojmë një kulturë mobiliteti, shkëmbimi intelektual dhe pajtimi. Të rinjtë duhet gjithashtu të jenë kontribuues të zhvillimit demokratik, social dhe përparimit ekonomik dhe të integrimit europian, në një rajon të Ballkanit Perëndimor gjithmonë e më të hapur.
E fundit, por jo nga rëndësia, ne sigurisht mbështesim Shqipërinë në negociatat e anëtarësimit në BE në kapitujt e Acquis që mbulojnë tregun e brendshëm.
Agroturizmi është një nga fushat që ju po mbështesni si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe ekonominë lokale në zonat rurale. Qeveria miratoi një paketë mbështetëse për sektorin në vitin 2018, por pas një studimi, GIZ ka bërë disa rekomandime sesi mund të rriten këto biznese lokale më tej. A mund të kemi disa detaje për këtë?
Agroturizmi është një trend me rritje të qëndrueshme në Shqipëri. Nga 2-3 agroturizme që kishim pak vite më parë, pionierë të sektorit, tashmë numërojmë më shumë se 200 struktura, të mëdha dhe të vogla kudo nëpër Shqipëri.
Turistët, të huaj apo vendas, po zhvendosen nga qëndrimet e një nate në 2-3 net mesatarisht në këto struktura.
Po mbështesim qeverinë dhe së fundmi i kemi dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit një studim të thelluar të sektorit, që përfshin edhe rekomandime që lidhen me kuadrin ligjor, politikat fiskale, lidhjen e agroturizmit me prodhuesit lokalë, aktivitete të diversifikuara në fermë, promovim etj.
Jemi shumë të lumtur që qeveria po i merr në konsideratë këto rekomandime dhe janë në proces të rishikimit të kritereve që lidhen me certifikimin e agroturizmeve. Për më tepër, ne kemi punuar direkt me sektorin privat, duke i ofruar paketa trajnimi të ndryshme, që lidhen me marketingun online, aftësitë gjuhësore, apo duke paraqitur koncepte edukimi në ferma si një mënyrë për të diversifikuar ofertat e tyre e për t’iu përgjigjur krizës së COVID.
GIZ ka mbështetur promovimin e agroturizmit, duke zhvilluar një aplikacion si AgroTimeAl, guida e parë dixhitale e turizmit rural, ku ka të dhëna për më shumë se 200 agroturizme, ferma turistike, ture kulinare, kantina vere, zona të kampingut rural. Vetëm në vitin e parë, ky aplikacion kishte më shumë se 5 mijë shkarkime (downloads).
Një nga projektet kryesore të GIZ, që lidhet me agroturizmin, ishte mbështetja e Shoqatës Shqiptare të Agroturizmit, një nismë private e 71 anëtarëve. Ne besojmë se shoqata do të jetë një aktor i rëndësishëm dhe do të luajë rol kyç, për zhvillimin e sektorit të agroturizmit në të ardhmen.
Po fokusohemi në lidhjen mes agroturizmit dhe prodhuesve të vegjël lokalë. Sipas të dhënave tona, mesatarisht një agroturizëm i konsoliduar është i lidhur me 20 familje në zonë, nga të cilët ata blejnë produkte apo marrin shërbime.
Agroturizmi luan rol kyç në fuqizimin e gruas në zonat rurale. Të paktën 75 për qind e volumit të punës në agroturizëm menaxhohet nga gra, që luajnë rol të rëndësishëm në vendimmarrje gjithashtu.
Agroturizmi është tërheqës edhe për të rinjtë. Mosha mesatare e njerëzve të përfshirë në agroturizëm është 40 vjeç dhe këta të rinj po përqafojnë rëndësinë e edukimit në një fushë, e cila lidhet me punën e tyre, të tilla si enologjia, turizmi rural, bujqësia.
Energjia ka qenë çështja kryesore në fund të vitit të shkuar dhe këtë vit, duke e vënë theksin te burimet e rinovueshme. Ju keni zbatuar disa projekte të vogla të lidhura me energjinë. Cilat janë modelet që keni ndërtuar dhe si mund të nxiten në Shqipëri burimet e rinovueshme dhe veçanërisht fotovoltaikët për vetëprodhim?
Në sektorin e energjisë, kontributi më i madh në infrastrukturë bëhet nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). GIZ ka shumë projekte që lidhen me eficiencën e energjisë.
Kemi mbështetur qeverinë qendrore dhe lokale për të rritur kapacitetet dhe për të ofruar më shumë mjete për monitorimin e kursimit të energjisë dhe verifikimit në nivel kombëtar. Ky projekt mbështeti në një shkallë mikro sistemet fotovoltaike në zonat e largëta dhe jashtë rrjetit, për të siguruar nevojat bazë për ndriçim dhe energji elektrike.
Së fundmi, ne po mbështesim bashkitë për të planifikuar për vitin 2030, në formën e Planit të Veprimit për Energji të Qëndrueshme dhe Klimën. Këto plane do t’u mundësojnë një rrugë të pastër bashkive për të arritur objektivin e tyre të klimës, një pjesë e rëndësishme e të cilave është zgjerimi në Burimet e Rinovueshme të Energjisë. GIZ mundëson ekspertizën më të mirë në hartimin e planeve dhe mbështet bashkitë gjatë zbatimit edhe nëpërmjet projekteve pilot.
GIZ po kujdeset për një qasje nga fillimi në fund të çështjeve të klimës dhe të burimeve të rinovueshme, duke mbështetur grupet parlamentare të gjelbra në të cilat, anëtarë të Parlamentit, në mënyrë vullnetare, marrin pjesë në aktivitete të organizuara nga GIZ për të mbështetur nisma dhe për t’i informuar ata mbi praktikat më të mira dhe zhvillimet sa i takon klimës dhe energjisë, përfshi burimet e rinovueshme të energjisë.
Vetëprodhimi, si skemë në Shqipëri, është një zhvillim ende i ri dhe edhe pse kuadri rregullator nuk është plotësisht i adoptuar, kemi vënë re një rritje të interesit nga institucionet publike dhe private për të investuar, veçanërisht në kohën kur sapo nisi kriza e energjisë.
Një projekt i rëndësishëm i zbatuar nga GIZ është edhe ai për burimet natyrore dhe biodiversitein. A mund të na jepni disa detaje mbi këtë projekt dhe sesi mund të përfitojë Shqipëria nga mbrojtja e burimeve të naftës dhe biodiveristetit?
Shqipëria është angazhuar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit, duke arritur të mbrojë 21 për qind të territorit të saj tokësor dhe ujor.
I konsideruar si një vend shumë i pasur në biodiversitet, që përfaqëson 30 për qind të biodiversitetit të Europës, Shqipëria mundet dhe përfiton nga peizazhi shumë i pasur dhe burimet natyrore të shumta.
Biodiveristeti është në thelb të ekzistencës sonë. Falë këtij biodiversiteti, planeti lulëzon dhe mundëson strehë dhe ushqim për të gjithë speciet, përfshirë njerëzit. Shumëllojshmëria e ekosistemeve mundëson shërbime për njerëzit, si strehim, ushqim dhe rekreacion për shqiptarët dhe turizmin e tyre në rritje.
Shqipëria është gjithashtu një vend i pasur me burime ujore që konsiderohen të dytat në Europë për nga sasia e ujit të ëmbël për frymë. Një vend me shumë lumenj, liqene dhe një vijë bregdetare të gjerë, Shqipëria përfiton nga kjo pasuri, duke siguruar ujë cilësor për qytetarët, ujë për turizëm dhe ujë për industrinë.
Të tre liqenet, përkatësisht më të mëdhenjtë, më të pasurit dhe më të thellët në Ballkan ndodhen dhe ndahen mes Shqipërisë dhe vendeve të saj fqinje, duke ofruar mundësi të mëdha për turizmin dhe gjenerimin e të ardhurave për popullsinë lokale dhe shoqëritë e peshkimit.
Mbrojta e këtyre vlerave është kyçe në Shqipëri, për të siguruar që kjo të jetë aty për brezat e ardhshëm, për të mbajtur ujin e pastër, ajrin pa ndotje dhe jetën e qëndrueshme. Kjo do të bëjë të mundur që vizitorët të vijojnë të vijnë dhe të shijojnë këto vlera, duke krijuar mundësi, punë dhe të ardhura për qytetarët shqiptarë.
Menaxhimi i qëndrueshëm i biodiversitetit dhe menaxhimi i duhur i liqeneve dhe peshkut në Shkodër/ Skadar, Prespë dhe Ohër, ishin në qendër të projektit të GIZ që financohej nga qeveria gjermane. Këto vlera nuk kanë kufij dhe mund të menaxhohen vetëm në bashkëpunim me vendet bregore që i bashkojnë dhe së bashku përparojnë drejt BE-së.
Cilat janë disa nga pikat e forta që shihni në Shqipëri dhe disa nga sektorët që mund të performojnë më mirë dhe çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar situatën në fusha ku ka ende hapësirë për të ndërhyrë?
Sigurisht, ne shohim pika të forta në sektorët që përmendëm më sipër, të cilët ne i kemi mbështetur. Gjithsesi, zhvillimi është një proces dhe përgjatë procesit, përparësitë kanë dinamikën e tyre.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim prioritetet e qeverisë shqiptare në Edukim, Ujë, Mbetje, Mobilitet, duke e parë nga një optikë tjetër, më globale, për shembull me një qasje më dixhitale dhe më të gjelbër. Dhe jemi të sigurt që kjo do ta ndihmojë Shqipërinë që të jetë më afër standardeve të Bashkimit Europian.
Potencialet
Zhvillimi është një proces dhe përgjatë procesit, përparësitë kanë dinamikën e tyre. Ne do të vazhdojmë të mbështesim prioritetet e qeverisë shqiptare në Edukim, Ujë, Mbetje, Mobilitet, duke e parë nga një optikë tjetër, më globale, për shembull me një qasje më dixhitale dhe më të gjelbër. Dhe jemi të sigurt që kjo do ta ndihmojë Shqipërinë që të jetë më afër standardeve të Bashkimit Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.