Shqipëria siguron zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës

Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës anti-covid. Lajmi është dhënë nga Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një video-live në facebook.
Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, tha kreu i qeverisë.
“Në përfundim të vitit të kaluar dhe në vigjilje të Vitit të Ri, siguruam 500 mijë dozat e para të vaksinës me Pfizer.
Kemi dakordësuar me Akt Normativ për aktivizimin e kontratës. Sasia e dakordsësuar do të paguhet menjëherë për 10.700 dozat e para do të vijnë në javën e tretë të janarit. Mbi 30 mijë të tjerat vijnë në shkurt.
Ju bëj me dije gjithashtu se kemi garantuar gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të janarit. Operacione solidariteti nga ana e dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë kur ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë”, tha Rama.
Rama tha që një pjesë e vaksinave do ti dhurohet Kosovës, për vaksinimin e bluzave të bardha.
“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë që të flasë me homologun në Kosovë. Personeli shëndetësor atje do të ketë mundësinë të vaksinohet si të gjithë kolegët në Shqipëri”.
Komente