“Shqipëria thërret” është guida që Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka vënë në dispozicion të investitorëve të interesuar për vendin tonë. Dokumenti bën një paraqitje të përgjithshme të vendit, treguesve kryesorë të tij mbi popullsinë, sipërfaqen, për të vijuar më pas me kontekstin ekonomik, sistemin e taksave si dhe pikave të forta që mund të gjejnë këtu bizneset e interesuara përpara se të kalohet në sektorët potencialë. Por cila është oferta që Shqipëria ka për investitorët në vitin 2020?
Ashtu sikurse ndodh prej vitesh e para në listë është energjia veçse këtë herë ka një fokus të zgjeruar tek pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme, kryesisht dielli dhe era. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur vetë qeveria ka deklaruar se për energjinë nga dielli në planin kombëtar janë të parashikuar 490 MW si kapacitet i ri. Hidroenergjia është gjithashtu në listën e investimeve atraktive potenciale.
Sektori minerar është i dyti në ofertën e përgjithshme të AIDA për investitorët e huaj. Përshkruar shkurt thuhet se kjo industri ka si prioritet të saj prodhimin, zgjerimin, promovimin dhe teknologjinë më të fundit.
Turizmi është i treti nga sektorët ku përmenden incentivat dhënë këtij sektori nga përjashtimi i taksave për investitorët me status special deri tek qiradhënia për 99 vite apo mbështetja me investime në infrastrukturë, energji dhe ujë për investime të mëdha të dedikuara në këtë sektor.
Manifaktura mbetet sërish në ofertën e Shqipërisë për investitorët ku referuar publikimit të AIDA pikë e fortë është krahu i lirë i punës ndërkohë që nënvizohet se tashmë është krijuar një eksperiencë 20 vjeçare në këtë sektor.
Agrikultura cilësohet si një tjetër sektor me potencial duke nënvizuar se Shqipëria ofron kushte klimatike të favorshme, skema mbështetëse të reja që rrisin konkurrencën si dhe rritje të qëndrueshme të sektorit.
Transporti dhe logjistika vijnë si paketë më vete duke nënvizuar se Shqipëria ofron akses përmes tokës detit dhe ajrit një avantazh që mund të shfrytëzohet nga investitorët.
Shërbime outsorcing janë një tjetër pikë dhe kjo përfshin pjesën e call centers si dhe incentivat për kompanitë e teknologjisë së informacionit ku pak vite më parë u reduktua në 5 për qind tatimfitimi për rastet e prodhimit dhe zhvillimit të softwarve.
Po kështu zonat e lira ekonomike sillen edhe një herë vëmendje. Shqipëria ka tentuar disa herë të kalojë tek investitorët këto zona duke nisur nga Spitalla por deri më tani përpjekjet nuk kanë qenë të suksesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.