Flet Arben Çipa, administrator i Sipa Tours
Shqipëria ia ka dalë të ketë një marketim të mirë si destinacion dhe të tërheqë tregje të ndryshme që po vijnë në formë të organizuar, por kjo rritje e shpejtë mund të përballet me ngërçin e mungesës së stafit.
Arben Çipa, administrator i Sipa Tours, shprehet se ky vit sa i takon numrit të rezervimeve aktuale dhe interesit të përgjithshëm për Shqipërinë duket mjaft premtues.
Por nëse nuk i përgjigjemi me cilësi atyre që do të na vizitojnë, mund të krijojmë zhgënjim, ndaj situata duhet parë me kujdes.
Jemi thuajse në prag të sezonit të ri turistik veror. Nga ajo që shihni në muajt e parë të këtij viti, por edhe rezervimet dhe kontratat, si janë parashikimet tuaja për ecurinë?
Duket si një sezon shumë i mbarë, të paktën në kuadrin e kontratave dhe rezervimeve që janë bërë deri më tani, si në forma të organizuara apo individualisht nëpërmjet platformave si Booking.
Cilët janë grupet e rëndësishme me kontrata me garanci në vend në lidhje me pjesën e organizuar?
Grupi kryesor janë polakët që vijojnë të jenë me kontrata të stabilizuara që prej vitit të kaluar. Ky është një grup që e pëlqen Shqipërinë dhe shifrat janë rritje.
Ndërkohë nordikët kanë kaluar në një formë tjetër, që nuk është kontrata me garanci, por ajo ‘allotment’, pra do paguajnë aq sa do të sjellin.
Ajo që vë re këtë vit është rënia e numrit të turistëve nordikëve në Sarandë, të cilët janë zhvendosur kryesisht në Durrës. Janë operatorët që e kanë bërë këtë lëvizje.
Pse turistët nordikë i kanë ndryshuar kontratat me operatorët shqiptarë?
Mendoj se ky ndryshim ka ardhur pas disa vitesh kur operatorët e tyre e njohin mirë tregun shqiptar dhe rreziqet e tij. Më herët tendenca e kontratave me garanci ka qenë si një formë për të siguruar kapacitetin që do të kishin nevojë për akomodim, ishte një formë sigurie.
Tani që shohin se kanë mundësi akomodimi në çdo pjesë të sezonit dhe kurdo të trokasin do të gjejnë shtretërit të disponueshëm e kanë ndryshuar modelin dhe falë kësaj sigurojnë dhe veten me rreziqet ekonomike që kanë kontratat me garanci.
Cilët janë disa tregje të tjera që bien në sy këtë sezon për Shqipërinë si destinacion?
Vijon të ketë interes nga i gjithë tregu i Europës Qendrore. Ndërkohë vihet re që turistët spanjollë po rriten në mënyrë të konsiderueshme, të organizuar me operatorë, por edhe si individë të pavarur.
Ky është një treg interesant i pranishëm në rezervime nëpërmjet platformave. Turistët tipikë që vijnë nëpërmjet operatorëve turistikë kanë kërkesa apo interes kulturor, të vizitojnë vendet më të rëndësishme të Shqipërisë apo pikat e spikatura.
Tregje interesante janë gjithashtu ai francez dhe italian që kanë nisur të operojnë me ture kulturore gjatë vitit.
Nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit, këto grupe kanë shfaqur interes edhe për pushimet e detit. Interesi shihet edhe nga përshtypjet që merren nga operimi i linjës së trageteve që parashikohet të fillojnë një program të ri për ta përshtatur me sezonin turistik.
Kur mund të thuhet se fillon zyrtarisht sezoni veror për Sarandën?
Gradualisht turistët e parë të organizuar vijnë më 2 maj dhe më pas në mënyrë të përjavshme në maj-qershor dhe shtator-tetor për turet kulturore. Kurse korriku dhe gushti janë piku i sezonit për turistët që zgjedhin detin.
Tregu shqiptar, sidomos gjatë pandemisë, zgjoi interesin e ukrainasve, bjellorusëve dhe rusëve. Po sezoni veror i 2023?
Nga informacioni që kam nga tregu, këto grupe nuk do të na vizitojnë këtë vit, të paktën në formë të organizuar.
Tregu i Serbisë ishte gjithashtu i interesuar në formë të organizuar. Çfarë zhvillimesh priten këtë vit?
Ky treg mbetet edhe në 2023 dhe kompanitë që kanë operuar gjatë pandemisë dhe pas saj do të jenë sërish të pranishme në kohën e pikut të sezonit veror, korrik-gusht.
A janë shtuar kapacitetet këtë sezon të ri në Sarandë?
Kapacitetet janë rritur, por më shumë në apartamente dhe pak në vila. Hotelet mbeten të njëjtat si edhe vitin e shkuar.
Ka pasur një lloj ngërçi apo vonese në leje ndërtimi dhe kjo nuk është shumë pozitive po të kemi parasysh rritjen me të cilën po ecën sektori.
Në Durrës, kapacitetet janë më të larta dhe janë rritur në mënyrë të dukshme nga viti në vit. Ndërsa në Sarandë mbetet te leja e bashkisë që ka krijuar këtë problem të ndërtimeve në struktura akomoduese.
A ka pasur ndërhyrje në infrastrukturë në Sarandë në funksion të turizmit?
Saranda është e lidhur mirë me infrastrukturë me zonat përreth, pra Ksamilin, por edhe në destinacionet kyçe të saj. Janë bërë investime të vazhdueshme.
Ndoshta mund të bëhet pak më shumë për mirëmbajtjen brenda qytetit për disa pika ku mund të ndërhyhet për t’i sjellë në sigurinë e duhur, sidomos në pjesën qendrore, ku bëhen punime dhe ndonjëherë nuk ka restaurime.
Si janë çmimet për Sarandën për vitin 2023 nga ajo që shihni?
Mendoj se do të qëndrojnë në nivelin e vitit 2022, të paktën me ata që bashkëpunojmë, këto çmime kemi marrë. Ndoshta në mesatare mund të aplikohet një rritje në vlerë të vogël te 5%.
Një nga shqetësimet kryesore të sezonit vitin e shkuar ishte mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Si pritet të reflektohet kjo në këtë sezon?
Jam i sigurt se do të kemi probleme këtë sezon në fuqinë punëtore në sektorin e turizmit.
Do të kemi probleme me cilësinë e shërbimit sepse, përveçse një numri më të ulët të disponueshëm fuqie punëtore, edhe ai që është, nuk ka përvojën e duhur.
Kjo do të ndodhë në një kohë kur numri i turistëve po rritet. Shtohet puna, mungon stafi dhe ata që janë, u mungon përvoja. Të tre këta faktorë rrezikojnë të sjellin komente jopozitive.
Si ka qenë marketimi i Shqipërisë këtë vit si destinacion?
Në këtë drejtim është bërë një punë e mirë dhe kjo duket. Fakti që panairet turistike po i rikthehen normalitetit dhe prania e operatorëve turistikë është në numër të konsiderueshëm tregon se është konsoliduar marrëdhënia dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve.
Bihet dakord për peshën që ka industria e turizmit në ekonomi dhe kjo e bën edhe më të frytshëm bashkëpunimin.
Rasti i fundit pozitiv ishte panairi i turizmit në Berlin, ku kryeministri shqiptar u takua me kryeministrin gjerman, duke i dhënë vëmendje të madhe vendit.
Pati interes të madh nga komuniteti turistik europian dhe mendoj se ky ishte një përfaqësim dinjitoz që shërben pozitivisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.