Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa i përket eksporteve të ushqimit, ndonëse ajo ka peshën më të lartë të bujqësisë në prodhimin e brendshëm . Nga të dhënat e Bankës Botërore eksportet e ushqimeve janë vetëm 5.6 për qind e totalit të shkëmbimeve tregtare. Ndërsa këto të fundit zënë vetëm 55.6 përqind të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në krahasim me Shqipërinë vendet e rajonit eksportojnë më shumë. Eksportet e ushqimeve të Bosnje dhe Hercegovinës zënë 8.5 për qind të totalit të tregtisë. Edhe Maqedonia eksporton dy herë më shumë se ne. Eksportet e ushqimeve në vendin fqinj zinin një peshë prej 11.6 për qind në totalin e tregtisë.
Përqindjen më të lartë të eksporteve të ushqimeve e ka Serbia, të cilat përllogariteshin 18.6 për qind e totalit të eksporteve tregtare.
Shqipëria mban rekord për peshën që zë bujqësia, duke e bërë atë vendin më rural në të gjithë Europën, me rreth 22% të totalit. Pas nesh vjen Kosova me 14%, Maqedonia me 11%. Në vendet e zhvilluara pesha e bujqësisë është thuajse e papërfillshme, teksa për mesataren e Bashkimit Europian është vetëm 1.5%. Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria vijon të importojë shumë produkte ushqimore, ndërsa industria përpunuese po bëhet gjithnjë e më pak konkurruese përballë importeve.
Përse kaq pak eksporte
Edhe pse eksportet janë rritur gjatë viteve të fundit, sërish Shqipëria mbetet një nga ekonomitë që shet më pak në tregjet e huaja. Për ekspertët kjo është e lidhur me fuqinë e ulët prodhuese të ekonomisë.
Ekspertet mendojnë se produktet shqiptare ballafaqohen me barriera të tipit jotarifor, qoftë në vendet e rajonit, qoftë në Europë. Së dytë produkti produktet shqiptare janë të taksuara edhe kur eksportohen. Së treti nuk ka asnjë politikë nxitëse fiskale, siç kanë vendet e rajonit dhe ato të Europës për produktet dhe bizneset eksportuese
Cilët janë eksportuesit më të mëdhenj të ushqimeve në botë
Vendi i parë eksportues i ushqimeve në botëështë Amerika. Vlera totale e eksporteve sipas WorldAtlas i tejkalon 149 miliardë dollarë.
Të dytët që kanë vlerën më të madhe të eksporteve të ushqimeve në treg janë Holandezët, të cilët e kalojnë 92 miliardë dollarët.
Vendi fqinj Italia renditet në vendin e dhjetë me 43 miliardë dollarë.
Në dhjetë vendet me vlerën më të lartë të eksporteve të ushqimeve, gjashtë vende janë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa nga vendet aziatike vetëm Kina bën pjesë në dhjetë vendet e para.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.