Shqipëria do të ketë një Zyrë Private Krediti, që do të bëjë vlerësimin e kredisë në gjithë sistemin bankar. Koncepti nuk është diçka e re, pasi diskutohet prej vitesh, në kuadër të planit të masave miratuar disa vite më parë, që synonin uljen e nivelit të kredive me probleme.
Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor të vitit të shkuar, ka dhënë detaje për mënyrën sesi ka ecur procesi për Byronë e Kredive, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare financiare dhe bankat e nivelit të dytë, ku jepen detaje edhe për Zyrën Private të Kreditit apo ecurinë e procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët në vështirësi financiare.
Draft-rregullorja për kredimarrësit problematikë
Banka bën të ditur se aktualisht është në diskutim një projekt-rregullore e sapohartuar që synon të përcaktojë mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet bankave, me qëllim krijimin e kushteve për trajtimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët, që janë në vështirësi financiare.
“Qëllimi i rregullores është reduktimi i kredive me probleme dhe mbajtja nën kontroll e cilësisë së portofolit të kredisë, duke nxitur trajtimin e kredimarrësve në vështirësi financiare, nëpërmjet një bashkëpunimi të strukturuar dhe efektiv ndërmjet bankave. Kjo draft-rregullore është hartuar në frymën e ndëshkimit për bankat që nuk dëshirojnë të përfitojnë nëse nënshkruajnë marrëveshjen kuadër, si dhe për të tjerët që me nënshkrimin nuk do të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat e marrëveshjes kuadër Mbikëqyrës”, vlerëson BSH.
Byroja e Kredive dhe Zyra Private e Kreditit
Një tjetër element ku ndalet raportimi i Bankës Qendrore për vitin e kaluar lidhet me Byronë e Kreditit. Sipas këtij raporti, lidhur me veprimtarinë e Byrosë së Kredive, është kryer pjesa e parë e rekomandimeve “Për përmirësimin e regjistrit të kredive”, si një nga përgjegjësitë e Bankës së Shqipërisë.
Sa i përket pjesës së dytë të rekomandimeve në Regjistrin e Kredive, për të lehtësuar dhe për të krijuar infrastrukturën e duhur në kontekstin e vlerësimit të kredisë, praktikat dhe përvojat e vendeve të tjera nuk mbështesin përfshirjen e bankave qendrore në sigurimin e vlerësimit të kredisë. Kjo e fundit është siguruar nga Zyrat e Kredive.
Sa i përket krijimit të Byrosë së Kredive, në Shqipëri ofrohet ndihmë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Një studim i fizibilitetit për themelimin e Byrosë së Kredive në Shqipëri u përgatit nga grupi i konsulentit të angazhuar nga BERZH. Rekomandimet e Studimit të Fizibilitetit u diskutuan si me Bankën e Shqipërisë (BSH) ashtu edhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB) dhe me bankat anëtare të saj. U konstatua përgjithësisht se krijimi i një zyre të tillë të kredive do të adresojë mungesën e një sistemi të vlerësimit të kredive në Shqipëri” thuhet në raport.
Lidhur me të gjitha vlerësimet që kanë dalë nga diskutimet dhe studimet sipas BSH, Shoqata e Bankave ka vendosur të ndërmarrë iniciativën e zhvillimit të një zyre private të kreditit në Shqipëri dhe ka kërkuar mbështetjen e BERZH me asistencë teknike gjatë fazës së krijimit të saj, përmes angazhimit të një konsulenti që sjell ekspertizë dhe përvojë ndërkombëtare.
“Në vijim, BERZH përgatiti Termat e Referencës për të mbajtur një Konsulent Ndërkombëtar për të ndihmuar AAB në fazën e krijimit të një zyre krediti në Shqipëri, si dhe një konsulent juridik vendas, i cili do të ndihmojë në krijimin e kuadrit rregullator dhe legjislativ të përshtatshëm që mundëson krijimin e një zyre private të kreditit. Konsulentët ndërkombëtarë dhe juridikë janë përzgjedhur dhe kanë filluar të punojnë në projekt më 1 tetor 2018. Aktualisht pritet të dalë raporti fillestar i cili do të përmbajë gjetjet dhe konkluzionet që dalin nga puna e përfunduar gjatë periudhës së caktuar dhe do të ofrojë udhëzime dhe këshilla të ekspertëve, përmes secilës prej hapave të krijimit të një zyre të kreditit privat në Shqipëri” nënvizon BSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.