Shqipëria e varfër, 25% e të punësuarve kishin paga 24 mijë lekë më 2018; Vetëm 4.7% marrin mbi 120 mijë lekë

23/04/2019 11:02 PM 0 komente

Një e katërta e të punësuarve që paguan sigurime shoqërore gjatë vitit të kaluar deklaruan paga 24 mijë lekë në muaj, sipas të dhënave të INSTAT, referuar listë-pagesave në Tatime.

Në raport me fundin e vitit 2017, numri i atyre që sigurohen me pagë minimale ka rënë me 3%. Rënia sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore mësohet të këtë ardhur si pasojë e daljes nga skema e rreth 23.6 mijë të vetëpunësuarve, të cilët siguroheshin me paga minimale.

Kategoria e dytë më e madhe që paguajnë sigurime janë punonjësit me pagë 60 – 95 mijë lekë në muaj. Kjo kategori punonjësish zë 17% të kontribuuesve dhe kryesisht përfaqësohet nga punonjës të administratës publike dhe punonjës të shtetit.

Numri i personave që paguajnë sigurime në këtë kategori page u rrit me 0.5% në raport me vitin 2017, dhe kjo erdhi kryesisht prej rritjes së pagave në sektorin shtetëror.

Kategoria e tretë më e madhe për numrin e punonjësve me sigurime janë ata që marrin 24-30 mijë lekë në muaj. Kjo kategori zë 15.1% të totalit të punonjësve që paguan sigurime gjatë vitit të kaluar.
Më pas, për numrin e lartë të kontribuuesve, vjen kategoria e pagave nga 30,001 – 40,000 mijë lekë në muaj, të cilët zënë 13% të totalit të kontribuuesve.

Ndërsa 4,7% e kontribuuesve paguajnë sigurime shoqërore për një pagë mujore më të lartë se 120 mijë lekë.
Sipas të dhënave administrative të INSTAT, në vitin 2018 numri mesatar i të punësuarve ishte mbi 1.1 milionë persona, por në të njëjtin vit, numri mesatar që paguan kontribute tek sigurimet për efekt pensioni ishte 778,111 persona.

Nga të dhënat shihet se rreth 360 mijë persona janë numëruar si të punësuar, por ata nuk kanë paguar sigurime.
Siç shihet nga të dhënat, një pjesë e madhe e të punësuarve në vendin tonë nuk punojnë për një pagë, ata janë të vetëpunësuar pa pagë, janë të punësuar në të zezë ose bëjnë punë të papaguar në bizneset e familjes dhe ne bujqësi.

Burimet nga INSTAT thonë se punësimi në të zezë, në pjesën më të madhe të tij është i përqendruar në sektorin bujqësor.

 

Burimi: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of