“Shqipërinë nuk po e viziton turisti elitar, qeveria të ndryshojë qasje”

28/08/2018 4:55 PM 0 komente

Shqipëria ka një rritje të turistëve të huaj që po e vizitojnë, por ata nuk janë turistë elitarë që shpenzojnë në mënyrë domethënëse.

Për kryetarin e Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, Zak Topuzi, Shqipëria nuk ofron shërbimet për të cilat ka nevojë ky grup dhe për të cilat është i gatshëm të paguajë. Sot turisti që po vjen është ai me çanta shpine që preferon hostel apo çadra, si dhe turisti i mesëm europian.

Pikërisht për t’ju përgjigjur rritjes që pritet të ketë fluksi i turistëve në Mesdhe dhe për të tërhequr turistin elitar, Topuzi nënvizon se qeveria duhet të ndryshojë qasje. Kur Shqipëria ende nuk ka resorte për këtë grup, Mali i Zi po nis ndërtimin e një resorti për super të pasurit, duke bërë më agresive konkurrencën në rajon.

Si e vlerësoni këtë sezon turistik veror, duke pasur parasysh faktin që jemi thuajse në javët e fundit të tij?

Shqipëria, për të qenë drejtë, po përjeton një rritje të numrit të turistëve me dy shifra. Kemi një sezon të mbarë dhe kjo vjen ngaqë trendi rajonal ka një rritje nga 5.4 që raportohet nga Kroacia deri në 7-8% në gjithë zonën tjetër. Kjo bën që ndoshta si rezultat i situatës pozitive në Ballkan, Shqipëria të përfshihet në këtë lëvizje turistike.

Ka rritje dyshifrore të turistëve nga vendet e Europës Qendrore dhe zonat skandinave, ashtu siç ka edhe një rritje të turistëve nga zona e ish-Lindjes, por nuk duhet të harrojmë që kontingjenti kryesor do të mbeten Kosova, Maqedonia dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Pavarësisht se ky trend i turistëve europianë vjen në rritje, nuk është se do të ndikojnë shumë. Tregu rajonal është më i rëndësishëm. Zonat kryesore të Golemit që historikisht kanë qenë akomodim për kosovarët, duke qenë se kanë bërë rikonstruksione dhe bërë përmirësime, kanë kaluar në një stad më të lartë dhe po shiten me paketa më të shtrenjta për këtë lloj turisti europian. Vetë turistët nga Kosova janë ndarë në dy grupe. Ata që kanë të ardhura më të larta, kanë zbritur më në Jug kurse pjesa tjetër janë vendosur në Velipojë dhe Shëngjin. Tirana gjithashtu ka pasur lëvizje nga turistë të gjithë llojeve por vihet re një turizëm eksplorues, me çanta shpine që preferojnë qëndrimin në hostel apo çadra.

Ky lloj turizmi ka një rritje të dukshme por duhet të kemi parasysh diçka. Sot nuk është e rëndësishme sesa po rritet turizmi por sesa po shpenzohet. Ne jemi në turizëm ditor me shpenzime të pakta, sepse edhe nuk kemi paketa të plota dhe shërbime të sofistikuara që të marrim sa më shumë të ardhura. Hotelet me standarde sot në Booking shiten me çmime 80-100 euro ndërkohë që në Mal të Zi, të njëjtët shiten me 150-180 euro duke qenë se ka edhe shërbime

Në këndvështrimin tuaj, a po ia del Shqipëria të tërheqë turistin elitar që shpenzon apo të huajt që po na zgjedhin, vijnë vetëm sepse jemi të lirë?

Jo, nuk po arrijmë të tërheqim këtë lloj turisti. Një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk arrijnë dot të sigurojnë këto lloj shërbimesh që kërkon kjo kategori në Shqipëri. Nuk ka paketa që maksimizojnë fitimin. Ky nivel i njerëzve VIP apo që kanë paga mbi mesataren kërkojnë shërbime të plota, pa u angazhuar, gjë që pak e ofrojnë në Shqipëri.

Nga vëzhgimet tona, por edhe nga intervista me operatorë të tregut raportohet për një rritje të lehtë të çmimeve nga hotelet dhe për një rënie të konsumit. Ju si e shihni këtë pjesë, a konstatoni një situatë të tillë në treg apo kemi rritje konsumi dhe çmime të pandryshuara?

Nga OBT raportohet që deri në vitin 2030, në zonën e Mesdheut do të kemi dyfishim të numrit të turistëve, ndaj në tetor në Athinë pritet një forum mes këtyre vendeve, për të prezantuar masat që duhet të merren për të përballuar këtë fluks të madh turistësh kryesisht të përqendruara në ndërtime resortesh. Gjatë raportimeve të deritanishme nga Kroacia në Mal të Zi, kemi rritje me 5.4% te çmimet. Kjo bën që dhe në Shqipëri të ketë rritje të çmimeve. Situata me flukset e turizmit ka bërë që pjesa e Golemit, që ka qenë për turizmin masiv, të kthehet në një zonë për turizmin e mesëm dhe pak elitar. Nga turistët vendas dhe kosovarë po bëhet një turizëm ditor, sepse ky është kapaciteti.

Shqipëria nuk ka kapacitete për të mbajtur një numër më të madh turistësh sesa ky që kemi sot. Lidhur me këtë problem, Kroacia deri në vitin 2020 do të investojë 2 miliardë euro për hotele të reja dhe rinovime që t’i paraprijë rritjes së numrit. E njëjta gjë po ndodh dhe në Mal të Zi që ka deklaruar se do të nisë ndërtimi i një hoteli për super të pasurit në Porto Montenegro. Kjo është një zonë rezidenciale VIP, ku është porti më i madh i jahteve në Mesdhe. Kjo na vë në alarm ne si Shqipëri, që të shtojmë kapacitetet akomoduese kryesisht resorte dhe hotele që kanë mundësi të menaxhojnë grupet e mëdha, jo me 50-80 dhoma që vazhdojnë të ndërtohen sot, por hotele mbi 200 shtretër.

Sa e ka ndihmuar apo penguar turizmin këtë vit situata me infrastrukturën, mbetjet, ujin apo energjinë?

Vazhdon e njëjta situatë, ku Shqipëria ndodhet në kaos në sezon dhe ku ka kudo rrugë të hapura apo në rikonstruksion. Drejtuesit mburren për ndërhyrjet në sezon, kur në fakt duhet të nxirren para përgjegjësisë për dëmin që i shkaktojnë sektorit. Nuk mund të bësh riparime rrugësh në pikun e sezonit.

Sa është ndier dora e pushtetit vendor në përmirësimin e situatës në turizëm, duke qenë se reforma territoriale u ngarkoi atyre më shumë përgjegjësi?

Vazhdon të mbetet turizmi jashtë vëmendjes së pushtetit vendor. Menaxhimi i bregdetit, plazhet mbeten sërish problematike por edhe krijimi i produkteve turistike. Bashkitë nuk e ndiejnë ende këtë detyrim ligjor. Në gusht, administratat e bashkive ishin me pushime, ndërkohë që duhet të kishte angazhim maksimal. Duhet të bëhen përmirësime për kontratat në plazhe, sepse janë vjetore. S’mund të presësh investime nga një biznes që ka marrë plazhin për një vit dhe për vitin tjetër do t’i duhet të rifutet në garë. Sipas praktikave ndërkombëtare e merr për dy vjet dhe me të drejtë ripërsëritje po kaq.

Në kushtet e sotme, a e përballon Shqipëria një fluks më të lartë turistësh duke përmbushur pritshmëritë e tyre apo rrezikojmë që edhe t’i zhgënjejmë?

Ne nuk përballojmë dot më shumë turistë, për t’ju siguruar shërbimet ose rrezikojmë që të kthehet në bumerang reklama që po bëhet për ta promovuar. Ende nuk kemi një strategji zyrtare. S’ka investitorë seriozë që të kenë investuar në tregun turistik. Vazhdojmë të ndërtojmë një lloj binomi imobilar dhe një resort me disa dhoma hoteli që po shiten për vila.

Mendoj që qeveria duhet ta ketë emergjente fillimin e ndërtimeve madhore për t’i paraprirë fluksit të turistëve mesatarë, që pastaj të ketë mundësi të përgatisë terrenin për turistët VIP, që duan dhe shërbime të tjera. Pra kërkohet një revolucion në koncept. Është shumë pozitive për vendin kthimi i vëmendjes nga agroturizmi apo “100 fshatrat”, por kjo nuk mjafton. Kjo është për ta kapur masën, por për të shfrytëzuar potencialin për target-grupin që paguan, janë të nevojshme resortet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of