Shqiptarët bëhen romantikë; Dyfishohet biznesi i luleve

28/10/2017 10:05 PM 0 komente

Një licencë biznesi, një furnizues lulesh dhe bimësh, njerëz kreativë në rregullimin e buqetave të luleve dhe frigoriferë: kaq nevojitet për të hapur një dyqan lulesh dhe të tilla, shohim shumë në rrugët e kryeqytetit.
Tre vitet e fundit importet e bimëve janë dyfishuar, teksa shqiptarët po kultivojnë traditën e dhurimit e luleve në raste gëzimesh e hidhërimesh. Sipërmarrjet po kujdesen më shumë për mjediset e tyre dhe shtimi i vilave ka rritur kërkesën për bimë dekorative. Dasmat i kanë dhënë një tjetër hov këtij biznesi…

 

Nga Deada Hyka

 

“Alo, po urdhëro? Tulipanë të kuq? Jo, më vjen keq, nuk kam në këto momente. Kam trëndafila të kuq, krizantema, lule orientale në të njëjtën ngjyrë. Po më thoni se çfarë buqete dëshironi të realizoni dhe mbase ju ndihmoj…”. Biseda të tilla janë të shpeshta në çdo ditë të punës së Aleksandër Asimit, që njihet prej vitesh si Sandri i Dyqanit të Luleve.

Klientët porosisin nëpërmjet telefonit: ata besnikët u besojnë shijeve të Sandrit dhe vajzave të dyqanit që bëjnë kompozimin; klientët rastësorë shtrojnë pyetje dhe ide të larmishme, në përpjekje për të gjetur gjuhën.

Biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimit të bimëve ka shënuar një rritje të fortë në tre vitet e fundit, duke reflektuar një tendencë të shqiptarëve drejt natyrales, dhurimit të luleve në raste gëzimesh e fatkeqësish, tendencës së bizneseve për tu kujdesur për ambientin përreth dhe projekteve të punëve publike për zbukurimin e qyteteve.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importi i grupit “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” arriti në 840 milionë lekë (rreth 6.2 milionë euro) në vitin 2016, duke u dyfishuar në krahasim me 2013-n dhe rritje 21% në raport me vitin e mëparshëm.

Duke pasur parasysh se vlera e shtuar e këtyre produkteve është shumë e lartë tregu vlerësohet disa herë më i lartë. Vetëm Garden Line, më e madhja në vend, kishte një qarkullim vjetor prej 1.43 miliardë lekësh në 2016-n (rreth 10 milionë euro), me një dyfishim në krahasim me 2015-n.

Menaxheri i “GardenLine” thotë për “Monitor” se në shumëllojshmërinë e bimëve e luleve që zotërojnë, pjesa më e madhe përbëhet nga dru frutorë apo dekorativë, që kultivohen nga kompania dhe një gamë e gjerë lulesh dekorative. Është një tendencë tashmë që blerësit kryesorë të bimëve dekorative janë restorantet, bare, apo edhe ambiente shtëpish të reja në ndërtim.

Tendenca rritëse ka vijuar edhe përgjatë 2017-s. Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e i grupit “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” për periudhën janar-shtator arritën në 780 milionë lekë, me një rritje prej 25% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

 

Prodhimi vendas mbetet i kufizuar, dominon importi

Prodhimi vendas mbetet i kufizuar në bimë të vogla, ose ato bulb, pasi kostoja e rritjes së një bime me farë është tepër e lartë. Kultivimi i bimëve dhe luleve në vend është në kufijtë e mbijetesës, pasi importi i ka “mundur” ato. Madje, tregtarë të shumtë, të cilët në fillim të aktivitetit furnizoheshin nga kompanitë në vend, kanë nisur të importojnë vetë, në kërkim të një çmimi më të ulët dhe marzhi fitimi më të lartë.

Specialistët e fushës së kultivimit tregojnë se dimri është koha kur lulet importohen pothuajse tërësisht, pasi në vend kultivimi i tyre bëhet në mënyrë artizanale dhe kjo pengon rritjen e tyre në të gjitha stinët. Me kalimin e viteve, kompanitë e mëdha i kanë sofistikuar metodat e rritjes.
Në verë, çmimi i luleve bie ndjeshëm për shkak edhe të rritjes së prodhimit.

Në këtë kohë prodhimi vendas përqendrohet kryesisht te lule si trëndafili, gladiolat, krizantemat. Një trëndafil i kultivuar në vend kushton nga 150 lekë deri në 300 lekë, ndërsa krizantemat nga 150 lekë deri në 200 lekë. Të njëjtat lule, kur importohen, kushtojnë nga 500 lekë deri në 1 mijë lekë. Në rastin e një buqete me rreth 30 copë trëndafilash, kostoja shkon deri në 8 mijë lekë, ose më shumë në varësi të kompozimit të buqetës.

 

Vështirësitë e tregtimit

Të tregtosh lule nuk qenka e thjeshtë, pasi shqiptarët janë klientë të vështirë për t’u menaxhuar dhe lulet janë “mall me skandencë të afërt”.

Por, të flasësh për tregun e shitjes së luleve në vend, ke të bësh me dy anë të medaljes: dyqanet e mëdha: shumë lule, shumë klientë, evente të mëdha dhe dyqanet e vogla: më pak lule, më pak klientë, shitje në kufirin e mbijetesës.

Dyqanet e mëdha janë biznese të cilat, falë përvojës, profesionalizmit dhe “klientëve të artë” qëndrojnë në treg, duke siguruar një pozicion të mirë. Sidomos kur bëhet fjalë për ngjarjet e mëdha gala, apo edhe “dasmat e famshme të vitit 2017”, që krahas marketimit të madh, nxorën në pah edhe rëndësinë e përdorimit të luleve, të cilat ishin pa masë.

“Për të hapur një biznes me lule është shumë e lehtë, ta mbash atë është e vështirë”, – e nis bisedën Aleksandër Asimi, i njohur në Tiranë për vitrinën shumëngjyrëshe që në 2007.

“Më pëlqenin lulet, por nuk e dija që kishte kaq shumë vështirësi për t’i tregtuar ato. Kërkon një punë të madhe dhe menaxhim. Ka shumë dyqane lulesh që hapen përditë, duke parë tjetrin që punon dhe duke menduar se është një biznes i lehtë dhe fitimprurës. Është fitimprurës, por nuk është i lehtë. Kemi të bëjmë me produkte që kanë skadencë dhe krijojnë impresion të menjëhershëm të klienti. Ai nuk do një lule të vyshkur, edhe nëse ti ia shet me gjysmë çmimi”, – tregon z. Asimi.

Në rrugët e Tiranës ndodh shpesh të shohësh shitës të cilët në dy kova me ujë, në mënyrë modeste, shesin lule të cilat janë të kultivuara në vend dhe nuk është çudi, në kopshtin e shtëpisë së shitësit, në rastin konkret. Kjo është një fytyrë tjetër e këtij tregu. Me çmime shumë të ulëta, aq sa dyqanet e mëdha ndihen të “kërcënuar”, shitës të tillë përpiqen që të kapin aq klientë sa të mundin, ose siç pohojnë edhe vetë: “të shesin sikur një trëndafil të vetëm”.

Shitësja e një dyqani të vjetër në Tiranë, në zonën e Librit Universitar, tregon pa krenari, emrat e “borxhlinjve” në bllokun e dyqanit. Të marrësh lule me listë? Po, edhe kjo ndodh në Tiranë. E pyetur për personat që marrin lule në këtë formë, teksa paketonte një tufë lule që ia kishin porositur përmes telefonit, zonja përgjigjet: “Të gjithë, kanë një sebep, thonë do t’i sjellim më vonë paratë”.

Tregtarët pohojnë edhe sezonet e ndryshme krijojnë vështirësi. Shqiptarët blejnë lule dhe bimë dekorative vetëm për festa. Shitësit me me pakicë tregojnë se presin me padurim festat që të mund të ketë më tepër shitje, ndërsa kompanitë e mëdha “shpresojnë” në ndërtime vilash apo baresh me lulishte.

Nga ana tjetër, shitësit pohojnë se xhirot kanë rënë. Hapja e shumë pikave të tilla bën që disa syresh shpesh të mos kenë shitur asgjë, sidomos në periudha jo festash. Kulmi i punës së tyre është gjatë periudhës së verës, ku ka një kërkesë të lartë për buqeta nusesh apo zbukurime makinash.

Z. Asimi tregon për “Monitor” se vështirësitë qëndrojnë te lloji i sektorit ku tregtohet. “Ne nuk jemi dyqan rrobash apo këpucësh, që furnizohesh me një shumë të caktuar malli, kalon sezoni, i ruan për vitin e ardhshëm, magazinimi është i lehtë etj. Jo, përkundrazi. Ne jemi të tillë që artikullin, brenda një afati të caktuar, po nuk e shite: hidhe poshtë”, – pohon ai.

Të gjithë tregtarët e dyqaneve me aktivitet më të gjerë pohojnë se hasin vështirësi edhe për shkak të konkurrencës së pandershme. Ata thanë se nuk ka një dysheme çmimesh duke qenë se nuk janë të gjithë të një kategorie. Dyqanet e vogla përpiqen që të ulin çmimin e produkteve, pohojnë ata, në mënyrë që të marrin klientelën. “Të tilla pika tregtimi janë pa TVSH, e marrin mallin me fatura të thjeshta dhe nuk e deklarojnë. Pra, zhbalancohen çmimet në treg për këtë arsye.

Ndaj, jam pro nismës së qeverisë për përfshirjen e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, do ta strukturonte më tej tregun dhe do të vendoste konkurrencë të ndershme në kushte të njëjta”, – pohon Aleksandri.

Ai shton se ka vështirësi edhe në kontraktimin e një shpërndarësi të kualifikuar. “Ti e ndërton të gjithë zinxhirin e tregtimit në mënyrë të përsosur: porositë, idenë e klientit, realizimin e buqetës: çalon te hallka e fundit: dorëzimi i mallit. Duhen njerëz të kualifikuar të cilët duhet ta njohin mirë tregun, siç ndodh kudo në botë”, – pohon ai për “Monitor”.

 

Problematikat e tregut

– Konkurrenca e pandershme e dyqaneve të palicencuara
– Mungesa e kushteve për të zhvilluar kultivimin në vend
– Taksa e lartë e zhdoganimit (0.4 euro/lule)
– Vështirësia e magazinimit dhe inventarit
– Mosshlyerja e faturave në kohë nga institucionet publike
-Porositë e luleve nëpërmjet telefonit

 

Importet, Italia kryeson ndër vite

Aktorët e tregut pohojnë se importi i luleve dhe bimëve dekorative në dy vitet e fundit është rritur. Sipas INSTAT, vlera në lekë e importeve, është rritur nga 2015 në 2016 me 20.6%, duke arritur në rreth 6.2 milionë euro.

Por, sipas shifrave të INSTAT vëmë re edhe një rritje të konsiderueshme të vlerës së eksporteve. Në 2016, kompanitë shqiptare kanë eksportuar 67% më shumë se një vit më parë, megjithatë eksportet mbeten shumë të ulëta në vlerë, vetëm 18 mijë euro.

Tre janë shtetet kryesore nga të cilat importojmë: Italia, Holanda dhe Greqia. Vetëm kjo e fundit ka parë rënie të importeve në 2016, ndërsa dy të parat janë me rritje. Si vlerë, Italia kryeson në listën e importuesve. Ndërsa sasia që importojmë nga Holanda është e ulët, lulet holandeze vijojnë të rezultojnë të shtrenjta.

Në listën e shteteve nga ku importojmë lule, zë një peshë të konsiderueshme edhe Kenia, vlera e importeve të së cilës ka shënuar rritje në 2016 me 32%, duke arritur në 20 milionë lekë. Operatorët e tregut tregojnë se oferta e vendit afrikan është shumë cilësore për lule si trëndafili dhe konkurron fort me Holandën për nga çmimet më të favorshme.

 

 

Dasmat mbajnë “gjallë” dyqanet e luleve

Dasmat janë burimi kryesor që vijon të ushqejë dyqanet e tregtimit të luleve. Shqiptarët, pavarësisht buxhetit, kanë përqafuar vitet e fundit tendencën e zbukurimit të ambientit ku zhvillohet dasma me lule natyrale (ato plastiket shihen si utopi tani).

Ndaj, dhe kompanitë e mëdha dhe të mirënjohura në treg që bëjnë arredimin e ambientit të dasmave, “ushqehen” me lëndën e parë, thonë tregtarët në vend.

Lulet më të kërkuara për evente të tilla janë: trëndafili, margaritat (të gjitha ngjyrat), zambakët; vitet e fundit ka nisur tendenca e përdorimit të fijeve, trungjeve, gjetheve (bimë zbukuruese të paçelura).

Të pyetur se cili është kompozimi më i shtrenjtë i realizuar për evente të tilla, grosistët pohojnë se përdorimi i trëndafilit e rrit gjithnjë çmimin e kompozimit, por edhe trungjet janë të kushtueshëm.

Grosistët thonë edhe se, duke qenë më tepër një biznes sezonal, në kohët e festave, ku dhe kërkesa është më e madhe, lulet e tjera të prera përbëjnë shitjet më të mëdha. Kryesojnë trëndafilat me ngjyra të ndryshme, margaritat, karafilat, zambakët etj. Ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit, lulet me vazo janë kategoria kryesore që kërkohen kryesisht nga gratë, më rrallë për dhurata në rastin e orkidesë apo bonsait.

 

Lule online

Vitet e fundit, përdorimi i rrjeteve sociale apo edhe website-ve ka sjellë një kulturë të re shitjesh në vendin tonë, atë të porosive online, ku kompozimi zgjidhet nga blerësit sipas shijes dhe buxhetit, pagesa mund të kryhet online nëpërmjet kartës së kreditit dhe lulet vijnë në adresën e kërkuar.

Mirëpo, kjo formë porosie ka ende mangësi në praktikë.

Arsyeja e parë, sipas tregtarëve është se, shqiptarët e kanë të vështirë të tregojnë në shumicën e rasteve se çfarë kompozimi duan, duke qenë se njohin pak lloje lulesh. “Duke mos parë një foto konkrete, është shumë e vështirë të na shpjegohet lloji i buqetës që kërkohet dhe fantazia lë boshllëqe në komunikim dhe klientët shpesh mbeten të pakënaqur”, – pohon një luleshitëse në zonën e Shallvareve.

Tregtarët shprehen se në mungesë të kohës për të vizituar dyqanin fizikisht, porositë bëhen nëpërmjet telefonit, por edhe kjo has keqkuptime. Një tjetër element që përmendin janë kërkesat ekzakte si në një foto ekzistuese por jo të dyqanit ku do realizohet buqeta”. Nuk është e lehtë t’i shpjegojmë klientit që fotoja e marrë në internet ka elemente kompozimi që nuk mund të gjenden në dyqan. Shqiptarët e duan diçka identike, nuk fusin më tepër kreativitet”, – pohon një shitëse në një dyqan pranë Pallateve Agimi.

“Ne e kemi ndërtuar strukturën por ajo përdoret shumë pak, për të mos thënë fare. Shqiptarët, më së shumti i bëjnë porosi nëpërmjet telefonit ose vizitës në dyqan duke qenë se ata nuk kanë shumë njohuri mbi lulet”, – tregon Aleksandri.

 

Festat ku shqiptarët nuk i kursejnë lulet

Muaji mars, që përkon me festën e mësuesve dhe të gruas ka gjithmonë nivelin më të lartë të importit të luleve, sipas të dhënave të importeve të INSTAT.

Këtë vit, vëmendja ndaj mësuesve në 7 mars dhe femrave në datën 8 mars ka qenë veçanërisht e lartë. Importet e luleve në mars 2017 u rritën me 63% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Shkurti është muaji tjetër që “konkurron” me marsin, ku në festën e të dashuruarve nuk mungon kjo dhuratë. Meshkujt shqiptarë duket se janë bërë më romantikë, teksa edhe në shkurt importet u rritën me 45%.

Shtatori është një tjetër muaj, që tradicionalisht ka rritje të shitjeve, me nxënësit që u çojnë lule mësuesve në ditën e parë të shkollës.
Këtë vit ka pasur një dyfishim të importeve të luleve në muajin korrik, që përkon me organizimin e dasmave të mëdha të personazheve të njohur.

 

 

“Bursa” e Holandës

A keni dëgjuar ndonjëherë për Bursën e Luleve të Holandës? Po, po ekziston dhe është hapësira më e madhe dhe e rëndësishme ku tregtarët nga e gjithë bota mblidhen që të blenë në një vend, ku kurora i mbetet tulipanit.

Çdo ditë të javës, në mëngjes, blerësit vërshojnë drejt Aalsmeer-it, rreth një gjysmë ore larg Amsterdamit, për të qenë të pranishëm në një treg të madh mallrash, që mbulon rreth dy milionë metër katrorë sipërfaqe.

Ata ulen nëpër stola, vështrojnë drejt ekraneve të mëdhenj të kompjuterëve dhe me shtypjen e një butoni, nis edhe oferta mbi një shumëllojshmëri lulesh, emrat e të cilëve janë një enciklopedi më vete: çdo gjë, zambakë afrikanë, krisanthi dhe gerbera, të veçantat “putrat e kangurit”, trëndafilat dhe sigurisht, tulipanët e famshëm holandezë.

Më pas, nga aeroporti aty pranë Schiphol-it, lulet mund të dërgohen në mbarë planetin. Sot, më shumë se gjysma e luleve të prera në botë, janë blerë e shitur në ankandet që zhvillohen në Holandë, e cila është një nyjë e tregut global të luleve që prej fillimit të shekullit të 20.
Grosistët e mëdhenj të kryeqytetit shqiptar, që bëjnë import vetë, tregojnë për “Monitor” se ky shtet zë sot rreth 40% të prodhimit botëror dhe pjesën tjetër, e importon dhe e shet po ajo.

Holanda është zemra e tregtisë së luleve, ku mblidhen çdo ditë tregtarët më të mëdhenj të këtij sektori, në një bursë të ngjashme me atë të floririt apo aksioneve. Të gjithë prodhuesit e luleve dhe bimëve në botë kanë interes të shkojnë në Holandë, pasi nuk e shesin dot mallin e tyre me pakicë.

Blerjet bëhen në moment në bursë, por artikujt pra lulet, janë në varësi të sezonit, prodhimit, kërkesës, festave, kështu ndryshon edhe çmimi i tyre. P.sh., një ndër datat që luan një rol të rëndësishëm në tregtimin e luleve është 1 shtator, kur hapen shkollat në Rusi dhe rriten çmimet. Po ashtu edhe 8 Marsi për vendet e Europës Lindore, që kanë shumë kërkesa. Ose sezoni i dasmave korrik-shtator ndikon në ndryshimet e çmimeve, duke qenë se kërkesa për furnizim është e lartë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of