“Shqiptarët ende i lidhin fondet me skemat e mashtrimit”

23/04/2019 4:38 PM 0 komente

Arton Lena, Administrator WVP Top Invest

Fondet e investimit mbeten diçka që nuk njihet mirë nga tregu shqiptar, edhe janë krijuar prej vitesh. Arton Lena, administrator i WVP Top Invest, një fond që u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vitin e shkuar, nënvizon se shqiptarët i perceptojnë fondet si skema mashtrimi, çka kufizon zgjerimin e këtij tregu.

Ai shprehet se në Shqipëri, fondet kufizohen në rritjen e tyre, pasi kanë një përqendrim të lartë tek asetet brenda shtetit e që rrjedhimisht, ekzistojnë më pak instrumente për këto fonde për të rritur Yield-in e tyre për shkak të këtij përqendrimi.

Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimit gjatë vitit 2018 për fondin tuaj dhe për tregun në përgjithësi?

Mendoj se perceptimi i fondeve të investimeve në Shqipëri është ende një risi për tregun tonë. Viti 2018 ishte përvoja jonë e parë në vend. WVP Top Invest është fondi parë që investon në aksione të kompanive në shtetet e zhvilluara dhe objektivi ynë ishte të rrisnim volumin e investitorëve për vitin e parë, pavarësisht vlerës individuale të investimit.

Mund të them se trendi ka qenë i kënaqshëm, megjithëse pritshmëritë ishin më të larta, bazuar në përvojat tona në rajon. Për sa i përket tregut në përgjithësi, mendoj se ende ka shumë punë për të bërë, pasi kursimet e shqiptarëve në fonde zënë rreth 1% të totalit të tregut. Më pak se ne në rajon qëndron vetëm Kosova.

Cilat janë zhvillimet që u vunë re vitin e kaluar në këtë treg, arsyet e uljes me 9.12% e vlerës neto të aseteve në raport me 2017 si dhe rënies së numrit të anëtarëve?

Duke nisur nga politika investuese, më duhet ta ndaj vitin 2018 në dy periudha kyçe. Periudha e parë shtrihej në muajt janar – tetor. Duhet të kemi parasysh se tregjet financiare botërore kanë qenë në rritje që prej marsit të vitit 2009 dhe nuk kanë ndaluar ende deri më sot. Kjo është ajo periudhë të cilën ne e quajmë Bull Market, që ka si karakteristikë rritje të përgjithshme të vlerës së tregjeve financiare. Në tetor 2018, kjo rritje kapi kulmin pas 9 viteve e gjysmë. Sigurisht që Bull Markets nuk vdesin thjesht nga mosha, por përfundimi i tyre varet nga disa faktorë.

Dy kryesorët në këtë rast ishin frika e një recesioni të mundshëm dhe fakti që asetet në treg reflektonin çmime relativisht të fryra në krahasim me vlerën e tyre reale. Kjo gjë, e kombinuar me faktorë të tjerë makroekonomikë, solli një rënie të madhe në periudhën e dytë tetor-dhjetor, duke fshirë shumicën e rritjes së Vlerës Neto të Aseteve.

Për sa i përket tregut në përgjithësi, mendoj se performanca e fondeve të obligacioneve është disi më e kufizuar në politikat e mundshme të investimeve të tyre, pasi bazohen vetëm në asete kryesisht brenda shtetit. Rrjedhimisht, ekzistojnë më pak instrumente për këto fonde për të rritur Yield-in e tyre, për shkak të këtij përqendrimi.
Një tjetër faktor të rëndësishëm për Shqipërinë do të konsideroja dhe mentalitetin dhe kulturën financiare në vend.

Në fillimin e fondeve të para këtu, kohë e cila përkoi me uljen drastike të normave të interesit të obligacioneve, iu dha mundësinë shumë investitorëve në fillim që të përfitonin kthime mjaft të larta të investimeve të tyre, për shkak të marrëdhënies inverse të çmimit të obligacioneve ndaj interesave. Në ditët e sotme, interesat në Shqipëri janë të ulëta dhe politikat monetare të Bankës së Shqipërisë, të paktën në gjykimin tonë, nuk mund t’i ulin më interesat në atë mënyrë, sepse poshtë zeros shumë pak mund të shkosh.

E megjithatë, Shqipëria nuk ka nevojë për diçka të tillë, sepse ekonomia vendase është duke treguar rritje të kënaqshme, pavarësisht kreditimit më të ulët sesa ne dëshirojmë. Kjo bën që kthimi në fondet e obligacioneve të jetë shumë më i limituar se në fillim dhe këtu dua të ritheksoj, për shkak të koncentrimit të këtyre investimeve vetëm në obligacione të shtetit shqiptar. Investitorët ishin mësuar me kthime të larta vjetore dhe duke ju munguar përvoja në fonde, rrjedhimisht në kohë të tilla, ka tërheqje të kapitaleve. Ajo çka duhet të kuptojmë është që lëvizjet në NAV janë krejt normale për një fond.

Cilët janë faktorët që, sipas jush, kufizojnë rritjen e fondeve duke e lidhur këtë me edukimin financiar apo elemente të tjera të ngjashme?

Faktori kryesor, i cili ka një peshë prej rreth 80%, është edukimi i investitorëve potencialë për tregjet financiare. Mendoj se shqiptarët e lidhin ende konceptin e fondeve me një “skemë mashtrimi” deri diku. Fatmirësisht, fondet e para të hapura janë të administruara nga bankat e nivelit të dytë, sektor i cili ka pasur gjithmonë besueshmëri dhe stabilitet në opinionin publik.

Mendoj se duhet të ndërmerren fushata shumë serioze sensibilizimi dhe edukimi për investitorët, sepse realisht në fund të ditës, janë ata që vendosin për ecurinë e tregut, sado që të përparojmë ne nga ana jonë. Mediat e shkruara dhe televizive në Shqipëri kanë ndikim shumë të madh në opinionin publik dhe mendoj se industria financiare duhet të bashkëpunojë me to shumë më ngushtë. Megjithatë, duhet të ekzistojë edhe vullneti dhe dëshira e ndërsjellë e të gjitha palëve, për ta çuar këtë treg përpara.

Si e prisni vitin 2019, duke pasur parasysh ecurinë e muajve të parë?

Viti i ri ka nisur në mënyrë të shkëlqyer. Nga 1 Janari deri më sot Vlera Neto e Aseteve dhe kthimi i kapitalit për investitorët është rritur me 12.31% në më pak se tre muaj, të paktën për fondin tonë. Megjithatë, kjo nuk na bën më të vetëkënaqur, përkundrazi i rrit përgjegjësitë tona ndaj investitorëve që na kanë besuar paratë e tyre. Siç ju shpjegova pak më parë, në këtë industri ka periudha të shkëlqyera, të ndërthurura me periudha të vështira.

E rëndësishme është që t’u përmbahemi objektivave tanë afatgjatë dhe të mos fokusohemi në rezultatet afatshkurtra. Duhet të keni parasysh që performanca e WVP Top Invest ndikohet drejtpërdrejt nga ecuria e ekonomisë botërore, për shkak se investimet tona janë globale dhe në një sektor më të luhatshëm siç janë aksionet. Për këtë arsye, WVP Top Invest rekomandohet për investitorët me një horizont investimi afatgjatë.

Ka një draftligj “Për sipërmarrjet kolektive” që është në konsultim, keni dijeni për të dhe a mund të kemi një opinion të përgjithshëm tuajin mbi atë çfarë sjell ky draft i ri?

Po, sigurisht, që kemi dijeni, madje kemi qenë disa herë të pranishëm në takimet e zhvilluara për integrimin e këtij ligji të ri. Ligji, në vetvete, synon të integrojë tregun tonë me rregullat e bashkimit europian dhe tregjeve financiare botërore. Ne kemi lexuar dhe shqyrtuar draftin e tij, së bashku me kolegë të tjerë në fushën financiare në Shqipëri.

Ajo çka mund të them është se disa seksione të tij janë shumë të avancuara për tregun tonë. Këto komente i kemi përçuar edhe drejtpërdrejt te draftuesit dhe shkruesit e këtij ligji. Ne jemi të bindur që tregu shqiptar duhet të lejohet të zhvillohet më lirisht dhe në mënyrë që ky ligj i ri të arrijë funksionin e tij rregullues, por edhe zhvillues.

Kemi sugjeruar tek autoritetet përkatëse, që disa pjesë të tij të integrohen në mënyrë lineare, në përputhje me zhvillimin e tregut. Kjo do të sillte jo vetëm një zhvillim të qëndrueshëm, por edhe shumë të sigurt për investitorin. Për të dalë në një konkluzion të shkurtër PO, ky ligj është shumë i nevojshëm për ecurinë e tregut tonë, por duhet të përshtatet me kushtet e vendit dhe të integrohet dalëngadalë, në të kundërt do ta dëmtojë ecurinë dhe do ta ngadalësojë atë.

Nëse do të ishte në dorën tonë, gjëja e parë kryesore që duhet të ndërmerret nga drejtuesit e vendit, por edhe nga ne si industri, ju si media dhe qytetarëve, është edukimi financiar, dhe njohja masive e tregut me fondet e investimeve, qofshin këto në aksione apo obligacione. Duhet të ketë patjetër një shtysë dhe një thirrje publike sa më të lartë, për ta njohur publikun me këtë industri.

Sigurisht me rritjen e volumit, më pas autoritetet mbikëqyrëse do të mund të kontrollojnë dhe survejojnë të gjithë pjesëmarrësit që do të ofrojnë këto shërbime dhe në këtë formë, do të mund të integrohet në mënyrë sa më të mirë ligji i lartpërmendur.

Ne i qëndrojmë mendimit që në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa zhvillohemi ne apo pjesa legjislative, në rast se investitori nuk të mbështet dhe ky shërbim nuk bëhet tërheqës për të, dhe ç’është më e rëndësishmja, të krijohet besimi i tij, atëherë asgjë tjetër nuk ka vlerë. Ky është objektivi final tek i cili mendoj se duhet të fokusohet secili nga ne, pavarësisht se çfarë roli luajmë në këtë treg si ofrues shërbimi, rregullator, media apo investitor.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of