Dëmet nga ngjarjet e sigurimit që qytetarët dhe bizneset po i kërkojnë në rrugë gjyqësore kanë arritur në 1.78 miliardë lekë ose rreth 14.3 milionë euro.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në gjysmën e parë të vitit 2020 dëmet që janë bërë objekt çështjesh gjyqësore kanë vazhduar të rriten. Në fund të muajit qershor, numri i çështjeve gjyqësore arriti në 985, nga 880 që kishin qenë në fund të vitit 2019. Vlera e dëmeve është rritur me pothuajse 24% që nga fillimi i vitit.
Çështjet që përfundojnë në gjykatë, qoftë si numër rastesh, ashtu edhe si vlerë dëmesh, dominohen nga sigurimet e detyrueshme. Kjo lidhet me tiparet e tregut të sigurimeve në Shqipëri, që në masën më të madhe dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Çështjet që lidhen me sigurimet e detyrueshme përbëjnë 91% të rasteve dhe 65% të vlerës totale të tyre.
Dëmet objekt i çështjeve gjyqësore janë një pjesë e rëndësishme e totalit të dëmeve pezull në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet pezull në sigurimet e jo-jetës kishin vlerën e 6.05 miliardë lekëve ose rreth 49 milionë eurove në fund të muajit tetor 2020. Kjo shumë përfshin vlerën e dëmeve në proces vlerësimi, të dëmeve të miratuara, por të papaguara, si edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Numri i të siguruarve që presin të zhdëmtohen nga kompanitë e sigurimeve është afërsisht 9 mijë. Ndërsa numri i dëmeve pezull ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, vlera e tyre është rritur me 9%.
Madje, dëmet pezull vazhdojnë të kenë një vlerë edhe më të madhe se dëmet e paguara, që për 10-mujorin 2020 ishin rreth 5.7 miliardë lekë. Nëse dëmet pezull do të miratoheshin dhe do të paguheshin të gjitha, vlera e dëmeve për 10-mujorin do të arrinte një shumë totale prej afro 11.8 miliardë lekësh ose rreth 95 milionë eurosh.
Megjithatë, një zhvillim pozitiv është ulja e dëmeve pezull që i takojnë Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Në fund të tetorit, dëmet pezull të Fondit kanë zbritur në rreth 812 milionë lekë, 37% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fondi i Kompensimit është përgjegjës për të paguar dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.