Shqiptarët nuk duan më t’i mbyllin paratë, llogaritë rrjedhëse me rritje dyshifrore

31/01/2021 11:00 PM 0 komente

Tendenca e shqiptarëve për t’i mbajtur paratë në llogari të hapura është forcuar gjatë vitit të kaluar dhe sidomos pas shpërthimit të krizës.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se llogaritë dhe depozitat pa afat në lekë pas muajit qershor kanë regjistruar një rritje mesatare vjetore prej pothuajse 21%. Nga ana tjetër, depozitat me afat prej vitesh po ndjekin një tendencë të dukshme në rënie prej vitesh.

Për periudhën qershor-nëntor, rënia ishte mesatarisht 4.4% me bazë vjetore. Tendencë të njëjtë, por me ritme më të ulëta të rënies, po ndjekin edhe depozitat me afat në valutë. Zhvendosja e kursimeve të shqiptarëve drejt llogarive likuide është kryesisht rezultat i rënies së normave të interesit. Gjatë muajit nëntor 2020, interesi mesatar i depozitave të reja 12 mujore në lekë ishte 0.4%, ndërsa në euro 0.17%.

Luhatjet e interesave, në vlera mesatare, edhe për vitin e kaluar kanë qenë të papërfillshme dhe ato ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. Në fund të nëntorit 2020, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat përbënin mbi 58% të totalit të depozitave bankare të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë.

Megjithëse në shumicën dërrmuese shqiptarët vazhdojnë të preferojnë bankat për të mbajtur kursimet e tyre, rënia e ndjeshme e depozitave me afat në fakt përfaqëson një ndryshim domethënës nga forma më tradicionale e kursimit, që përgjithësisht ka dominuar gjatë tre dekadave të postkomunizmit.

Nga këndvështrimi i bankave, kjo tendencë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Orientimi i parave drejt llogarive të kursimit pa afat ul shpenzimet e bankave për interesa, sepse llogaritë dhe depozitat pa afat kanë norma interesi shumë të ulëta, shumë pranë zeros. Por, nga ana tjetër, dominimi i depozitave pa afat i vendos bankat para mundësisë së tërheqjeve të parave në çdo moment që klienti mund ta ketë të nevojshme, pa asnjë penalitet. Në teori, ky mund të jetë një risk i shtuar për likuiditetin e bankave, por, në praktikë, ka pak gjasa të shkaktojë probleme, të paktën për momentin. Raporti mes kredive dhe depozitave të sektorit bankar është më pak se 48%. Pjesa e mbetur e depozitave është e investuar në instrumente financiare likuide.

Pandemia e ka theksuar edhe në shumë tendencën e rritjes së kursimeve mes shqiptarëve dhe kjo shpjegohet më të shumti me pasigurinë që shkaktoi kriza. Që nga shkurti deri në nëntor, depozitat totale të bankave shqiptare janë rritur me rreth 300 milionë euro. /E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of