Shqiptarët, optimistë për ekonominë, por realiteti i zhgënjen gjithmonë

10/07/2019 11:01 PM 0 komente

Shqiptarët përgjithësisht presin që ekonomia të shkojë për mirë në drejtim të situatës financiare, ekonomisë dhe konsumit, por në fakt realiteti i zhgënjen gjithmonë.

Historiku i vrojtimeve të besimit të konsumatorëve nga ana e Bankës së Shqipërisë tregon se përgjithësisht pritshmëritë janë më pozitive se realiteti.

Që nga viti 2009 deri në vitin 2019 pritshmëria për situatën financiare të qytetarëve shqiptarë ka një diferencë gati prej 10 pikësh në raport me realitetin përveç vitit 2013.

Përgjatë dekadës, vetëm në vitin 2013 zhvillimet ekonomike në realitet ishin më të larta se sa pritshmëritë e konsumatorë për ekonominë e tyre.
E njëjta diferencë, por disi edhe më e ulët është edhe për blerjet e mëdha. Konsumatorët planifikojnë të blejnë mallrat të qëndrueshëm më shumë se sa në të vërtete ata i realizojnë.
Edhe plani i kursimeve është më optimist se realiteti, me një diferencë pikësh sistematike ndërmjet pritjeve dhe realizimit faktik.

Banka e Shqipërisë raportoi se, në tremujorin e dytë të vitit 2019 treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 2.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke ndërprerë dinamikën rritëse të dy tremujorëve të mëparshëm.

Banka argumentoi se, dinamika rënëse e besimit konsumator pasqyroi rënien e tre prej balancave formuesi: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend me 4.6 pikë përqindje, situata financiare e pritur e familjes me 3.6 pikë përqindje dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve me 1.0 pikë përqindje.

Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse TBK-së, blerjet e mëdha, qëndroi pothuajse në vlerën e shënuar një tremujor më parë (+0.1 pikë përqindje).
Situata për secilin tregues konsiderohet: shumë e kënaqshme (++) kur treguesi është më shumë se 1 devijim standard më i lartë se mesatarja; e kënaqshme (+) kur treguesi është më pak se 1 devijim standard më i lartë se mesatarja; e pakënaqshme (-) kur treguesi është më pak se 1 devijim standard më i ulët se mesatarja; dhe shumë e pakënaqshme (–) kur treguesi është më shumë se 1 devijim standard më i ulët se mesatarja.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of