Tregu i “Bëje vetë ti” po sheh ditë pozitive. Vitin e shkuar, xhiroja e dy kompanive më të mëdha në këtë sektor arriti 2.6 miliardë lekë, me rritje dy shifrore.
Çfarë i ka bërë shqiptarët të rikthehen te produktet bëje vetë?
Çmimet e leverdishme, shmangia e kostos së punëtorëve, diversifikimi i produkteve. Problematikë mbeten tregjet informale, zhvlerësimi i produkteve dhe aftësia blerëse…
Nga Deada Hyka
Bëje vetë, apo siç njihet kudo në botë DIY, nuk është një koncept i ri. Njerëzit e kanë përqafuar DIY shumë kohë më parë. Megjithatë, si shumë gjëra të tjera, interneti dhe veçanërisht aspekti social i tij, e ka përshpejtuar fenomenin dhe ka lehtësuar mundësitë e pafundme edhe për këtë sektor.
Tregu botëror i DIY po sheh rritjet më të mëdha në histori, gjë që po reflektohet edhe në një treg të vogël si ai shqiptar. Sipas specialistëve të fushës, kjo ka ndodhur për disa arsye.
E para, rritja e kostove të mobilierisë, e cila i çuar njerëzit te koncepti DIY, ku çmimi është dukshëm më i leverdishëm. E dyta, rritja e kostove të forcës punëtore. Edhe shqiptarët, që historikisht janë shquar për aftësitë e tyre në shumë fusha: hidraulike, elektrike, montime etj., e kanë më të lehtë dhe të leverdishme që të montojnë një mobilie vetë, për të shmangur punësimin e një specialisti.
Njerëzit po i afrohen më tepër konceptit të ‘bëje vetë’ më shumë se kurrë më parë, por aktorët e tregut pohojnë se ky është veçse fillimi, për të arritur atë ekspansion që Europa dhe sidomos Amerika ka përqafuar vite më parë.
Rigers Greku, menaxher i Jysk Albania, përfaqësuesi i Jysk Denmark, komunitet i njohur i DIY në vendet skandinave dhe konkurrenti kryesor i suedezes IKEA, thotë se është misioni i tyre për t’i çuar njerëzit drejt ‘bëje vetë’ më shumë. Për këtë, Jysk po sjell në Shqipëri gjithnjë e më shumë produkte çdo ditë. Ai thotë se janë të shumtë ata që kanë një pasion për ta parë atë të ndërtohet me duart e tyre.
Pra, çfarë është ajo që e bën DIY të jetë kaq popullore dhe të gjenerojë miliona në një vit, duke angazhuar më shumë njerëz në një treg kaq të vogël sa Shqipëria?
Dionis Teqja, Presidenti i Megatek, hipermarketi që nisi të veprojë në tregun vendas në vitin 2009 nga grupi investitor “Teqja Group”, shpjegon: “Mendoni për përvojën e ndërtimit të shtëpisë suaj, duke shkuar në Megatek, por duke u shoqëruar me miqtë tuaj, të cilët mund t’ju japin këshilla se çfarë të zgjedhin dhe si të dekorojnë. Kjo formë është shumë më e pëlqyer se sa të porosisësh diçka që nuk e di fundin e produktit se si do të jetë”, – thotë ai për “Monitor”.
Aktorët e tregut theksojnë se, disa njerëz e përdorin DIY si një mënyrë të shëndetshme për të shpëtuar nga stresi i jetës së përditshme. Nëpërmjet produkteve të DIY, klientët i japin shtëpisë së tyre kreativitet në arredim. Madje, njerëzit kënaqen më shumë, duke u ndier të suksesshëm që arritën të bënin diçka, pa ia bërë këtë punë dikush tjetër. Për më tepër, shmangin fatura të tjera.
Një tjetër fenomen interesant i konceptit DIY është dëshira për të ndarë krijimin. Në platforma si YouTube gjen pafund video se si bëhet apo montohet një produkt i caktuar, apo se si bëhet një dekorim nga një hipermarket DIY, ku vihet re se shumica e njerëzve i shohin këto video. Ashtu sikurse ndodhi dikur me gatimet, edhe me produktet DIY, njerëzit po ndajnë në rrjetet sociale përvojën e tyre.
Është bërë disi sfidë në internet, se sa larg mund të shkosh pa shpenzuar para? Sa kreativ mund të jesh?
Problematikat e tregut
Nuk mungojnë problematikat. Ndonëse dy kompanitë më të mëdha në këtë sektor, Megatek dhe Jysk, po rriten në tregun shqiptar, pohojnë se ka ende ngërçe që kryesisht lidhen me tregun informal. Sipas Rigers Greku nga Jysk Albania ka ende konsumatorë që për hir të disa çmimeve më të ulëta, u drejtohen dyqaneve të vogla të lagjeve, ku me shumë mundësi, mosregjistrimi dhe informaliteti u garantojnë klientëve produkte me kosto më të ulët. Duke pasur produkte jo shumë cilësore, çmimi final do të jetë dukshëm më i ulët se në hipermarketet kryesore DIY. Megjithatë, sipas tij, mendësia e shqiptarëve po ndryshon. Pjesa më e madhe e tyre u drejtohen produkteve më cilësore për të pasur jetëgjatësi.
Z. Teqja pohon se ka qenë shumë i vështirë operimi në një fushë apo sektor të tillë, sepse konsumatorët shqiptarë kanë pasur pak njohuri të filozofisë DIY, që produkti merret vetë dhe montohet vetë. “Me kalimin e viteve, për një pjesë të produkteve kemi ofruar montimin nga stafi ynë pa kosto, për të rritur potencialisht klientët, pasi jo çdo produkt do të ishte e lehtë të montohej vetë nga konsumatorë të pamësuar me këtë pjesë”, – pohon ai. Xhori thekson se mendësia e shqiptarëve dhe tregu informal janë dy problematikat kryesore.
Treg fitimprurës
Sipas të dhënave në QKR, në dy vitet e fundit, të dyja kompanitë kanë pasur zgjerim të aktivitetit. Megatek ka parë rritje të xhiros me rreth 24%, në 2 miliardë lekë.
Jysk Albania është zgjeruar me 31% në 2017, por ajo realizon një qarkullim vjetor disa herë më të ulët, në 607 milionë lekë.
Vetëm vitin e shkuar, dy kompanitë kanë gjeneruar 2.6 miliardë lekë në tregun shqiptar të produkteve DIY.
DIY nuk ka lindur brenda natës. Popullariteti i këtij koncepti mund të jetë më i vjetër se sa vetë njerëzimi, pra bërja e gjërave vetë.
Termi “do it yourself” u shfaq së pari në një artikull të Revistës Suburban Life të tetorit 1912 me titull “Dekorimi praktik për brendësinë e shtëpisë” i cili dha këshilla për arredimin e brendshëm “për ata që duan të bëjnë vetë gjërat”. DIY në botë fitoi popullaritet dhe tërheqje më të madhe deri në mesin e viteve 1940, falë futjes së produkteve në shtëpi nga Black & Decker. Pas Luftës së Dytë Botërore, Black & Decker kapitalizoi popullaritetin e veglave të punës midis punëtorëve të fabrikës. Lehtësia dhe shpejtësia e veglave të reja të përdorura në punë i frymëzuan shumë prej tyre “për t’i huazuar” mjetet për të përfunduar projektet në shtëpi.
Ikja e Praktiker
Operatori gjerman Praktiker investoi rreth 15 milionë euro në një hapësirë tregtare 8,000 metra katrorë. Por, në fund të vitit 2011, shpalli falimentin. Megjithëse kompania e kishte projektuar vite më parë hyrjen në tregun shqiptar (në vitin 2007-n e bëri këtë publikisht) ajo hyri vetëm në fund të 2009-s, kur tashmë kriza ekonomike po jepte efektet negative, sidomos në sektorin e ndërtimit. Vonesa duket se nuk ishte një zgjidhje “e zgjuar” e kompanisë gjermane. Po atë vit, investitorë vendas, Teqja Group, hapën një tjetër hapësirë tregtare DIY, Megatek, me një sipërfaqe edhe më të madhe.
Praktiker mbylli aktivitetin për shkak të krizës, mungesës së ndërtimit dhe mendësisë së shqiptarëve ende të papërgatitur për hapësira të mëdha DIY, sipas administratorëve të kompanisë në atë kohë. Faktorët që ndikuan në dështimin e zinxhirit gjerman në Tiranë janë të shumtë. Negativisht ka ndikuar edhe pozicioni i pafavorshëm gjeografik i marketit, në një zonë që nuk gjeneron trafik (larg zonave të nxehta të konsumit) dhe i rrethuar me popullsi rurale shumë e varfër. Dyqanet e vogla, që shesin materiale ndërtimi me cilësi shumë të ulët dhe që bëjnë evazion fiskal, nuk përdorin kasë fiskale dhe faturë, janë “fajësuar” gjithashtu si shkaktarë të dështimit të zinxhirit më të madh gjerman të DIY në atë kohë. Epopeja e falimentit të Praktiker u mbyll vetëm në prill të këtij viti.
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë shpalli vendimin e mbylljes së procedurës së falimentit. Kompania me qendër në Kirkel të Gjermanisë nuk arriti të korrte suksesin e duhur në tregun shqiptar, ndaj mbylli hipermarketin në vitin 2011 dhe u largua nga Shqipëria një vit më pas. Me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Gjykata e Tiranës nisi në vitin 2013 procedurat e falimentimit, për të cilën u deshën 5 vite që të përfundonte. Ndërkohë, La Prealpina, e cila ka hyrë e para në treg, por me një format shumë më të vogël, vetëm 1500 m², investoi në hapjen e një tjetër njësie në vitin 2011, në një nga qendrat tregtare në vend. Në vitin 2015 shpalli kërkesë për pezullim aktiviteti.
Tregu global
Në vitin 2016, xhiroja në tregun botëror të DIY / home arriti 567 miliardë euro, një rritje prej 3,8% krahasuar me vitin e kaluar. Amerika e Veriut dhe Europa përfaqësojnë përafërsisht 85% të këtij tregu, edhe pse popullsia e tyre e përbashkët përbën vetëm 15% të popullsisë botërore.
Tregjet DIY të këtyre dy kontinenteve janë 484 miliardë euro. Amerika e Veriut dhe Europa arrijnë përkatësisht 57% dhe 28% të tregut botëror. Amerika e Veriut kishte shpenzimet mesatare më të larta për DIY për frymë në 2016 me 899 euro.
Përafërsisht 82% e tregut global DIY (467 miliardë euro) është i përqendruar në vetëm 8 vende: SHBA, Gjermani, Japoni, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Australi dhe Itali. Për më tepër, tre vendet e DIY në Europë (Gjermani, Francë dhe Mbretëria e Bashkuar) përfaqësojnë 53% të tregut të kontinentit.
Dhjetë shitësit më të mëdhenj të DIY në mbarë botën janë: Home Depot (SHBA), Lowe’s (SHBA), ADEO (Francë), Kingfisher (Britani e Madhe), Menards (SHBA), Bunnings Building (Australi), OBI (Gjermani) Sears (SHBA), Canadian Tyre (Kanada), IKEA (Suedi). Të rinjve mund t’u duhet më shumë kohë për të blerë një shtëpi, por një studim në The Home Depot zbuloi se 57% e qiraxhinjve të rinj e shohin pronësinë e shtëpisë si një qëllim të rëndësishëm, krahasuar me vetëm 38% të gjeneratës tjetër.
Në fakt, Qendra e Përbashkët e Harvardit për Studimet e Strehimit parashikon që pronarët e rinj të shtëpive do të rriten me 35% këtë vit. Kjo tendencë ndodh edhe në Europë. Këta pronarë të rinj po riorganizojnë industrinë e Home & Garden, duke u bërë pjesë aktive në dekorimin dhe riparimin e shtëpisë dhe duke kërkuar përvojat e shitjes me pakicë, si në internet dhe jashtë. Veçanërisht në SHBA dhe në Europë, ata janë blerësit kryesorë të produkteve DIY.
Vlera e tregut DIY rritet çdo vit, në mbarë botën. Në vitin 2013, vlera e tregut botëror DIY ishte rreth 31.9 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2014, dyqanet DIY në Shtetet e Bashkuara gjeneruan 144 miliardë dollarë amerikanë fitime. Analisti i hulumtimit të tregut Technavio parashikon që tregu global i DIY do të rritet në mënyrë të qëndrueshme mbi 3% deri në vitin 2021, duke tejkaluar 200 miliardë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.