Shtabi i Emergjencave u mblodh nën drejtimin e kryeministrit Rama për të diskutuar planin e masave për motin e keq dhe për situatën e gripit në vend.
Kryeministri tha se po përballemi me një situatë të panjohur më parë. “Mbetemi në mënyrë të vazhdueshme në koordinim të plotë me ata që janë pjesë e këtij procesi. Mbetemi të angazhuar me të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe qendror”, u shpreh Rama.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha se reshjet e dëborës kanë mbuluar 1/3 e Shqipërisë dhe në ditët e ardhshme pritet të zbresin deri në lartësinë 200 metra. “Problematikë mbeten disa akse rrugore. Ditët e ardhshme do kemi ulje të temperaturave deri në -20 gradë Celsius. Po kështu ngricat në rrugë do jenë prezente. Nuk ka depozita kripe për të përballuar situatën e emergjencës për akset rrugore. Janë ngritur shtabet e emergjencave në të gjithë rajonet e vendit. Kërkohet përforcim i masave të gatishmërisë. Po bashkëpunohet me kompanitë kontraktore për situatën e rrugëve”, u shpreh Prençi.
Ministri i Bujqësisë, Panariti, theksoi se hidrovoret kanë energji elektrike dhe janë në gjendje funksionale, ndërsa puna është fokusuar te baza ushqimore për blegtorinë.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë në maksimum lëvizjet, pasi situata mund të vështirësohet më tej.
“Parashikohet që situata të jetë më e vështirë. Drejtoria e Rezervave të Shtetit dhe drejtoritë në çdo qark kanë marrë masa për të siguruar minimum jetik për bazë ushqimore. Pushteti vendor ka marrë masa për strehimin e njerëzve në situatë rruge. U bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë duke njoftuar strukturat shtetërore dhe të kufizojnë lëvizjet në maksimum për të shmangur pasojat. Kemi bërë thirrje të gjitha kompanive që kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin shqiptar për hapjen e rrugëve dhe mos lejimin e ngricave. Sot, të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhir, por ulja e temperaturave e bën më të vështirë në zonat veriore dhe verilindore”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.