Nëse jeni duke kërkuar për restorante ku peizazhi është aq i mirë sa ushqimi, atëherë këto shtatë restorante janë vendet fantastike që ju po kërkonit.
Nga peizazhet spektakolare të qytetit te pamjet madhështore të maleve, mund ta keni të vështirë të shkëpusni shikimin nga peizazhi…
Restoranti Sky 634, Tokio, Japoni – 345 metra
Tokyo Skytree është struktura më e lartë në të gjithë Japoninë, dhe Restoranti Sky 634 është vendi i përsosur për të admiruar peizazhin e qytetit ndërsa shijoni kuzhinën me përbërës të freskët sezonalë. Në një ditë me diell, kjo është një nga pikat e pakta në Tokio nga ku mund të shikoni deri në majën ikonike konike të malit Fuji. Natën, dritat vezulluese të qytetit ju ofrojnë pamje mbresëlënëse të pamohueshme.
At.mosphere, Dubai, Arabi – 442 metra
Burj Khalifa e Dubait aktualisht mban rekordin e ndërtesës më të lartë në botë me 828 metra, dhe At.mosphere ofron pamje të pakonkurueshme të qytetit nga lartësia e tij deri në katin 122. Ajo mban rekordin botëror Guinness për restorantin më të lartë nga niveli i tokës, dhe dritaret nga dyshemeja në tavan janë ideale për të shikuar përtej ujërave të Gjirit Arab, ndërsa ju shijoni një menu të shijshme.
The Eagle’s Nest, Berchtesgaden, Gjermani – 1,834 metra
Kjo ndërtesë famëkeqe qëndron lart në Alpet Bavareze dhe u ndërtua fillimisht si një dhuratë për 50-vjetorin e lindjes për Adolf Hitler. Pasi u kap nga Aleatët, ajo iu kthye qeverisë gjermane në 1960. “Foleja e Shqiponjës” arrihet përmes rrugës më të pjerrët të Gjermanisë dhe pastaj nëpërmjet një ashensori deri në mal. Dritaret e restorantit dhe tarraca në natyrë ofrojnë peizazhin panoramik të majave të thyer dhe shpateve alpine të pyllëzuara ndërsa ju shijoni vaktin.
Huashan Teahouse, Weinan, Kinë – 2,160 metra
Ky nuk është një restorant tipik, por është një vend aq i veçantë saqë ne na u desh patjetër që ta përfshinim në këtë listë. I vendosur në majën e largët jugore të malit Hua, mund të arrihet vetëm përmes një shtegu të njohur si Shkallët Qiellore. E cilësuar si një nga rrugët më të rrezikshme të shëtitjes në botë, në disa vende ajo përbëhet nga pak më shumë se shirita të ngushtë druri dhe zinxhirë udhëzues të bashkuar në shpatin e malit. Edhe pse pamja është mbresëlënëse dhe pijet në majë do t’ju shijojnë shumë, ky është një udhëtim që nuk këshillohet për njerëzit që i kanë frikë lartësitë.
Le Panoramic, Chamonix, Francë – 2,525 metra
I ndodhur në majën e Le Brévent, restoranti mund të arrihet përmes një kombinimi të gondolës dhe teleferikut, duke ju shpalosur peizazhe të mrekullueshme përpara se të arrini në destinacion. Tarraca e saj rrethore në natyrë krenohet me pamjen madhështore të majave përreth, duke përfshirë Malin e Bardhë. Pamja ndryshon me stinët, nga një mrekulli dimri e mbuluar me borë në një parajsë të luginave të gjelbra në muajt e ngrohtë, kështu që gjithmonë keni një peizazh të ri për të admiruar. Për të eksploruar më tej, bëni një shëtitje përgjatë disa shtigjeve për ecje aty pranë.
Alpino Vino, Kolorado, SHBA- 3,647 metra
Ky restorant komod me frymëzim europian e cilëson veten si restorantin më të lartë për të ngrënë darkë në SHBA. Mbërthyer në Malet Shkëmbore, mund të arrihet me ski ose trajner dëbore dhe pasi të jeni atje, ju mund të shijoni një vakt italian të rafinuar dhe verë të mrekullueshme. Zona e barit në natyrë është vendi më i mirë për të parë pamjet gjithëpërfshirëse të malit Wilson dhe San Miguel, para se të pushoni përpara zjarrit për t’u ngrohur dhe për t’u përgatitur për t’u kthyer përsëri në shpatet malore.
Matterhorn Glacier Paradise, Zermat, Zvicër – 3,883 metra
Duke pretenduar titullin e restorantit më të lartë malor të Europës, Matterhorn Glacier Paradise ka dritare panoramike për të siguruar që nuk do të humbni asnjë nga peizazhet e mahnitshme të Alpeve zvicerane ndërsa shijoni darkën. I vendosur ngjitur me stacionin më të lartë të teleferikut në Europë, nga këtu lart mund të mrekulloheni me pamjen e 14 akullnajave dhe 38 majave të ndryshme 4,000 metra, duke përfshirë Malin e Bardhë, Eiger, Breithorn dhe Gran Paradiso. Shpella e akullit pranë Pallatit të Akullnajave, në 15 metra nën tokë, gjithashtu ia vlen të vizitohet. /Euronews