Shtëpia është një prej vendeve ku gjithkush do të ndihet komod dhe kjo është një prej gjërave që e vështirëson shumë punën e arkitektëve.
Projekti më i çuditshëm është ai i firmës së arkitektëve Cadence, shtëpia e çuditshme në formë H-je të ndërtuar në një lagje tradicionale indiane, në rrugën e lulëzuar në Bangalore.
Shtëpia prej 13.7 x 27.4 metra katrorë është e vendosur në një zonë me një bimësi shumë të dendur, ku fqinjët janë afër njëri me tjetrin dhe në një rrugë ku ka shumë lëvizje. Këto kanë qenë disa nga arsyet se përse arkitektët e firmës kanë pasur një qasje të ndryshme që në fillimin e hartimit të projektit të ndërtesës.
I gjithë projekti ka formën e germës H, i cili nga çdo krah është i rrethuar me bimë të shumëllojshme.
Bazuar edhe në fenë vendase, një prej elementëve kryesorë të kësaj shtëpie ka qenë edhe dhoma ‘Puja’, në të cilën kryhen të gjitha ritet fetare të lutjeve dhe kjo hapësirë është e detyrueshme për të gjitha shtëpitë në Indi.
Fasada ballore e shtëpisë është në ngjyrë të bardhë. Tavani i shtëpisë është shumë i lartë dhe e mbulon të gjithë shtëpinë dhe madje zgjatet edhe jashtë saj, duke krijuar një formë çatie edhe për pjesën e jashtme të kopshtit. Në pjesën e përparme, arkitektët e firmës Cadence kanë krijuar një dhomë shtesë, e cila të krijon idenë e një skulpture, në mënyrë të tillë që shtëpia të jetë unike në llojin e saj dhe të dallojë edhe nga shtëpitë e tjera rreth e përqark.
Për sa i përket pjesës së brendshme, në zemër të shtëpisë ndodhet një kopsht me bimë karakteristike të zonës.
Materiali kryesor i pjesës së brendshme është druri i qershisë dhe kudo ka nuanca të ngjyrës së qumështit, të cilat së bashku me dritaret gjigante i japin shtëpisë një superndriçim natyral.