Turistët po vizitojnë në numra të mëdhenj këtë atraksion të ri.
Një shtëpi dykatëshe e përmbysur, e kompletuar me një makinë të kuqe të parkuar në rrugë, është ndërtuar në qytetin kolumbian të Guatavita, i cili ndodhet shumë pranë kryeqytetit Bogota.
Brenda kësaj shtëpie, të njohur si Casa Loca, vizitorët ecin mbi tavanet që ndodhen aty ku normalisht do të duhej të ishin dyshemetë, ndërsa mobiljet janë të vendosura sipër tyre.
Kjo shtëpi plot imagjinatë është projektuar nga pronari i saj austriak, Fritz Schall, i cili jeton në Kolumbi bashkë me familjen e tij.
Schall tha: “Të gjithë më shikonin sikur të isha i çmendur, nuk e besonin atë që po thoja. Unë thashë: ‘Do të bëj një shtëpi me kokë poshtë!’ dhe ata më thanë: ‘Patjetër zotëri, sigurisht, mund ta bëni.’”
Frymëzimi për ndërtimin e kësaj shtëpie lindi gjatë një udhëtimi të vitit 2015 në vendin e tij të lindjes, Austrinë, ku Schall bashkë me nipërit e tij panë një shtëpi të ngjashme.
Megjithëse pandemia e koronavirusit e bëri paksa më të vështirë ndërtimin e shtëpisë, ajo më në fund përfundoi në fillim të këtij viti, shpjegoi Schall.
“Pandemia na ngadalësoi pak, por tani u përfundua”, tha ai.
Për vizitorët e lodhur nga pandemia dhe nga masat e shumta që përfshijnë bllokimet dhe kufizimet e lëvizjeve, kjo shtëpi, e cila u hap për publikun në janar, ofron një lehtësim të vogël.
“Ne po vijmë nga një pandemi, sapo kemi dalë nga një izolim, kështu që kjo i ndihmon njerëzit të kenë një moment relaksi” – tha një vizitore, e quajtur Lina Gutierrez.
Shtëpitë me kokë poshtë po shtohen në të gjithë globin gjatë viteve të fundit. Shëtpia e parë e këtij lloji, e njohur si ‘Shtëpia me kokë poshtë e Trassenheide’, u ndërtua në Gjermani në vitin 2008.
Sot e kësaj dite ka disa shtëpi të tilla në Mbretërinë e Bashkuar. E para u hap në Bournemouth në nëntor të vitit 2018 dhe, që nga ajo kohë, shumë atraksione të tjera janë hapur në Milton Keynes, Bristol, Brighton e në shumë vende të tjera.
Për më tepër, jo të gjitha ndërtesat me kokë poshtë janë shtëpi – ka madje edhe një kishë të ndërtuar me kokë poshtë në Vankuver, ndërsa në Wisconsin ndodhet një model i përmbysur i Shtëpisë së Bardhë. / Daily Mail