Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka kërkuar që qytetarët të mos neglizhojnë situatën me banesat e tyre nëse konstatojnë se ato janë të dëmtuara. Sipas saj, askush nuk duhet të qëndrojë brenda nëse vihen re dëmtime dhe nëse nuk është dhënë garanci nga ekspertët përgjegjës që po bëjnë verifikimin në terren. Xhaçka theksoi se fatmirësisht lëkundjet e tokës edhe pse kanë vijuar kanë qenë me magnitudë më të ulët.
“Përpara se të bëj në pasqyrë të punës që kemi bërë e jemi duke bërë, për t’i orientuar më mirë edhe qytetarët, dua të përsëris edhe njëherë thirrjen që kam përsëritur çdo ditë, për qytetarët dhe pushtetin lokal.
Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, siç janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin apo Berat apo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët, sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptarë e të huaj.
Qytetarët duhet ta dinë, që pavarësisht përmasave të tragjedisë, sot jemi në një situatë ku jemi në gjendje të ofrojmë strehim dhe ushqim, veshmbathje e kujdes e mbështetje, për çdo familje e qytetar të prekur.
Ekipet tona janë të pranishëm në të gjithë zonat e prekura nga Durrësi e Thumana e deri në Laç e Lezhë. Më konkretisht, po asistohen banorët në kampingjet e ngritura në: Thumanë, Fushë Krujë, Bubq, Ishëm, Marikaj, Vorë, Kurbin, Laç, Rrogozhine, Kamëz, Durrës dhe Tiranë.
Në total, sipas vlerësimeve paraprake në terren janë mbi 4 mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre. Ky numër, me shumë gjasa do të ndryshojë në orët në vijim. E para, sepse një pjesë e madhe e këtyre familjeve janë qytetarë banesat e të cilëve nuk janë dëmtuar rëndë, por që si pasojë e ankthit e frikës kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë dhe që së shpejti me stabilizimin e situatës do të rikthehen në banesat e tyre.
E dyta, sepse me gjasë shumë banorë që ende sot i nënvlerësojnë dëmtimet e banesave të tyre, pas verifikimit nga ekipet tona, do të pranojnë të zhvendosen duke sjellë sërish një ndryshim të këtij bilanci. Unë dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që ne jemi gati dhe askush nuk do të mbetet në rrugë!
Është duke funksionuar kuzhina fushore në Thumanë e po montohet kuzhina fushore, falë kontributit të Dhomës së Tregtisë së Kosovës, në Bubq duke siguruar kështu mbi 10 mijë vakte të ngrohta për 7 ditë të javës.
Jemi duke bërë gjithçka, për të garantuar çadrat e nevojshme për të përballuar reshjet dhe të ftohtin e dimrit, veçanërisht për familjet në zonat rurale, të cilat nuk duan të shkëputin kontaktet nga bujqësia dhe blegtoria. Që prej orëve të para e deri më sot janë shpërndarë njëmijë çadra dhe të tjera do nisin të shpërndahen. Po komunikojmë me vendet partnere dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për të na asistuar me bazën e nevojshme materiale, por dua ta theksoj, që zgjidhja me çadra është një zgjidhje për në fazë emergjence! Nuk mund e, nuk duhet të jetë një zgjidhje afatgjatë për njëmijëenjë arsye, ku më e rëndësishmja është cilësia e kushteve të jetesës dhe shëndeti i qytetarëve! Prandaj, do të punojmë për t’i larguar banorët nga kampet me çadra e për t’i çuar ata në strehim më të sigurt, siç bëmë që ditën e parë me të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës.
E di që situata psikologjike e shumë familjeve është sot mjaft e rënduar. E mirëkuptoj dhe me shpirt e me zemër i gjendem sot afër çdo familje që ka humbur shtëpinë, që është sot e tronditur e nuk di se çfarë do të bëjë nesër për të rifilluar jetën. Por sot më shumë se kurrë na duhet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi juaj.
E kuptoj që çdokush nga ju do sot, tani, një shtëpi. Por kjo është e pamundur të bëhet sot, brenda ditës. Rikuperimi do të kërkojë kohën e tij sepse dëmet janë masive, nga Durrësi në Thumanë në Laç në Shijak në Bubq në Tiranë. Janë me dhjetëra pallate e qindra e banesa të shkatërruara, me dhjetëra e qindra të tjera që presin të identifikohen. Prandaj duhet durim, bashkëpunim dhe besim” tha Xhaçka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.