Ka filluar ndërtimi i lagjes së parë të shtëpive nëpërmjet printerave 3D, robotikës dhe automatizimit. Kjo po merr jetë në Coachella Valley, Kaliforni, njëkohësisht edhe vendi ku zhvillohet Festivali i famshëm botëror i Muzikës.
Sipas kompanisë së teknologjisë së ndërtimit, Mighty Buildings, procesi i teknologjisë së lartë prodhon 10 herë më pak mbeturina sesa metodat tradicionale të ndërtimit.
Të gjitha nevojat për energji do të sigurohen nga energjia diellore. Pronarët e shtëpive do të kenë mundësinë e instalimit të baterive Tesla Powerwall së bashku me pikat e karikimit të automjeteve elektrike. Nëse kjo do të realizohet sipas projektit, atëherë këto do të jenë ndërtesat me ndikimin minimal në ndotjen e mjedisit.
“Ky do të jetë aktualizimi i parë në terren i vizionit tonë për të ardhmen e strehimit – që do të realizohet shumë shpejt, do të ketë një kosto të përballueshme, do të jetë i qëndrueshëm dhe mbi të gjitha do t’i japë komunitetit përreth një dinamikë pozitive”.
Ku qëndron problemi me ndërtimin konvencional?
Ndërtesat vlerësohet të përdorin rreth 40 për qind të burimeve të botës dhe ndërtimi është një prej burimeve kryesorë të mbeturinave në shumicën e vendeve. Sektori i ndërtimit është gjithashtu përgjegjës për 39 për qind të të gjitha emetimeve të karbonit, sipas Këshillit Botëror të Ndërtimit të Gjelbër. Duke e bërë procesin e ndërtimit të shtëpive më efikas, patjetër që kjo do të ketë ndikim shumë më pozitiv në gjurmën e mëvonshme mjedisore që do të lërë në fushën e kësaj industrie.
“Printimi 3D na lejon të ndërtojmë më shpejt, të prodhojmë materiale më të forta dhe në mënyrë më efikase”, shprehet Basil Starr, Themelues dhe CEO i Palari.
Duke përdorur printimin 3D, kompania Mighty Buildings thotë se procesi i krijimit të këtyre ndërtesave është me emetim “afër zeros” dhe mund të parandalojë deri në 2000 kg emetime CO2 për shtëpi. Kompania ka instaluar tashmë disa nga këto shtëpi në gjashtë muajt e fundit për të siguruar një provë reale të këtij koncepti dhe tani po merr porosi të tjera për zhvillime si ato që do të ndërtohen në Kaliforni.
Teknologjia është përdorur edhe në të kaluarën për ndërtimin e dizajneve unike arkitektonike. Vitin e kaluar filloi aplikimi i kësaj metode në Gjermani. Sipas Mighty Buildings, kjo është hera e parë që kjo teknologji përdoret për të ndërtuar një lagje të tërë. / Euronews.com