Shtetet e Bashkuara dhe Kina bien dakord të bashkëpunojnë me urgjencë mbi krizën klimatike

19/04/2021 10:33 AM 0 komente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, dy ndotësit më të mëdhenj në botë të karbonit, ranë dakord të bashkëpunojnë sa më parë për të frenuar ndryshimet klimatike, vetëm disa ditë para se Presidenti Joe Biden të organizojë një samit virtual të liderëve botërorë për të diskutuar çështjen.

Sipas një deklarate të përbashkët, marrëveshja u arrit nga i dërguari special i SHBA-së për klimën John Kerry dhe homologu i tij kinez Xie Zhenhua gjatë dy ditëve të bisedimeve në Shanghai.

Të dyja shtetet “janë të angazhuara për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me vendet e tjera mbi çështjen e krizës klimatike, e cila duhet të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën që ajo kërkon”, citohej në deklaratën e publikuar të shtunën në mbrëmje sipas orës amerikane.

Duke u takuar me reporterët në Seul të Dielën, z. Kerry tha se gjuha e përdorur në deklaratë është “e forte” dhe se të dyja shtetet ranë dakord mbi “pikat kryesore që duhet të ndryshonin. Por ish-sekretari i shtetit tha: “Unë kam mësuar në diplomaci se ato që duhet të mbështeten janë veprimet dhe jo fjalët. Të gjithë ne duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Kina është emetuesi më i madh i karbonit në botë, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy shtetet emetojnë gati gjysmën e tymrave të karburanteve fosile që po ngrohin atmosferën e planetit. Bashkëpunimi i tyre është çelësi i suksesit të përpjekjeve globale për të frenuar ndryshimin e klimës, por lidhjet e dobëta për të drejtat e njeriut, tregtinë dhe pretendimet territoriale të Kinës ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore janë kërcënimet kryesore për të shkatërruar përpjekje të tilla.

Duke vënë në dukje faktin se Kina është përdoruesi më i madh në botë i qymyrit, z. Kerry tha se ai dhe zyrtarët kinezë patën shumë diskutime se si të përshpejtonin një tranzicion global të energjisë. “Një gjë në të cilën bien dakord njëzëri shumë njerëz është se emetimet e qymyrgurit duhet të reduktohet me patjetër, dhe unë gjithmonë kam rënë dakord me një gjë të tillë”, tha ai.

Su Wei, një anëtar i ekipit negociator kinez, tha për transmetuesin shtetëror CCTV se një arritje e madhe e bisedimeve ishte “rifillimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për çështjet e ndryshimit të klimës”. Z. Su tha se të dyja shtetet arritën një konsensus mbi fushat kryesore për bashkëpunimin e ardhshëm mbi çështjet e klimës.

Biden ka ftuar 40 lidera botërorë, përfshirë Presidentin Kinez Xi Jinping, në samitin e 22-23 prillit. Sh.B.A-jadhe vendet e tjera pritet të shpallin objektiva kombëtarë më ambicioze për uljen e emetimeve të karbonit përpara ose gjatë takimit, së bashku me premtimin e ndihmës financiare për përpjekjet klimatike nga kombet më pak të pasura. Është e paqartë se sa vizita e z. Kerry në Kinë do të promovonte bashkëpunimin SHBA-Kinë për çështjet e klimës.

Ndërsa z. Kerry ishte ende në Shanghai, Zëvendës Ministri i Jashtëm kinez Le Yucheng njoftoi se Kina nuk ka gjasa të bëjë ndonjë premtim të ri në samitin e kësaj jave. “Për një vend të madh me 1.4 miliardë njerëz, këto qëllime nuk realizohen lehtë”, tha z. Le gjatë një interviste me Associated Press në Pekin. “Disa vende po i kërkojnë Kinës të arrijë qëllimet më herët. Kam frikë se kjo nuk është shumë realiste”.

Gjatë një videokonference me udhëheqësit gjermanë dhe francezë, z. Xi tha se ndryshimi i klimës “nuk duhet të bëhet një çip gjeopolitik, një objektiv për të sulmuar vendet e tjera ose një justifikim për pengesat tregtare”, njoftoi Agjencia Zyrtare e Lajmeve Xinhua. Në se z. Xi do të bashkohej me samitin, z. Le tha se “pala kineze po e studion në mënyrë aktive çështjen”.

Deklarata e përbashkët tha se të dyja shtetet “mezi presin” samitin e kësaj jave. Z. Kerry tha se “ne shpresojmë shumë që (Xi) të marrë pjesë” në këtë samit, por i takon Kinës ta marrë atë vendim.

Biden, i cili ka thënë se lufta kundër ngrohjes globale është ndër përparësitë e tij më të larta, e vërtetoi një gjë të tillë që në orët e para të qeverisjes së tij, kur bashkoi sërish Shtetet e Bashkuara të Amerikës me marrëveshjen historike të klimës së Parisit 2015, marrëveshje nga e cila SH.B.A-ja kishte dalë me urdhër të paraardhësit të tij, Donald Trump.

Emetuesit kryesorë të gazrave serë po përgatiten për samitin e ardhshëm të KB, që do të zhvillohet në Glasgow, Mbretërinë e Bashkuar, në nëntor. Samiti synon të rindezë përpjekjet globale për të mbajtur ngritjen e temperaturave globale nën 1.5 gradë Celsius (2.7 gradë Fahrenheit) siç është rënë dakord në marrëveshjen e Parisit.

Sipas deklaratës SHBA-Kinë, të dyja shtetet do të përmirësojnë “veprimet e tyre dhe bashkëpunimin në proceset multilaterale, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës dhe Marrëveshjen e Parisit”.

Ai tha se të dy shtetet gjithashtu synojnë të zhvillojnë strategjitë e tyre përkatëse afatgjata përpara konferencës së Glasgow dhe të ndërmarrin “veprime të përshtatshme për të rritur investimet dhe financat ndërkombëtare në mbështetje të tranzicionit të energjisë në vendet në zhvillim”.

Xi njoftoi vitin e kaluar se Kina do të ishte neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2060. Në mars, Partia Komuniste e Kinës u zotua të ulë emetimet e karbonit për njësi të prodhimit ekonomik me 18% gjatë pesë viteve të ardhshme, në përputhje me objektivin e tij për periudhën pesë vjeçare të mëparshme. Por ambientalistët thonë se Kina duhet të bëjë më shumë.

Biden ka premtuar se SHBA do të kalojë në një sektor të energjisë pa emetime brenda 14 viteve dhe do të ketë një ekonomi tërësisht pa emetime deri në vitin 2050. Z. Kerry po nxit gjithashtu kombet e tjera që të angazhohen për të arritur të njëjtat objektiva deri atëherë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of