• Në dy dekadat e fundit, aksesi në internet është rritur në mënyrë të vazhdueshme.
• Por jo të gjithë janë të lidhur online, përfshirë disa nga ekonomitë më të mëdha në botë.
• Pavarësisht se ka tregun e dytë më të madh online në botë, në Indi, 50% e njerëzve nuk kanë akses në internet.
Nga do të vijnë 1 miliard përdoruesit e ardhshëm të internetit?
Aksesi në internet është rritur në mënyrë të vazhdueshme me kalimin e viteve, duke u dyfishuar që nga viti 2010.
Pavarësisht përdorimit të gjerë, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë globale ende nuk është e lidhur me internetin, dhe në zona të caktuara të botës, numri i njerëzve pa akses online është në shifra të larta.
Duke përdorur të dhënat nga DataReportal, ky grafik tregon se cilat rajone kanë numrin më të madh të njerëzve pa lidhje interneti. Gjithashtu do të analizojmë pse disa rajone kanë shifra të ulëta dhe do të shohim se cilat vende kanë përjetuar më shumë rritje në vitin e fundit.
10 vendet me numrin më të madh të personave pa akses online
Pjesa më e madhe e shteteve me shkallë më të ulët të aksesit në internet jetojnë në Azi dhe Afrikë. Më poshtë renditen 10 vendet me numrin më të madh të njerëzve që nuk janë të lidhur online:
Pavarësisht se ka tregun e dytë më të madh online në botë, India ka edhe numrin më të madh të njerëzve pa akses online. 50% e popullsisë së vendit ende nuk është e lidhur me internetin – për krahasim, vetëm 14% e popullsisë amerikane nuk ka lidhje online. Duket qartë se India ka një potencial të pashfrytëzuar.
Kina zë vendin e dytë, me mbi 582 milionë njerëz që nuk janë të lidhur me internetin. Kjo, pjesërisht për shkak të përqindjes së lartë të popullsisë rurale – në vitin 2019, 39% e popullsisë së vendit jetonte në zona rurale.
Hendeku në aksesin online midis Kinës rurale dhe urbane është domethënës.
Kjo u bë e qartë gjatë ndjekjes së mësimeve online si përgjigje ndaj pandemisë. Në një kohë kur një e treta e fëmijëve të shkollave fillore, të cilët jetonin në zona rurale, nuk ishin në gjendje të hynin në klasat e tyre online, vetëm 5.7% e banorëve të qytetit nuk kishin mundësi të regjistroheshin.
Është e rëndësishme të theksohet se ndarja rurale-urbane është një problem që ekziston në shumë shtete, jo vetëm në Kinë. Edhe vende si SHBA luftojnë për të siguruar akses online në zonat rurale të largëta ose të izoluara.
10 vendet me nivelin më të ulët të aksesit online, në raport me popullsinë
Megjithëse India, Kina dhe Pakistani kanë numrin më të madh të njerëzve pa akses në internet, ekzistojnë vende që janë edhe më të shkëputura.
Më poshtë renditen 10 vendet me nivelin më të ulët të aksesit online, në raport me popullsinë:
10 vendet me nivelin më të ulët të aksesit online, në raport me popullsinë
Ekzistojnë arsye të ndryshme pse këto rajone kanë një përqindje të lartë të njerëzve pa lidhje interneti – disa janë politike, siç është rasti i Koresë së Veriut, ku vetëm disa njerëz të përzgjedhur mund të kenë akses online. Qytetarët e zakonshëm e kanë të ndaluar të përdorin internetin global, por kanë qasje në një rrjet vendor të quajtur Kwangmyong.
Arsye të tjera janë financiare, siç është rasti i Sudanit të Jugut. Ky vend është përballur me konflikte civile dhe vështirësi ekonomike për vite të tëra, gjë që ka shkaktuar përhapjen në masë të varfërisë. Është edhe problemi i mungesës së infrastrukturës – vetëm 2% e vendit kishte akses në energji elektrike në vitin 2020, gjë që shpjegon pse kaq pak njerëz kanë akses online.
Në rastin e Papua Guinesë së Re, arsyeja për përqindjen e ulët të përdoruesve të internetit, mund të jetë popullsia masive rurale – 80% e popullsisë jeton në zona rurale, me pak ose aspak lidhje me jetën moderne.
Rajonet me rritjen më të shpejtë
Teksa përparimet në internet si teknologjia 5G po përshpejtohen në rajone të caktuara dhe nuk tregojnë shenja ngadalësimi, duhet ende një rrugë e gjatë derisa të arrihet një lidhje globale.
Pavarësisht rrugës së gjatë përpara, hendeku po mbyllet, dhe tregjet më parë të pashfrytëzuara po përjetojnë rritje të konsiderueshme. Më poshtë janë paraqitur pesë rajonet me rritjen më të shpejtë:
Afrika ka përjetuar një rritje të konsiderueshme, kryesisht për shkak të një rritjeje masive të përdoruesve të internetit në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) – në vitet 2019 dhe 2020, ku numri i përdoruesve online në vend u rrit me 9 milionë (+ 122%). Kjo rritje është lehtësuar nga organizatat jofitimprurëse dhe kompanitë si Facebook, të cilat kanë investuar shumë në zhvillimin e lidhjes online në Afrikë.
India gjithashtu ka pasur një rritje të konsiderueshme – mes viteve 2019 dhe 2020, numri i përdoruesve të internetit u rrit me 128 milionë (+ 23%). Nëse këto vende vazhdojnë të rriten me ritme të ngjashme, ku i dihet si do të jetë ndarja e përdoruesve të internetit në vitet e ardhshme?
Burimi: World Economic Forum