Flet z. Ilir Saliaj, Presidenti i Big Market
Nisi si një zinxhir i vogël supermarketesh 20 vjet më parë, ndërsa sot Big Market është rrjeti më i madh i tregtimit në njësitë e specializuara në vend. Kompania ka sot mbi 2,000 të punësuar dhe mbi 110 pika tregtimi në gjithë vendin. Por, Z.Ilir Saliaj, Presidenti i Big Market, pohon se ky është një biznes i vështirë.
Informaliteti është i lartë, normat e fitimit janë tepër të ulëta, fuqia blerëse e konsumatorëve po vjen në rënie. Teksa në rrjetet e supermarketeve tregtohen më shumë mallra importi, Saliaj thotë se shteti duhet të nxisë industrinë e përpunimit drejt eksporteve në këtë fushë, pasi kompanitë nuk kanë leverdi të prodhojnë vetëm për tregun vendas, dhe produktet e importit janë shumë konkurruese.
Vetë grupi ka në plan të investojë në prodhimin e produkteve që i shërbejnë firmës, duke shfrytëzuar burimet e vendit. “Po shohim konkretisht për ndonjë fabrikë uji, apo për produkte të tjera, për të cilat jemi ende në fazën e ideimit. Megjithatë, orientimi do të jetë gjithmonë në industrinë përpunuese”, thotë Saliaj.
Viti 2018, ashtu si dhe vitet e mëparshme, ka qenë me një rritje të kënaqshme, falë edhe emrit të krijuar dhe numrit të pikave në rritje. Ecuria pozitive lidhet edhe me politikat që ne zgjodhëm në vitin 2018, që na rezultuan shumë efikase. Ne vijuam zgjerimin me pika të reja si për shembull në Korçë dhe në Elbasan, të cilat sollën rezultate pozitive. Një rëndësi të veçantë u kemi dhënë edhe burimeve tona njerëzore me rekrutime cilësore dhe trajnime, si dhe shërbimit të klientit, të cilat kanë dhënë efekte të menjëhershme. Nga ana tjetër, kemi qenë konkurrues në çmimet finale për konsumatorët, nëpërmjet optimizimit të procesit të blerjeve dhe menaxhimit të procesit të shitjes. Struktura organizative është bërë më eficiente, duke rezultuar në një aktivitet më të zgjeruar dhe më fitimprurës.
Duke qenë se jeni të përqendruar në aktivitetin e tregtisë me pakicë, sa vlerësoni se ka ndikuar emigracioni në mallrat e konsumit?
Ne nuk kemi ndier ndonjë ndikim të madh specifikisht nga emigracioni si rënie të volumit total të shitjes, madje mund të them se kemi vazhduar me rritjen. Por, kemi konstatuar në fakt një rënie të fuqisë blerëse familjare dhe orientim drejt mallrave të shportës bazë.
Emigracionin e kemi ndier dhe te burimet njerëzore, pasi është më e vështirë që të gjesh personel të kualifikuar dhe njerëz që kanë dëshirë të punojnë dhe të jenë të qetë në vetvete, pasi janë në dilemë nëse do të rrinë në Shqipëri apo do të ikin.
Tendenca e personelit për të ikur, sa ju ushtron presion te pagat?
Politikat e pagave dhe stafit i kemi pasur gjithmonë tërheqëse, pasi kemi investuar shumë te burimet njerëzore, duke i rishikuar herë pas here pagat. Tendenca e personelit për të ikur nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me nivelin e tyre të të ardhurave, ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë. Dy vitet e fundit, ne kemi bërë sigurim shëndetësor privat për të gjithë personelin. Qëndrimi mesatar i një punonjësi tek ne është më shumë se një vit.
Si e shpjegoni që në supermarkete ka më shumë mallra importi dhe pak prodhime vendi?
Industria ushqimore tek ne është e pazhvilluar. Janë ngritur kryesisht disa fabrika qumështi, të cilat paraqiten më mirë në krahasim me industritë e tjera. Në fakt, tregu shqiptar është relativisht i vogël dhe konsumi është i ulët. Shteti duhet të nxisë industrinë e përpunimit drejt eksporteve në këtë fushë, pasi kompanitë nuk kanë leverdi të prodhojnë vetëm për tregun vendas, dhe produktet e importit janë shumë konkurruese.
P.sh., nëse do të prodhoheshin biskota, produktet italiane e mbysin tregun vendas, pasi çmimet janë konkurruese, por edhe gama është shumë e gjerë. Vetëm eksporti do të nxiste zhvillimin e industrisë përpunuese. Kosova dhe Maqedonia janë shumë më përpara se ne në këtë drejtim. Politikat qeveritare duhet të jenë pak më stimuluese për biznesin prodhues.
A keni konstatuar rritje të konsumit nga shtimi i turistëve?
Nuk kemi parë ndonjë ndikim të ndjeshëm. Në disa nga pikat tona që janë në bregdet ka një rritje, por më shumë ka qenë në linjë me të gjithë rrjetin tonë, sesa nga turistët. Ka shumë dyqane që shërbejnë, industria e hoteleve, restoranteve, kafe (HORECA) është e zgjeruar. Nga informacionet që ne kemi marrë, ky vit nuk ka qenë shumë i mirë dhe për sektorin e HORECA në përgjithësi, ka pasur një rënie prej 10-15%. Më mirë kanë punuar zona në Durrës, ndërsa Vlora, Saranda, Shëngjini na rezultojnë me rënie.
Sa ju pengon informaliteti në biznesin tuaj dhe si ka qenë tendenca e tij, në ulje apo në rritje?
Informaliteti është shumë i madh nga ana e biznesit. Sa të bjerë pak presioni nga ana e institucioneve për kuponin tatimor, informaliteti rritet me shpejtësi. Kjo gjë sjell ndikim shumë negativ te biznesi i shëndoshë, që punon me fatura të rregullta.
Së fundmi, duke pasur parasysh dhe situatën politike, shohim që ka pasur një tendencë në rritje të informalitetit. Kjo po dëmton të gjithë ekonominë.
Ulja e pragut të TVSH-së e rriti apo e uli informalitetin?
Për mua, biznesi duhet të funksionojë si në vendet e Bashkimit Europian, të gjithë në skemën e TVSH-së, të gjithë duhet të paguajnë taksa. Ashtu siç blihet me TVSH, duhet të shitet me TVSH. Nuk kemi nevojë që të shpikim formula elektorale. Të gjithë të taksohen mbi atë xhiro që bëjnë. Kjo do të ishte zgjidhja më e ndershme dhe më konkurruese.
Sipas INSTAT, shqiptarët konsumojnë 42% të shpenzimeve për ushqime. Në linjën tuaj, cilat janë produktet me ecurinë më të mirë dhe më të dobët?
Ato që ecin më shumë janë ushqimet bazë të shportës, vaj, sheqer, oriz, makarona, qumësht, bulmet. Këto produkte ne i tregtojmë me një marzh pothuajse zero. Në vendet e tjera konsumohen shumë dhe produktet gjysmë të gatshme, por në Shqipëri nuk kemi një trend të tillë. Kemi provuar disa herë që t’i fusim edhe vetë këto produkte, edhe përmes kompanive, por konsumatorët vendas kanë kohë të lirë të gatuajnë dhe gatimin e kanë edhe si një mënyrë kursimi. Disa kompani që kanë tentuar të fusin këto produkte, kanë dështuar.
Pjesa më e madhe e konsumatorëve tentojnë të blejnë makarona të lira. Ka dhe nga ata që duan të shtrenjta, por janë shumë pak, raporti është më i zhdrejtë te ne. Ne importojmë dhe sallame të thatë nga Italia e produkte të tjera më të shtrenjta, por ato konsumohen shumë ngadalë. Produktet e luksit nuk kanë treg në Shqipëri. Edhe te xhepat e shqiptarëve ndihet se ka një lloj stepjeje në konsum, nuk është më ai optimizmi i blerjeve.
Normat e fitimit janë minimale, për shkak të diferencës së ulët në blerje e shitje dhe informalitetit. Në raport me rajonin, konsumi tek ne është më i ulët. Në Mal të Zi e Maqedoni, ekonomia është shumë më e formalizuar në raport me ne, punojnë supermarketet e mëdha dhe ka pak dyqane të vogla. Te ne ka një shpërndarje shumë të madhe të dyqaneve të vogla, çka ndikon në normat e fitimit. Ne arrijmë të mbajmë fitim të qëndrueshëm, për shkak të zgjerimit të vazhdueshëm, që na ndihmon në ekonominë e shkallës.
A keni në plani të diversifikoni aktivitetin dhe të investoni në vend?
Po, kemi në plan të investojmë në prodhimin e produkteve që i shërbejnë firmës sonë, duke shfrytëzuar burimet e vendit. Po shohim konkretisht për ndonjë fabrikë uji, apo për produkte të tjera, për të cilat jemi ende në fazën e ideimit. Megjithatë, orientimi do të jetë gjithmonë në industrinë përpunuese.
Çfarë mund të bëjë shteti për të nxitur këtë sektor, pasi aktualisht nuk ka interes nga sipërmarrjet për të investuar…
Përvoja e eksploruar prej shumë vitesh në shtetet e Bashkimit Europian dhe rajonit është se shteti i ka nxitur dhe ndihmuar këto industri. Këtu institucionet nuk janë bashkëpunuese, me përjashtim të Tatimeve, që janë përmirësuar së fundmi, të tjerat më shumë na hapin pengesa gjatë aktivitetit të biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.