Shteti ku nuk mbahen maska

30/10/2020 10:08 PM 0 komente

Mësimet e vërteta që mund të nxjerrim nga qasja e Suedisë ndaj Covid-19. Suedia mbahet si kampione e lirisë. Në fakt, është shtëpia e pragmatizmit

 

Kur përdor si shembull një vend të vogël për të mbështetur argumentin tënd, avantazhi është se kundërshtarët e tu nuk kanë gjasa të dinë se çfarë po ndodh me të vërtetë atje, shkruan The Economist.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Suedia, me 10.3 milionë banorë, është bërë një shembull mjaft i cituar në debatin se si duhet të përballen shtetet me Covid-19. Ideja e gjerë është se suedezët liridashës po ndjekin një strategji pa maska, pa karantinë, që do të krijojë imunitet në masë pa falimentuar ekonominë. Konservatorët thonë se suksesi i Suedisë e hedh poshtë strategjinë e mbrapshtë të krahut të majtë që duan vetëm të urdhërojnë njerëzit dhe të mbyllin gjithçka.

Ne në fakt mund të nxjerrim mësime nga Suedia – por ato nuk kanë shumë lidhje me lirinë, por më tepër me përdorimin e shkëmbimeve për të gjeneruar kohezion të qëndrueshëm social. Ky shtet është një shembull i çuditshëm për t’u marrë si model nga adhuruesit e qeverisë së vogël. Herën e fundit kur Suedia ndoqi individualizmin e skajshëm, politika shoqërore ishte në duart e burrave që shkonin në punë me anije të gjata. Sot, Suedia është një fener progresiv, që renditet i shtati në listën e OECD-së për shpenzimet shoqërore – edhe përpara Gjermanisë.

Tifozët e Suedisë kanë të drejtë kur vënë në dukje se në fazën e parë të sëmundjes, qeveria ndikoi fare pak. Megjithëse i ndaloi grupimet e mëdha dhe publikoi shumë këshilla shëndetësore, ajo e refuzoi karantinën totale. Por kjo nuk ishte një qasje veçanërisht e suksesshme.

Suedia ka një shkallë vdekshmërie rreth 60 për 100,000 banorë, dhjetë herë më të madhe se ajo e Finlandës dhe Norvegjisë, të cilat u karantinuan. Liria e suedezëve nuk e kurseu ekonominë, edhe pse shumë të vdekur ishin të moshuar që nuk punonin më. Vetëm në tremujorin e dytë, prodhimi u tkurr me 8.3% – më tepër se në vendet e tjera nordike. Një ngarkesë e lartë është e keqe për ekonominë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga Britania, Franca dhe Spanja, Suedia nuk ka përjetuar ende një valë të dytë. Sidoqoftë, edhe nëse e lëmë mënjanë faktin se rastet në Qarkun e Stokholmit janë katërfishuar në shtator (në terma absolutë, ato janë ende të ulët), strategjia e re e Suedisë për fazën e dytë konvergjon me atë të Gjermanisë.

Në kundërshtim me disa pretendime, kjo nuk varet nga imuniteti në masë – Suedia ende ka një popullsi të madhe njerëzish në pozitë të brishtë. Përkundrazi, kjo përfshin testimin e shpejtë dhe gjurmimin e kontakteve në shkallë të gjerë, në mënyrë që të identifikohen dhe izolohen herët rastet. Kjo shoqërohet me një mesazh të qartë, të qëndrueshëm, i cili respektohet sepse u jep njerëzve autonomi. Këto janë blloqet e strategjive të suksesshme anti-Covid-19 kudo në botë.

Politika suedeze nuk është liridashëse, por qeveria i peshon mirë përfitimet e secilit kufizim. Për shembull, kur dikush rezulton pozitiv, e gjithë familja e personit duhet të hyjë në karantinë, por nxënësit e shkollës përjashtohen nga ky rregull – sepse, sipas qeverisë, përfitimet nga izolimi i tyre tejkalohen nga dëmi i përhershëm i arsimimit të tyre. Po kështu, karantina zgjat pesë deri në shtatë ditë, krahasuar me dy javë në vendet e tjera. Rreziku i përhapjes së Covid-19 në javën e dytë, është më i vogël, por dëmtimi i shëndetit mendor të izolimit të zgjatur, rritet.

Suedia është një shoqëri me besim të lartë, ku njerëzit i ndjekin rregullat. E megjithatë, qasja bazohet në idenë se, duke qenë se Covid-19 do të jetë i pranishëm për një kohë të gjatë, nëse njerëzve u kërkohet shumë, ata mund të mos u binden urdhrave me kalimin e kohës dhe kështu mund të përhapet sëmundja. Shoqëritë me besim të ulët mund të kenë nevojë për një ekuilibër tjetër midis detyrimit dhe vetë-policimit, por edhe ato kanë nevojë për rregulla të qëndrueshme.

Po maskat? Mbështetësit e Suedisë pretendojnë se turmat pa maska në Stokholm janë provë e lirisë së saj. Por kjo nuk është baza e politikës suedeze. Ekspertët qeveritarë argumentojnë se provat që maskat ndihmojnë në parandalimin e virusit janë të dobëta dhe se masat e tyre të tjera funksionojnë mirë. Në këtë drejtim, Suedia nuk është në linjë me vendet e tjera. Nëse sëmundja vazhdon të përhapet, kjo mund të ndryshojë. Mbi të gjitha, politika e Suedisë bazohet në prova dhe pragmatizëm, jo në parimin e verbër.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of