Gazeta “Shqip”, Ard Kola/Fatet e kompanisë CEZ duket se janë shkruar. Çuditërisht, kompania lider në rajon dhe te një pjesë e Europës, në sektorin energjetik, po dorëzohet para autoriteteve shqiptare, për shkak të gjendjes së vështirë financiare. Prej disa ditësh, zyrtarë të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) janë duke shqyrtuar së bashku me drejtuesit e CEZ situatën në disa drejtime, por pavarësisht “dëshirës” për zgjidhje, duket se alternativa e vetme është rishikimi i raporteve mes shtetit dhe privatit në kontrollin e aksioneve. Kjo shikohet si zgjidhja më e mirë për ERE-n, por që më parë do të kërkojë kohë për verifikimin e të dhënave.
Sakaq, burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (pronari shtet) thonë për gazetën “Shqip”, se po shqyrtohet ndryshimi i kontratës për të vendosur të tjera ekuilibra në drejtimin e CEZ Shpërndarje (ish-OSSH, degë e KESH-it).
Aktualisht, shteti shqiptar ka 24 për qind të aksioneve, kurse pjesa tjetër zotërohet nga CEZ Group, me qendër në Pragë, të cilët e blenë kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, në maj 2009, për rreth 102 milionë euro. Ajo çfarë po shqyrtohet është gjetja e një zgjidhjeje për fatin e kompanisë CEZ, e cila menaxhon sistemin e shpërndarjes. Mbledhja e ERE-s për të vendosur heqjen e licencës është shtyrë për në datë 22 tetor, por duket se palët po studiojnë një rrugë të mesme. Jo largim të CEZ-it nga Shqipëria, por zotërimin nga ana e shtetit të pjesës dërrmuese të aksioneve.
Burime konfidenciale të ERE-s pohuan për “Shqip” se, shteti mund të marrë 51 për qind të aksioneve, kurse 49 për qind t’i mbajë kompania çeke, CEZ. Po si mund të realizohet kjo? “Aktualisht, qeveria shqiptare është duke blerë energji elektrike me paratë e taksapaguesve të saj, pasi vendosi vlerën e garancisë për rreth 7 miliardë lekë. Natyrisht, vendimi sqaron se këto para duhet t’i faturohen CEZ-it, pasi importet janë detyrim i saj, por në rast pamundësie financiare dhe vijim raportimesh me humbje, atëherë do të shikohet si zgjidhje ndryshimi i paketës kontrolluese tek aksionet. Zgjerimi i aksioneve për shtetin shqiptar nuk do të kenë çmim, në aspektin e blerjes, pasi sakaq, buxheti po paguan fatura, të cilat janë detyrim i CEZ-it për importet, por nga ana tjetër pasojat nga gjyqet ndërkombëtare pritet të jenë të konsiderueshme.
Pikërisht, këtu është përqendruar puna e ERE-s, të minimizojë dëmet anësore nga prishja e kontratës dhe këtu futet në lojë Banka Botërore. Ky institucion hyri garant në vitin 2009, se mes shtetit shqiptar dhe kompanisë çeke do të ketë respektim të kontratës së privatizimit. Si dëshmi i garancisë, pranë BB-së, qeveria shqiptare depozitoi shumën e 50 milionë eurove, të cilat shkojnë për llogari të CEZ-it në rast se prishet kontrata. ERE po luan me kujdes që depozita te BB-ja të mos preket në atë nivel pasojë për buxhetin e shtetit. Tashmë në negociata mes shtetit dhe kompanisë ka hyrë edhe BB-ja, e cila duhet të japë qëndrimin e saj rreth alternativës më me pak kosto për palët.
Tjetër merak për ERE është penalizmi në gjykatat ndërkombëtare. Këtu duket se dosja e CEZ-it ndaj shtetit shqiptar është voluminoze, por edhe ERE garanton se ka plot fakte kundër çekëve për mosrespektim të kontratës. Sa i takon kompanisë britanike, takimet me zyrtarët e entit rregullator nga kanë nisur ende.
Tre janë shkaqet që mund të shtyjnë ERE t’i heqë licencën CEZ-it: investimet, kontrata për importet dhe humbjet në rrjet.
Operatori me pronësi çeke, nuk u është përmbajtur planeve të tij për të investuar, që kishte paraqitur në momentin që bleu nga qeveria shqiptare Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë (OSSH). Për vitin 2011, realizimi i këtij plani ishte vetëm 39%, sipas deklarimeve të CEZ-it. Plani fillestar i investimeve për vitin 2011 ishte 4,896,000,000 lekë dhe zbatimi i tij lidhej me rishikimin e parametrave rregullatorë nga ana e ERE-s në përputhje me Deklaratën Rregullatore. Për vitin 2012, ERE thotë se investimet paraqiten në nivelin e 0.7 për qind e 6.5 miliardë lekëve të miratuar për realizim. Pra, situata sa vjen dhe përkeqësohet.
CEZ nuk respektoi kontratat e KESH-it për të importuar energji elektrike, duke e detyruar qeverinë shqiptare të lejojë KESH të importojë direkt dhe duke e detyruar qeverinë të lëshonte një garanci prej rreth 50 milionë eurosh, që kanë bërë që vendi të kapërcejë limitin e caktuar me ligj për borxhin publik në 60 për qind të PBB-së. Dhe së treti, CEZ nuk ka respektuar grafikun për nivelin e humbjeve, të cilat duhet të ishin 23 për qind, por që së fundmi, sipas INSTAT kanë arritur afër 50 për qind. Largimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë do të përbënte një rast të paprecedentë në Shqipëri, të ikjes së një investitori me përmasa të tilla.
Detyra kryesore e ERE është minimizimi i efekteve anësore në dëm të palës shqiptare për shkak të kontratës
Raporti
KESH ose OST-ja, “pronaret” e reja?
Aktualisht qeveria shqiptare zotëron 24 për qind të aksioneve, kurse pjesa tjetër i takon CEZ Group, me seli qendrore në Pragë, të blerë më 2009-n për 102 milionë euro. Ajo çfarë shikohet si zgjidhje opsionale është rishikimi i aksioneve, ku shteti të merrte 51 prë qind, kurse CEZ 49 për qind. Kontrolli i shtetit te kompania CEZ Shpërndarjes, ish-OSSH, mund të kryhet përmes kompanive KESH dhe OST, kompani ku shteti i zotëron 100 për qind.
Shifrat
60 milionë – Garancia e vendosur nga pala shqiptare për respektimin e kontratës vlen 60 milionë dollarë, që në rast se shkelet, shkon në xhep të CEZ-it
102 milionë – Kompania CEZ e bleu OSSH-në në maj të vitit 2009, për shumën 102 milionë euro, duke zotëruar një peshë te aksionet në masën e 76 për qind
Qëndrimet
Drejtoresha për Europën Juglindore pranon situatën e rënduar. Kërkon kujdes
BB: Privatizimi i CEZ Shpërndarje, Zhgënjim, po shikohet disa opsione
Në një intervistë për “Top Channel”, dhënë para disa ditësh, në kuadër të 20-vjetorit të marrëdhënieve me shtetin shqiptar, drejtoresha e lartë e bankës, Jane Armitage, shprehet e zhgënjyer, veçanërisht nga procesi i privatizimit.
“Procesi ka qenë shumë zhgënjyes. Sidomos për rezultatet që prisnim nga ky privatizim, në përmirësim të shërbimit për qytetarët, sigurisë së furnizimit me energji me çmim të përballueshëm dhe cilësi, si dhe në reduktimin e humbjeve. Humbjet janë të mëdha. Njerëzit nuk faturohen, por edhe kur faturohen nuk paguajnë dhe nuk ka asnjë veprim. Ne prisnim shumë më tepër investime dhe rezultate pozitive. Tani situata është shumë delikate. Ka negociata që po kryhen mes qeverisë dhe kompanisë private dhe ne inkurajojmë të gjendet një zgjidhje”.
Në negociata mes palëve po shqyrtohen disa skenarë mes të cilëve edhe zgjidhja e mundshme e privatizimit.
“Unë nuk dua të komentoj për këtë tani, por sigurisht është një opsion që po diskutohet. Është pak herët për të folur, por ajo që dua të theksoj është se kemi të bëjmë një situatë shumë serioze dhe të gjitha opsionet duhet të shqyrtohen për të parë kostot dhe përfitimet e çdo zgjidhjeje”, deklaroi Armitage.
Qeveria dhe Banka Botërore kanë filluar të punojnë për t’i paraprirë çdo situatë apo skenari të ardhshëm.
“Qeveria na ka kërkuar që të bëjmë një projekt urgjent, për të cilin sapo kemi filluar të punojmë me qëllim që të ndihmojmë Shqipërinë të sigurojë importet e energjisë për muajt e ardhshëm, por gjithashtu të shikojmë disa nga problemet kryesore të sektorit dhe të punojmë për t’i zgjidhur ato. Pra është shumë zhgënjyese dhe ne duam që të punojmë nga afër me qeverinë të shohim nëse mund t’i përmirësojmë gjërat”, përfundoi drejtoresha e Bankës Botërore.
“Zgjidhja e kontratës? Nuk dua ta komentoj tani, por sigurisht është një opsion që po diskutohet”
Urgjent! – “Qeveria na ka kërkuar që të bëjmë një projekt urgjent, për të cilin sapo kemi filluar të punojmë me qëllim që të ndihmojmë Shqipërinë”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.