Për shkak të shtimit të rasteve të reja me koronavirus, brenda javës Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet në spital Covid2.
Nisur nga situata aktuale e rritjes së rasteve të infektuar me SARS COV2 dhe pas konsultimit me Komitetin Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu deklaroi se, “Shefqet Ndroqi” është i përgatitur për të trajtuar pacientët me Covid-19, pasi ka strukturë të dedikuar, kapacitete të shtuara sa i përket terapisë intensive dhe ekip profesionist dhe me përvojë për trajtimin e të prekurve nga Covid-19.
“Pas diskutimeve me Komitetin e Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë kemi vendosur që së shpejti, brenda pak ditësh, do të rihapim si spital Covid2, Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Kemi zgjedhur të ndjekim këtë skenar, pra rihapjen e “Shefqet Ndroqnit” si spital Covid-2 për disa arsye. Për arsye të kapaciteteve, të infrastrukturës të dedikuar që ky spital ka, të ekipit të specializuar që ky spital ofron dhe eksperiencës dhe ekspertizës që ka fituar edhe përgjatë fazës së parë, kur ky spital ishte i dedikuar për trajtimin e pacientëve me Covid”, tha Manastriliu.
Shërbimet dhe pacientët e këtij spitali, së bashku me një pjesë të stafit do të zhvendosen në një pavion të dedikuar tek ish-Kirurgjitë në QSUT.
Aktualisht janë duke u kryer proceset e fundit të transferimit të pacientëve dhe shërbimeve të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” tek spitali “Nënë Tereza”, ku do të kenë pavion të dedikuar në shërbimin e ish-kirurgjisë, ndërkohë që rreth 125 shtretër në këtë strukturë do të jenë të dedikuara për pacientët me Covid-19.
Pas spitalit Covid2, janë në dispozicion edhe spitalet Covid3 dhe Covid4, me një kapacitet rreth 500 shtretër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.