Nga dy spitalet Covid janë të lirë rreth 40-50 shtretër. Nisur nga situata dhe rastet në rritje dita-ditës, spitali Covid3 do të hapet brenda kësaj javë, këtë deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ku sëbashku me kryeministrin Rama inspektuan ambientet e këtij spitali.
COVID3 është përshtatuar në strukturat e ish-Kirurgjive, dhe ka një kapacitet prej 150 shtretër.
“Janë 150 shtretër në këtë strukturë e dedikuar për pacientët me Covid19, ku ka gjithashtu edhe një njësi reanimacioni për pacientët që do të ketë nevojë. Sipas protokollit që ka përcaktuar shërbimi infektiv çdo gjë është vendosur dhe është gati. Janë pajisur dhomat me monitorë, respiratorë dhe linjat e oksigjenit”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të spitalit Covid3, Manastirliu tha se aktualisht janë 40-50 shtretër të lirë në dy strukturat Covid1 dhe Covid2, dhe pas ezaurimit të tyre, do të hapet edhe Covid3.
“Ne të dyja strukturat Covid kemi 40-50 shtreter të lirë. Por duke parë trendin e rasteve në rritje mendojmë brenda javës të hapim edhe Covid3. Ndërkohë që kemi dhe Covid4 me rreth 100 shtretër i cili dhe ai është gati. Doktorët dhe infermierët janë gati për të filluar në çdo moment që do të jetë e nevojshme”, tha Manatirliu.
Shefja e spitalit Infektiv Prof. Najada Çomo tha se pacientët në Shqipëri trajtohen sipas protokolleve mjekësore të njejta si kudo në botë dhe ofrohet falas.
“Ne kemi gjithçka që thuhet në botë, të gjitha protokollet e nevojshme. Së fundimi edhe me remdesivirin. Çfarë është shkruar në protokollet e botës e kemi edhe ne. Pacientët janë duke e marrë, duke e ofruar falas 100%, sikurse janë ofruar të gjitha barnat e tjera që janë shkruar në protokolle. Të gjitha barnat ne i përdorim atehërë kur duhet”, tha prof. Çomo.
Spitali COVID3 do të jetë në administrim të spitalit Infektiv në përgjigje të fluksit të shtuar të pacientëve me COVID19.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.