“Shtohen” dentistët në Shqipëri, në më pak se një vit licencohen 50% më shumë

02/01/2020 2:00 PM 0 komente

Në më pak se një vit (9 muaj) regjistrit të mjekëve stomatologë të licencuar i janë shtuar edhe 710 mjekë stomatologë të rinj. Në fillim të vitit 2019, në listën e publikuar online nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ishin të regjistruar 1,453 mjekë stomatologë, ndërsa në fund të vitit në regjistrin online gjendeshin 2163 mjekë, apo rreth 49% më shumë se në fillim të 2019-s. Tashmë për çdo 100 mijë banorë në Shqipëri, ka rreth 76 mjekë stomatologë, duke u përafruar kështu me mesataren europiane të mjekëve stomatologë, prej 77 mjekësh për 100 mijë banorë. Në Europë, vendet me numrin më të lartë të mjekëve stomatologë janë Greqia me 123 dentistë për 100 mijë banorë, Bullgaria me 112 dentistë për 100 mijë banorë dhe Qipro me 104 mijë dentistë për 100 mijë banorë, sipas të dhënave nga Eurostat. Në vende si Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Austri, numri i dentistëve për 100 mijë banorë varion nga 50 deri në 60 dentistë. Numri më të ulët të dentistëve këtë vit e ka Polonia me 33 mjekë stomatologë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Malta me 47 dhe Sllovakia me 50. Ndërsa në regjistrin e ndihmës stomatologëve janë të regjistruar rreth 53 mjekë stomatologë. Në Europë mungojnë 150 mijë dentistë Komisioni Europian ka vlerësuar se në sektorin shëndetësor deri në vitin 2020 do të ketë vende vakante për: 230 mijë mjekë, 150 mijë dentistë, farmacistë dhe fizioterapistë, 590 mijë infermierë. Shkak kryesor i mungesës së mjekëve dhe profesionistëve të specializuar është plakja e popullsisë së BE-së, pasi pjesa më e madhe tyre po dalin në pension. Dentistët shtohen, por 50% e shqiptarëve nuk kanë para që të shkojnë te dentisti Kujdesi për shëndetin oral është i rëndësishëm, edhe pse 50% e shqiptarëve kanë deklaruar në Anketën e Cilësisë së Jetës të Komisionit Europian se nuk kanë shkuar te dentisti për të kursyer para. 34% e të pyeturve në Shqipëri kanë deklaruar se nuk kanë shkuar në kohën e duhur te mjeku stomatolog, ndërsa 16% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar fare te dentisti. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Bashkimin Europian. Ndryshe nga Shqipëria, rezultatet e anketës treguan se kujdesi ndaj shëndetit oral është më i lartë. Në Malin e Zi, kanë deklaruar se kanë vonuar vizitën 18%, ndërsa që nuk kanë shkuar fare 12% e të anketuarve, po aq dhe në Maqedoni.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of