Alban Zusi, sipërmarrës në industrinë e përpunimit të peshkut dhe zorrëve, tregon për “Monitor” se “kam në plan të investoj në linja të reja përpunimi”. Me një investim që do të jetë mes 300-400 mijë eurove, ai parashikon të dyfishojë numrin e të punësuarve në ndërmarrje. Aktualisht në fabrikën në Lezhë ka 80 punëtorë.
Edhe për prodhuesit e pijeve, 2012-a do të thotë rritje. Sigurisht kjo nuk vjen nga ndonjë rritje e papritur e kërkesës konsumatore, ndërkohë që në treg janë disa operatorë të mëdhenj të prodhimit të birrës. Faktorë për rritjen janë investimet. Në kompaninë “Stefani & Co”, investimet parashikohet të rriten deri në 12%. Sipas sipërmarrësit Stefan Pinguli, investimet do të shkojnë për teknologji përpunimi dhe rritjen e kapacitetit të prodhimit. Me këto investime, por edhe ato të bëra një vit më parë, prodhimi i birrës “Stela” pritet të rritet 15%. Rritjen më të madhe të aktivitetit, z. Pinguli pret ta shohë në kompleksin e shërbimeve e argëtimit “Te Stela”. I ngritur në shërbim të birrës, ky kompleks ka marrë vlerat e një biznesi më vete me shërbime restoranti, pishina etj.
Rritje të prodhimit presin të gjitha sipërmarrjet që investuan dukshëm vitin e kaluar. Përfaqësuesit e “Floryhen” u zgjeruan në treg me qumështin dhe nënproduktet e tij. Sipërmarrjet që gjetën burime financiare vazhduan të diversifikojnë shportën e prodhimeve të tyre, duke e bërë atë më të larmishme. Këtë vit, në tregun e qumështit të përpunuar pritet të dalin edhe një grupim fermerësh vendas, të cilët kanë investuar në ngritjen e një fabrike përpunimi.
Nxitja vjen nga kreditë e buta
Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) mendon se pas investimeve të bëra, ky vit mendohet të jetë pozitiv. Gjithsesi, sipas tij, 2012-a nuk do të jetë i lehtë për industrinë ushqimore, veçanërisht për atë eksportuese. Luhatja e euros rrezikon të japë presione negative te sipërmarrësit dhe t´i shtyjë ata të jenë më të matur në investime. Ferizaj vëren se ka një tkurrje të biznesit për t´iu drejtuar bankave për kredi. Bankat konfirmojnë shtrëngimin e kreditimit për bizneset gjatë këtij viti pak të sigurt.
Si burime financiare në investime, sipërmarrjet pritet të përdorin fitimet e tyre dhe në rastin më të mirë, të bëhen pjesë e fondit të parashikuar nga qeveria për nxitjen e kreditimit në agropërpunim.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, krahas rritjes së fondit për subvencionet, këtë vit pritet të ketë një fond të veçantë për kreditimin e agropërpunuesve. Një fond prej rreth 4 milionë dollarësh do të menaxhohet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rajonal (AZHBR). Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thonë se ky fond do të shkojë për financimin e linjave të reja të përpunimit, në formën e kredive pa interes për shtatë vite.
Ndonëse nuk ka një ndarje përfundimtare të financimeve nga fondi i subvencioneve në bujqësi, investimet në ngritjen e kapaciteteve ruajtëse pritet të jenë më të mëdha se vjet. Vetë vlera e subvencioneve është rritur në 15 milionë dollarë për këtë vit, nga 10 milionë dollarë që ishte vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.