Sikur të mos i mjaftonin kritikat qeverisë se e ka të kotë ta kapë problemin nga bishti, pasi nuk ka kapacitetet e mjaftueshme, javës së kaluar, “luftën” ndaj informalitetit, Kryeministri Edi Rama e lançoi edhe në sektorin e shëndetësisë. Krahas zgjerimit të fushave të veprimit, edhe segmente të aktivitetit ekonomik si punësimi do të jenë në shënjestër të kontrolleve. Shumë ekonomistë e ish-drejtues institucionesh po ngrenë gjithnjë e më shumë zërin për të thënë se qeveria është nisur në një rrugë që shumë mirë që duhet ta kalojë (aty duhej të kishte kaluar me kohë), por mjeti me të cilin po udhëton është primitiv. Pikërisht mënyra e gabuar e udhëtimit po kritikohet shumë së fundi, me bindjen se rezultati nuk do të jetë i kënaqshëm.
Javës së kaluar, Kryeministri shfrytëzoi një aktivitet në sektorin e shëndetësisë për të thënë se edhe për barnat e shërbimet mjekësore duhet lëshuar kupon tatimor. Sipas tij, “një paketë e re ligjore do të prezantohet së shpejti në Kuvend” përmes së cilës do të ashpërsohen masat ndëshkuese për shkelësit. Burg për evazorët, për ata që nuk deklarojnë të punësuarit, etj. Kujtojmë se pak kohë më parë, edhe përkrahës të qeverisë si drejtues të BiznesAlbania, kërkonin “të bëhet kujdes me fjalën burg”.
Në fakt, arrestimet e para për moslëshim kuponi filluan javës së kaluar dhe ishin një “déjà vu” e pastër e aksionit të energjisë, kur për detyrime 3 mijë lekë e rilidhje të paligjshme kryefamiljarët përfundonin në burg. E në kujtim të efekteve të aksionit të energjisë dhe domosdoshmërisë për të shlyer detyrimin me çdo kusht, javës së kaluar i dha fund jetës në Tiranë një kryefamiljar invalid për 70 mijë lekë detyrime. Ekonomistët paralajmërojnë se shtresa e varfër do të zgjerohet dhe numri i të vetëpunësuarve (qoftë edhe gri) do të jetë më i ulët. Edhe kontributi direkt i qeverisë duket se po ndihmon në këtë drejtim. Shpenzimet për shtresat kanë mbetur shumë larg planit të qeverisë në 8-mujorin e këtij viti, ndërsa vëmendjen e saj e ka marrë mungesa e theksuar e të ardhurave në buxhet. Në fakt, këtë luftë ndaj informalitetit, nga i cili ministri i Financave thotë se nuk pret të ardhura të menjëhershme, qeveria ka thënë se po e bën në emër të rritjes së pagave, uljes së taksave dhe investimeve në shkolla, çerdhe dhe shërbime të tjera sociale në të ardhmen. Por, a do të mund të jetë i suksesshëm një operacion që sa vjen e zgjeron gamën sektorëve ku do të ndërhyjë?! “Monitor” ka argumentuar pak kohë më parë se nuk është efektive nxjerrja e qindra inspektorëve te bizneset e vogla, pasi kontributi i tyre është vetëm 5% e PBB-së. Ku do t’i marrë inspektorët e tjerë qeveria për të kontrolluar punësimin, sektorin e shëndetësisë, etj. A ka kapacitetet e mjaftueshme për të bërë kontrollet e duhura. Sa më shumë zgjerohet gama e ndërhyrjeve, duke ditur kapacitetin e tatim taksave, (për të cilat Drejtoresha e Tatimeve thoshte rreth një vit më parë se numri i inspektorëve ishte i ulët edhe për punën rutinë të administratës tatimore) e zmadhon edhe më shumë pikëpyetjen për një rezultat të suksesshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.