MADRID—Qeveria spanjolle do të donte që Banka Qendrore Europiane (ECB) të angazhohej në blerje masive të borxhit, përpara se të kërkojë për ndihmë financiare, ka pohuar ministri i financave i vendit Luis de Guindos, teksa shtohen pritshmëritë se vendi do të kërkojë një paketë të re shpëtuese.
ECB kishte sinjalizuar më parë gjatë këtij muaji se do të merrte në konsideratë që të ndërhynte, në rast se Spanja do t’i kërkonte ndihme në një program formal Mekanizmit Europian të Stabilitetit Financiar, fondit të përkohshëm shpëtues të eurozonës. Qeveria spanjolle tha se do të vendoste nëse do ta bënte këtë kërkesë pasi ECB të jepte më shumë detaje lidhur me llojin e mbështetjes që mund të ofronte. Ky informacion mund të vijë pas mbledhjes së politikës monetare të bankës në 6 shtator.
Ky koment ishte shprehja më e qartë e thënë deri tani lidhur me atë se çfarë po kërkon qeveria.
ECB “nuk mund të vendosë limite, apo të thotë se sa do të blejë dhe për sa kohë do të ndërhyjë në tregun sekondar të borxhit, ka pohuar z. Guindos. Blerjet e mëparshme të ECB u konsideruan gjerësisht si shumë të pakta që të arrinin të qetësonin tregjet.
Kosto e huamarrjes së Spanjës është rritur, teksa vendi përpiqet që të reduktojë deficitin e buxhetit, të rregullojë qeverisjen rajonale që është në prag të kolapsit financiar dhe të fiksojë një sistem bankar që është goditur nga plasja e flluskës së pasurisë së paluajtshme. Qeveria spanjolle është detyruar të marrë në kosnideratë një kërkesë të re për ndihmë të jashtme, pavarësisht stepjes politike.