Inflacioni shënoi një rritje të ndjeshme në muajin tetor dhe arriti në 2%, nga 1.5% që pati qenë për shtatorin.
Sipas të dhënave nga Instat, inflacioni ka arritur nivelin më të lartë që nga muaji maj, kur ekonomia ishte ende nën efektet e mbylljes për kufizimin e përhapjes së pandemisë.
Ndikimin kryesor e dha kërcimi me më shumë se një pikë përqindje në inflacionin e produkteve ushqimore. Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” arriti në 4.9%. Produktet që regjistruan shtrenjtimin më të lartë me bazë vjetore ishin perimet, me 18.5%, të ndjekura nga frutat, me 11.5%, “vajra dhe yndyrna” me 4.7 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 2.6 % dhe “peshk” me 2.3%.
Me përjashtim të ushqimeve, për të gjithë grupmallrat e tjera inflacioni ngelet poshtë nivelit të 2%, ndërsa grupet e veshjeve, shëndetit dhe transportit regjistrojnë inflacion në vlera negative, çka nënkupton se çmimet e produkteve ose shërbimeve në këto grupe janë më të lira krahasuar me vitin e kaluar. Në veçanti, çmimet e ulëta të karburanteve po e mbajnë në nivele negative inflacionit e grupit “transport” qysh prej marsit të këtij viti.
Për muajin tetor, grupi i ushqimeve dha mbi 90% të kontributit në formimin e inflacionit total në ekonomin shqiptare. Kjo rritje duket e lidhur kryesisht me faktorë të ofertës, sidomos në segmentin e produkteve bujqësore. Kontributi dërrmues nga produktet me luhatshmëri të lartë është një sinjal se rritja e qëndrueshme e inflacionit në ekonomi është ende larg. Ekonomia pritet të pësojë një tkurrje të thellë me të paktën 6% për këtë vit, ndërsa një kthim i rritjes vitin e ardhshëm po bëhet gjithnjë e më i pasigurt, në kushtet kur Europa po përballet me një valë të dytë të pandemisë së Covid-19 dhe shumë shette kanë ndërmarrë kufizime të reja drastike.
Në projeksionet e fundit, të fillimit të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se inflacioni nuk do t’i afrohet objektivit prej 3% para vitit 2022 dhe paralajmëroi vijimin e politikës aktuale monetare, madje ndoshta edhe thellimin e saj të mëtejshëm, në rast se rreziqet, e lidhura sidomos me pandeminë, do të materializohen.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.