Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale të Kosovës është 6.5 për qind, por ajo mund të rritet për më tepër.
Bankat komerciale në Kosovë kanë shtrenjtuar kreditë për klientët.
Sipas raportit të sistemit financiar për muajin maj 2023, të përgatitur nga Banka Qendrore e Kosovës, norma mesatare e interesit në kredi ka arritur në 6.5%, krahas 6.3 % sa ka qenë në muajin prill 2023.
Përderisa norma mesatare e interesit në kreditë dhe lizingjet që jepen nga institucionet mikrofinanciare arrijnë në 19.1%.
Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi më 28 prill nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.
Përndryshe, vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti nga shtrenjtimi i kredive dhe shërbimeve, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitim të pastër prej rreth 66 milionë euro.
Inflacioni është rritur gjetiu në botë – fillimisht për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Për ta kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa kanë qenë në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti.
Për pasojë, normat e interesit janë rritur edhe në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ato janë rritur nga 5.8 për qind sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5 për qind në periudhën e njëjtë të këtij viti.
Euribori është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra. Kur BQE-ja rrit normën e interesit në kredi, rritet edhe Euribori.
Euribori është rritur me shpejtësi muajve të kaluar, duke arritur në 3.8 për qind më 27 prill, nga 0.4% sa ka qenë në muajin mars të vitit të kaluar.
Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.
Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.