Çmimi i karburanteve ka filluar të rritet sërish në Kosovë, pas një periudhe rënie si për benzinën ashtu edhe për naftën.
Sipas tabelës së publikuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë një litër naftë do të tregtohet 1.78 euro, ose 2 cent më shumë nga çmimi i mëparshëm.
Ndërsa çmimi i benzinës dhe gazit mbeten të pandryshuar, duke u tregtuar përkatësisht me 1.40 euro dhe 0.75 euro.
Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e së enjtes.
Pavarësisht zbritjes së dukshëm të çmimit të derivateve të naftës në botë, vlera e naftës në Kosovës në javët e fundit ka shënuar vlera rekord, duke u rritur dita-ditës.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka dërguar letër publike Qeverisë për të hequr çmimin tavan të derivateve.
“Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje trashanike, dhe shumë shpejt shumë nga kompanitë do të falimentojmë, për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan. Ku si kompanitë e mëdha, po ashtu ato individuale me kosto më të ulët të operimit, janë barazuar”, thuhet në letrën e naftëtarëve.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë të njëjtin vendim.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) për shitje me shumicë të jetë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
Edhe në muajin mars, ishte marrë vendimi që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.