Është rritur përsëri çmimi i derivateve të naftës në Kosovë. Çmimi i naftës dhe benzinës në Kosovë ka pasur ndryshime të shumta muajve të fundit. Për shkak të pandemisë ai pati rënë në 89 cent, por tani çmimi ka shkruar në 1 euro dhe 1.07 cent.
Blerja e një litri naftë në Kosovë me 89 cent, që kishte ndodhur gjatë kohës së izolimit në pandemi, tashmë ka marrë fund.
Çmimet e derivateve në Kosovë janë rritur serish.
Para pak ditësh në disa pompa të derivateve 1 litër naftë shitej edhe me 0.89 cent, por çmimi është rritur për më shumë 10 cent.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka treguar për Monitor se çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje.
Një litër benzinë në Kosovë aktualisht sillet nga 1 euro dhe 1.07 cent, ndërkaq një litër naftë sillet prej 0.97-1.05 cent.
Berjani thotë se sipas organizatës prodhuese OPEC pritet të ketë rritje më të theksuar të derivateve, pasi qe prodhimi është reduktuar.
“Ka rritje te çmimit ne tregjet ndërkombëtare ku edhe te ne ka reflektim te rritjes se çmimi. Çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC. Shkaku i pandemisë është zvogëlua prodhimi nga organizata prodhuese OPEC dhe kem rritje te çmimit”.
Por, Berjani bënë me dije se qytetarët e Kosovës aktualisht janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore e cila ka akcizën për 0.22 cent ma të lirë.
Sipas tij, në Shqipëri çmimi i benzinës sillet rreth 1.35 cent, ndërsa i naftës 1.34 cent.
Berjani paralajmëron edhe rritje më të mëdha të çmimit të derivateve.
“Pritet të ketë rritje më të madhe të çmimit të derivateve pasi që organizata prodhuese OPEC ka reduktuar prodhimin e derivateve. Reduktimi i prodhimit të derivateve është bërë shkaku pandemisë”.
Në Kosovë ka kohë që qytetarët ankohen për çmimet e larta të derivateve ngase ato janë të larta, krahasuar me bazën ekonomike në vend.
Në bazë të disa statistikave, qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar për 7 muaj të vitit të kaluar mbi 413 milionë litra derivate. Nëse llogaritet një litër derivate me 1.20 cent, sa ka qenë çmimi gjatë vitit 2018, rezulton që kanë shpenzuar mbi 500 milionë euro.
Prej 1 qershorit 2018 deri me 24 dhjetor 2018, qytetarët e Kosovës kanë konsumuar: Naftë – 364,580,640.18 milionë litra dhe benzinë 48,925,825.94 milionë litra.
Nafta apo ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë.
Pasi që Kosova nuk ka rafineri të vetën, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 700 milionë litra të këtyre derivateve. Derivatet në Kosovë kryesisht importohen nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.