Shtyhen dhe me tre muaj pagesat e kësteve të kredisë, deri në 10 maj ishin ristrukturuar 2 miliardë euro hua

28/05/2020 4:02 PM 0 komente

Pagesat e kësteve të kredive do të mund të shtyhen edhe me tre muaj të tjera, nëse klienti bie dakord me bankën, duke arritur në një total prej 6 muajsh.

Kryeministri Edi Rama ka pohuan në faqen e vet në facebook se “Bashkëfirmosëm me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë një shtyrje të mëtejshme tremujore të kësteve të kredive deri në 31.08.2020 dhe gjithashtu Banka e Shqipërisë miratoi një lehtësim për bankat e nivelit të dytë, që të bëjnë ristrukturime proaktive të kredive deri në 31.12.2020 me shtrirje një ose disavjeçare, sipas shkallës së vështirësive të çdo biznes”.

Shtyrja e kredive

Ristrukturimi i kredive nisi në mars pas një rregulloreje të Bankës së Shqipërisë dhe urdhri të përbashkët mes Guvernatorit dhe Kryeministrit, u mundëson bankave dhe klientëve që të negociojnë për shtyrjen e kredive për tre muaj.

Deri në 10 maj niveli i kredive të shtyra nga bankat si pasojë e vështirësive financiare të krijuara nga pandemia COVID-19 ishte rreth 2 miliardë euro për 21.000 raste, sipas bankës së Shqipërisë. Bankat vijojnë të procesojnë kërkesat dhe sigurisht që do të ketë një sasi më të madhe të kredive të shtyra.

“Ajo që dua të theksoj është që kemi parë një reagim mjaft proaktiv nga bankat e nivelit të dytë, në raport me trajtimin e rasteve të shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive si pasojë e vështirësive financiare të krijuara nga pandemia. Kjo është një sjellje profesionale për t’u falënderuar”, tha guvernatori Gent Sejko në një dalje të fundit për shtyp.

Bankierët kanë pohuar më herët për Monitor se procesi po ecën me shpejtësi dhe disa banka me nismë personale po e shtyjnë këtë proces edhe përtej tre muajve. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, tha se “Intesa Sanpaolo Albania (duke ndjekur një qasje të ngjashme të aplikuar në Itali nga Grupi mëmë) ka vendosur në mënyrë autonome të zgjasë të ashtuquajturën “periudhë pezullimi ose moratorium” deri më 31 korrik.

Por afati i 31 korrikut mund të zgjatet më tej për 3/6 muaj të tjerë, në varësi të evolucionit të situatës”. Edhe Banka Kombëtare Tregtare përllogarit se efektet e ristrukturimit do të shtrihen përtej tre muajve.

“Patjetër që efektet e kësaj situate do të zgjasin përtej periudhës tremujore, të parashikuar në këtë vendim, pasi një pjesë e bizneseve vazhdojnë të jenë të mbyllura”, sqaruan burimet zyrtare të Bankës Kombëtare Tregtare.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of