Kontabilistët e miratuar (ushtrues dhe jo ushtrues të aktivitetit) kanë afat deri në 30 prill që të dorëzojnë dokumentacionin pranë Strukturës Mbështetëse të Bordit të Mbikëqyrjes Publike. Më herët, afati ishte 31 dhjetori. Kontabilistët duhet të plotësojnë detyrimin për kryerjen e edukimit të vijueshëm profesional deri më datë 30 qershor 2020.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike ndërkohë njoftoi se në përmbushje të detyrave dhe kompetencave të përcaktuara në rregullore dhe në Vendimin “Për Komisionin dhe Procedurat e Verifikimit të Kontabilistëve të Miratuar”, BMP vendosi të shtyjë afatin e veprimtarisë së Komisionit Ad-Hoc për verifikimin e Kontabilistëve të Miratuar deri më datë 30 qershor 2020.
Pranë Strukturës Mbështetëse të Bordit të Mbikëqyrjes Publike vijon të dorëzohen prej Organizatave Profesionale dhe prej subjekteve të verifikimit dosjet e tyre sipas kërkesës së Rregullores Nr. 9/2019 të BMP.
Aldo Spahiu, drejtor ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike tha për Monitor se deri tani e kanë dorëzuar dokumentacionin 85% e ushtruesve aktivë. Në total janë rreth 600 ushtrues aktivë, por numri i tyre është i variueshëm, pasi gjatë kësaj periudhe kanë hequr dorë nga ushtrimi disa kontabilistë dhe janë aktivizuar të tjerë.
Deri në fund të muajit prill duhet të dorëzojnë dokumentacionin pjesa e mbetur e ushtruesve dhe ata që nuk e ushtrojnë aktivitetin, por duan të mbajnë titullin.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka ngritur pranë tij Komisionin Ad-Hoc për të realizuar procesin e verifikimit të përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së subjekteve mbajtës të titullit Kontabël i Miratuar nëpërmjet dosjeve të vetë-deklarimit.
Verifikimi i dokumentacionit
Bordi i Mbikëqyrjes Publike njoftoi në gusht të vitit të kaluar se në kuadër të reformës së mbështetur nga Banka Botërore për forcimin dhe përmirësimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së funksionimit të profesionistëve, kontabilistë të miratuar dhe auditues ligjorë, si dhe organizatave të tyre profesionale ka nisur procesin e verifikimit të zbatimit të dispozitave ligjore për çdo subjekt mbajtës të titullit Kontabilist i Miratuar, Aktiv (KMA) dhe Jo-Aktiv (KMJ) për të garantuar interesin publik mbi shërbimet dhe aktivitetin e kontabilistit të miratuar.
Qëllimi i reformës ka për objektiv formalizimin e të gjithë zotëruesve të titullit, qofshin praktikant ose jo praktikant, duke bërë të mundur garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore lidhur me detyrimet e tyre ligjore që përfshijnë zbatimin e standardeve etike dhe kërkesave ligjore lidhur me pastërtinë penale të figurës së KM-ve, edukimin e vijueshëm, anëtarësimin në organizatat profesionale si ushtrues ose jo ushtrues dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve përmes mbikëqyrjes nga organizatat profesionale përkatëse.
Regjistrat përfundimtarë të konsoliduar të KM-ve do të jenë guri i themelit për të garantuar që asnjë shërbim i parashikuar dhe rregulluar me ligj të mos ofrohet nga individë të tjerë të pa licencuar apo që konkurrojnë në mënyrë të pa drejtë me ushtruesit e rregullt të profesionit si dhe do të jenë subjekt i memorandumeve me institucionet e tjera që ky proces të jetë i garantuar dhe i formalizuar përfundimisht sipas kërkesave dhe dispozitave ligjore që do kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e ekonomisë.
Bordi njofton se subjektet mbajtës të titullit KM duhet të dorëzojnë dokumentat e specifikuara në dokumentin bashkangjitur linkut të mëposhtëm: http://www.bmp.al/wp-content/uploads/2019/08/Njoftim.pdf
Në dhjetor të vitit të kaluar, Bordi i Mbikëqyrjes Publike dha informacion mbi verifikimin e veprimtarisë së Kontabilistëve të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë. Bordi ka marrë masa për 10 auditues ligjorë, ndërsa po investigon të gjithë zotëruesit e titullit Kontabilist i Miratuar, që nuk janë pasqyruar në listën e miratuar të kontabilistëve të miratuar. https://www.monitor.al/verifikimet-e-bordit-te-mbikeqyrjes-publike-sanksione-per-10-auditues-po-investigohen-kontabilistet-2/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.