Shtyhet bllokimi i llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj ATK-së

28/01/2021 10:01 AM 0 komente

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se do të shtyhet bllokimi i llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj ATK-së. Qeveria ka marrë vendim që të shlyejë edhe ndëshkimet për tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore.

Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të shtyj bllokimin e llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri më 30 prill 2021.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Hoti po ashtu bën të ditur se për të ndihmuar bizneset në tejkalimin e gjendjes së shkaktuar nga pandemia, Qeveria ka marrë vendim që të shlyejë ndëshkimet për tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore ndaj ATK nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

“Për të ndihmuar bizneset në tejkalimin e gjendjes së shkaktuar nga pandemia, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që: 1. Të shtyjë bllokimin e llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë obligime ndaj ATK deri më 30.04.2021. 2. Të shlyejë ndëshkimet për tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore ndaj ATK nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30.06.2021”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike.

Dokumenti i parë që ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e fundit është Programi për Reforma në Ekonomi 2021-2023. Programi do të dërgohet për informim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

Duke marrë parasysh strukturën aktuale ekonomike të Kosovës dhe pengesat e shumta për rritjen ekonomike, në veçanti situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, është e nevojshme që reformat strukturore të orientohen në mënyrë të tillë që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë në përgjithësi.

Në këtë linjë, Qeveria mbetet e përkushtuar për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të përmirësuar perspektivat e punësimit. Kuadri i përgjithshëm është një kombinim i:

(1) programit të rimëkëmbjes ekonomike i cili do të synojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas-pandemike,

(2) një politikë fiskale të bazuar në rregulla të orientuara drejt stabilitetit të financave publike dhe, brenda hapësirës fiskale në dispozicion, duke mbështetur rritjen ekonomike përmes investimeve kapitale, rritjes së fondeve për zonat prioritare të zhvillimit dhe

(3) një sërë reformash prioritare strukturore që adresojnë pengesat kryesore të rritjes ekonomike, duke mbështetur zhvillimin e sektorëve ekonomikë konkurrues dhe duke siguruar që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt rritjes së mirëqenies.

Në vazhdim të mbledhjes është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas ndryshimeve, rregullave të këtij vendimi nuk i nënshtrohen veturat në përdorim nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, të cilat me vendim të drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, drejtorit të përgjithshëm të ATK-së ose me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, mund të përdoren për qëllime operacionale në çdo kohë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për shtyrjen dhe lirimin e bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesve që kanë obligime tatimore, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri me 30.04.2021. Kjo masë do të lehtësoj ushtrimin e aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, në gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19. Vendimi do të jetë në fuqi deri më datë 30.04.2021, dhe sipas tij hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30.06.2021.

Heqja e ndëshkimeve, të cekura më lart do të bëhet për të gjithë tatimpaguesit nëse bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit dhe interesit; bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste; ose në marrëveshje me ATK-në e paguajnë tatimin dhe interesin.

Vendimi obligon Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) që gjatë kësaj periudhe t’iu mundësojë tatimpaguesve të kryejnë obligimet tatimore bazuar në mundësitë financiare të tatimpaguesve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të tyre financiar.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme, janë ndarë mjete financiare në vlerë prej dy milionë e tetëqind mijë euro (2,800,000,00 €), që përfaqëson shumën tremujore të ndarjes buxhetore për vitin 2021, për periudhën Janar – Mars 2021, për Radio Televizionin e Kosovës. Kjo shumë e ndarë për RTK-në do të jetë subjekt i rishikimit nga Komisioni përkatës për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Republikës së Kosovës, menjëherë pas themelimit të tij. Nëse ky komision konsideron se këto ndarje nuk janë të pranueshme, obligohet Thesari i Republikës së Kosovës që të bëjë ndalesën dhe të kompensojë këtë shumë nga tremujorët vijues, me qëllim që vetëm shuma e aprovuar nga Komisioni të mund të shpenzohet dhe arsyetohet brenda vitit fiskal 2021 nga RTK.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Agjencinë për Barazi Gjinore për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021. Një milion euro janë ndarë për këtë qëllim dhe do të shfrytëzohen në pajtim me kriteret sipas vendimit të Qeverisë për zbatimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike Faza II-Masa 4 – Mbështetje Financiare për Projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi. Vendimi obligon Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të zbatojë dhe monitorojë këtë plan.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of