Autoriteti i Konkurrencës nisi pak muaj më parë një hetim në tregun e taksive për shkak të ankesave ndaj disa operatorëve në treg. Por duket se avancimi i hetimit ka qenë i pamundur në kushtet kur një pjesë e mirë e institucioneve që duhet të kishin dërguar informacion pranë këtij autoriteti e kanë bërë atë me vonesë ose ende pritet që të mblidhet. Në një vendim të pak ditëve më parë, AK bëri me dije se raporti pritet të dalë jo më vonë se data 14 tetor 2019.
“Gjatë procedurës së hetimit paraprak janë kryer inspektime pranë Sindikatës Shqiptare së Taksive dhe Shoqatës së Taksive, si dhe është kërkuar informacion në mënyrë shkresore nga Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Lidhur me kërkesën për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës me shkresën Nr. 223/6 Prot., datë 07.05.2019, Bashkia e Tiranës i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës me shkresën Nr. 20907/1 Prot., datë 18.06.2019, protokolluar pranë AK me Nr. 223/7 Prot., datë 21.06.2019, jashtë afateve të përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative (15 ditë) dhe duke proceduar për marrjen e informacionit dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit” thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Kjo e fundit ka bërë me dije se koha e mbetur në dispozicion, dhe mungesa e informacionit të kërkuar është e pamjaftueshme për përpunimin, vlerësimin dhe kryerjen e analizës së sjelljes ndërmarrjeve që operojnë në tregun e transportit rrugor të udhëtarëve taksi (4+1 vende) në qytetin e Tiranës, duke bërë të pamundur përfundimin e procedurave dhe dorëzimin e raportit brenda afatit të përcaktuar në Vendimin e Komisionit të Konkurrencës Nr. 609, datë 10.04.2019.
Arsyeja e hapjes së hetimit paraprak
Në prill të këtij viti Autoriteti bëri me dije se tregu i taksive është vendosur nën hetim nga për shkak të ankesave që në drejtim të operatorëve në kryeqytet. Ankesat kanë të bëjnë me caktimin e çmimeve dhe tarifat në shërbimin e transportit të udhëtarëve me taksi në Tiranë. Hetimi paraprak përfshin periudhën nga 1 janari 2018 deri në 31 mars 2019. Në objekt të hetimit do të jetë vlerësimi i tregut për të parë nëse ka apo jo shenja të kufizimit të konkurrencës.
Në vëzhgimin e përgjithshëm të tregut Konkurrenca ka vlerësuar më herët se pavarësisht se ekziston një çmim tavan prej 250 lekësh për 1.5 kilometrat e parë si tarifë fillestare për shërbimin taksi kompanitë mund të kalibrojnë taksimetrin në vlera më të ulëta. Por rezulton që pothuajse të gjitha aplikojnë të njëjtën tarifë fillestare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.