Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se është shtyrë mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e paraparë të mbahej këtë të premte.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se mbledhja do të mbahet më 2 tetor.
“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, ka shkruar ai.
Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në shtator në Shkodër e kishte paralajmëruar një muaj më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me COVID-in të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”, ka thënë Rama.
Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.
Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.