Mbledhja e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të mbahet. Ky takim që ishte paraparë për 25 janar 2021 në Shkup është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Muhamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që ishte paraparë për 25 janar, është shtyrë në afat të pacaktuar.
Ai shtoi se mbledhja është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Hoxha tha po ashtu se data e re për mbledhjen e përbashkët të qeverive do të caktohet pas themelimit të institucioneve në Kosovë.
“Me kërkesë të Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbajtja e seancës së përbashkët në mes dy vendeve është shtyrë. Arsyeja është gjendja politike në Republikën e Kosovës, atje janë shpallur zgjedhje të parakohshme me 14 shkurt, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe themelimit të institucioneve atje, dy qeveritë do të caktojnë datën e mbajtjes së seancës së përbashkët”.
Në muajin tetor të vitit të kaluar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishte paralajmëruar mbledhje ndër-qeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Ai ka thënë se kjo do të ndodhë posa të krijohen kushtet epidemiologjike.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se sapo të krijohen kushtet do të mblidhen për të identifikuar mundësitë për arritjen e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve.
“Është bë punë e mirë në organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona. Presim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë mbledhje të përbashkët që të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkru deri tash dhe do identifikojmë mundësi tjera për marrëveshje të reja”, tha ai, gjatë konferencës së përbashkët me Zaevin në Shkup.
Hoti kishte thënë se e mirëpret idenë për ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar dhe lidhjes së Prishtinës me Shkupin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.