Kuvendi ka shtyrë për në vjeshtë votimin e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Në momentin kur kryetari Kuvendit ftoi për votim, ndërhyri deputeti demokrat Valter Haliti i cili u shpreh se ka kandidatë në konflikt interesi dhe se grupi demokrat kërkon mirëkuptimin e grupit parlamentar të PS për më shumë kohë për të vendosur. Kreu grupit socialist Taulant Balla u shpreh dakort me propozimin e demokratëve për ta shtyrë për në shtator procedurën e votimit të kryetarit të Bordit të AMF.
Komisioni Ekonomisë ka zhvilluar dy procedura për përzgjedhjen e kryetarit të AMF për shkak se disa nga kandidatët kanë patur probleme me konfliktet e interest ose angazhimet politike duke shtuar dyshimet te partnerët ndërkombëtarë për cënimin e pavarësisë së institucioneve mbikëqyrëse financiare. Sipas ligjit “Per Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare”, antarët/kryetari Bordit duhet të jenë të paangazhuar ne funksione drejtuese partiake. Në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave, nuk mund te jenë anetarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët: (a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; (b) kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjen “a”; (c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Sipas një njoftimi të fundit të AMF , Fondi Monetar Ndërkombëtar në përmbyllje të misionit të dytë të monitorimit, theksoi rëndësinë e sigurimit të mbikëqyrjes së fortë dhe të pavarur të sistemi financiar jobankar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili është duke përgatitur në mënyrë progresive kuadrin rregullator të nevojshëm.”.
Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë, në Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” vlerëson ecurinë e vendit në shërbimet financiare. Raporti vlerëson pozitivisht zhvillimet në infrastrukturën e tregjeve financiare me licensimin e bursës private ALSE, miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Strategjisë 2018-2022 për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrjen e saj, si edhe zbatimin e Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit për tregjet nën mbikëqyrje.
Sipas relacionit të shoqërues të projektvendimit në datën 5 shkurt 2019, Komisioni Ekonomisë organizoi seancen degjimore dhe seancen per shqyrtimin e kandidaturave dhe votimin e kandidaturave per Kryetar te Bordit te Autoritetit te Mbikqyrjes Financiare, Bilal Kola, Pajtim Melani, Olsi Çoku dhe Ardit Çollaku. Faza e dytë u zhvillua ne date 12 Prill brenda te cilit depozituan dokumentacionin:Pajtim MELANI; Ervin METE dhe Olsi ÇOKU.
Gjate seancës dëgjimore të datës 17 prill 2019, kandidaturat u prezantuan dhe ju përgjigjen pyetjeve të Deputetëve. Deputetët vlerësuan maksimalisht të gjitha kandidaturat. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave vlerësoi që në Kuvend po prezantohen kandidatura cilesore dhe me integritet profesional. Në përfundim të votimit dhe vlerësimit për të gjithë kandidatët, me voten pro të deputetëve të maxhorancës dhe abstenimin e deputetit të opozites, u vendos që të tre kandidaturat t’i përcillen për votim dhe vendimmarrje përfundimtare seancës plenare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.