Shtyhet përfundimi i punimeve në projektet e infrastrukturës

12/11/2019 11:44 AM 0 komente

Unaza e Tiranës dhe Kardhiq-Delvinë përfundojnë në 2023

Përfundimi i ndërtimit të Unaza së Madhe të Tiranës dhe aksit kombëtar Kardhiq-Delvinë do të shtyhen me të paktën dy vjet më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht nga qeveria.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që financimi për këto dy vepra të shtrihet edhe përtej vitit 2022, ndryshe nga sa kishte parashikuar në tabelat e buxhetit të investimeve publike të këtij viti.

Për rrugën nacionale Kardhiq-Delvinë ishte parashikuar që vitin e ardhshëm të buxhetoheshin 2.23 miliardë lekë për 2020-n, dhe po aq në vitin 2021, duke sjellë kështu edhe realizimin e plotë të punimeve.

Por në tabelat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, Kardhiq-Delvina do të marrë vitin e ardhshëm vetëm 1.37 miliard dhe për vitin 2021, 1.5 miliard lekë, duke bërë që përfundimi i saj të shtyhet për në 2023-in.

Edhe këtë vit, tenderimi i tunelit të këtij aksi nuk arriti të realizohej, çka ka sjellë vonesën e punimeve në këtë vepër.

Tkurrja e fondeve ka ndodhur edhe me aksin e Unazës së Tiranës. Kështu, fillimisht u parashikua që financimi i rehabilitimit të pjesës nga Pallati me Shigjeta te Sheshi Shqiponja të ishte 1.2 miliardë lekë për vitin e ardhshëm, por kjo vlerë është reduktuar në 757 milionë lekë, duke bërë që financimi të shtyhet edhe përtej vitit 2022.

Fondet janë përgjysmuar edhe për pjesën tjetër të Unazës së Madhe të kryeqytetit, duke sjellë që projekti të përfundojë në vitin 2023.

Unaza e Tiranës pati po ashtu probleme me tenderimin e disa lotëve të saj, procedurat e prokurimit të të cilit morën 1 vit kohë, ndërsa ndërtimi i nënkalimit te Sheshi Shqiponja pritet të nisë në fund të këtij viti.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of