Shtyhet sërish votimi për kreun e Bordit të AMF, kandidat i ri për zv/drejtor

14/05/2019 2:32 PM 0 komente

Kuvendi ka publikuar sot axhendën e seancës plenare të datës 16 maj 2019 dhe nuk ka përfshirë votimin e kreut të Bordit të Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare. Votimi u shty në seancën e datës 9 maj me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS dhe konfirmimit të kreut të Kuvendit pa specifikuar arsyet.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Kuvend i cili ka të drejtën e propozimit ka zhvilluar me datë 17 prill 2019 seancën e dytë dëgjimore me kandidatët: Pajtim Melani, Ervin Mete, Olsi Coku për plotësimin e vakancës Kryetar në Bordin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Por pavarësisht vendosjes në axhendë për votim të enjten e kaluar Kuvendi e ka shtyrë vendimmarrjen për kryetarin e Bordit të AMF për shkak të ndalimit të ligjit dhe problem me konfliktin e interesit të dy nga tre kandidaturat e paraqitura.

Sipas proceverbalit të mbledhjes së Komisionit të abrdhur së fundi, kandidati Çoku u shpreh se “ka nevojë për një qasje të re në menaxhimin e Bordit, pikërisht edhe në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës dhe inspektues me operatorët e tregut. Unë preferoj një qasje disi më të integruar me natyrë këshillimore ndaj kompanive të sigurimit, ku natyrisht duhet të evidentohen problemet, por duhet t’i ndihmojmë kompanitë e sigurimit, që të kuptojnë se ku kanë gabuar dhe si mund t’i përmirësojnë gabimet e tyre”.

Sipas deklarimeve të kreut të Bordit, Melani, AMF ka shënuar progres “në drejtim të licencimit dhe miratimit të kuadrit rregullator për funksionimin e bursës së letër me vlerë, masat mbikëqyrëse dhe administrative në tregun e sigurimeve, zgjidhja e problematikave të mbartura që nga viti 2003 për Fondin e Kompensimit, revolucioni teknologjik në sistemin e policave të sigurimit online dhe zhdukja e policave falso”.

AMF, sipas Melanit,, “ka marë masat rregullatore për të siguruar transparencën dhe raportin e likuiditetit për fondet e investimit, të cilat në 3 vjet arritën në më shumë se 536 milionë euro asete, rritja në më shumë se 20% në vit të fondit të pensioneve private dhe dy strategji të miratuara dhe të vlerësuara nga partnerët ndërkombëtarë, strategjia e zhvillimit të sektorit financiar 2018-2022 dhe ajo për rritjen e edukimit financiar”.

Kandidati Ervin Mete është shprehur lidhur me problemet e kapitalit te shoqëritë e sigurimit duke sqaruar se “e njoh me detaje këtë çështje, sepse ne jemi përballur me këtë problematikë tek INSIG-u dhe na është dashur ta amortizojmë dhe ta plotësojmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në dy autoritetet e tjera mbikëqyrëse, siç ishte Banka Qendrore e Kosovës, ku INSIG-u kishte degë dhe AMF-ja e Maqedonisë, ku INSIG-u kishte filial, në fakt, edhe me një vendimmarrje shumë të kthjellët nga kryetari i komisionit, që ishte ministër i Ekonomisë, aksioner i kompanisë, për shkak të tagrit si përfaqësues i shtetit…”

Ligji “Për AMF-në” në frymë dhe në gërmë ka kufizime të forta për konfliktin e interest pasi sipas nenit 5.4 të ligjit “antarët e Bordit duhet të jenë të paangazhuar në funksione drejtuese partiake dhe se nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët:  a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura”.

Ndërkohë që Kuvendi ka marrë edhe kandidaturës së re për anëntarin e Bordit që mban detyrën e zv.drejtorit të AMF pasi kishte refuzuar dy herë të votonte propozimin e ish-ministrit Ahmetaj për znj.Mimoza Kaçi. Ministrja e re e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka propozuar emrin e këshilltares së saj Majlinda Demko (http://parlament.al/Projekte) për këtë pozicion ndërkohë që Komisioni I Ekonomisë nuk është shprehur ende për këtë kandidaturë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of