Miliarderët, rrallëherë janë produkt i dështimeve të politikave. Sulmet e ashpra ndaj të pasurve do të shkaktojnë më shumë dëme sesa të mira
Sulmet ndaj miliarderëve po bëhen më të shpeshta, veçanërisht në mesin e atyre që kandidojnë për të qenë presidentë të Amerikës, shkruan The Economist. Elizabeth Warren dëshiron të vendosë një taksë vjetore prej 6 % mbi pasurinë e tyre. Ndërsa sipas Bernie Sanders ata “nuk duhet të ekzistojnë fare”.
“Çdo miliarder është produkt i dështimeve të politikës” slogan i famshëm ky i krahut të majtë. Edhe në zgjedhjet në Britani, të pasurit po sulmohen shumë ashpër. Jeremy Corbyn, lideri i Partisë Laburiste, thotë se një shoqëri e drejtë nuk duhet të përmbajë as edhe një prej tyre. Më 31 tetor, ai u zotua se do “t’i vihej pas” plutokratëve britanikë, duke kërcënuar se do t’i jepte fund “sistemit të korruptuar”.
Kritikat dhe sulmet e ashpra të majtistëve mbi pabarazinë e pasurisë nuk janë asgjë e re. Ideja se gjenerimi i pasurive të mëdha ndodh pikërisht në ato momente kur qeveritë nuk funksionojnë ashtu siç duhet, është e re dhe po konsiderohet prej shumë personave si e mundshme. Por edhe kjo është gjithashtu e gabuar. Pasuria personale është në rastin më të mirë një sinjal jo i besueshëm i sjelljes së keqe ose politikave të dështuara. Shpesh e kundërta është e vërtetë. Akuza e së majtës është në thelb e vërtetë. Kur konkurrenca është e ashpër dhe e drejtë, mbajtja e fitimeve në nivele të larta duhet të jetë e vështirë për t’u arritur.
Në të dy anët e Atlantikut, shumë kompani gjenerojnë fitime të larta në tregjet e përqendruara. Disa miliarderë kanë lulëzuar pikërisht aty ku konkurrenca ka dështuar. Facebook dhe Google dominojnë marketingun online; Warren Buffett pëlqen firmat të cilat e mbajnë larg konkurrencën. Ndërkohë, sistemi politik i Amerikës është i mbushur me lobistë që brohorasin gjithnjë e më shumë për të sapoardhur të rinj. Rreth një e pesta e miliarderëve të Amerikës i kanë fituar paratë në industri, në të cilat dështimi i qeverisë apo i tregut është i zakonshëm.
Megjithatë, shumë të tjerë veprojnë në tregjet konkurruese. Shitësit me pakicë në pronësi të Mike Ashley, një nga të targetuarit e z. Corbyn, janë të njohur për çmimet e ulëta dhe një konkurrencë të pamëshirshme (si dhe për kushtet e punës të diskutueshme). Për çdo Mark Zuckerberg, CEO-ja i Facebook, ka disa sipërmarrës të teknologjisë me shumë rivalë. Këtu mund të përmendim Anthony Wood, i cili krijoi Roku, një platformë video-streaming; ose Tim Sweeney, CEO dhe bashkëthemelues i firmës Epic Game, firma që i prezantoi botës “Fortnite”, videolojërat.
Askush nuk mund t’i akuzojë seriozisht këta novatorë se ata e kanë arritur suksesin duke u varur nga favorizimet e shtetit. E njëjta gjë vlen edhe për sportistët e mirënjohur si Michael Jordan apo muzikantët si Jay-Z, të dy miliarderë. Edhe fondet mbrojtëse po përballen me një konkurrencë të egër për fondet e investitorëve, arsye kjo se përse shumë prej tyre po tërhiqen.
Kur kapitalizmi funksionon siç duhet, konkurrenca ia redukton fitimet disave por në të njëjtën kohë ia shton ato disa të tjerëve, sepse këta të fundit përfitojnë pikërisht nga “sipërmarrësit e përgjumur”. Edhe pse ky sukses i tyre do të krijojë një cikël tjetër përçarjeje, niveli i pasurisë së tyre rritet. Themeluesit e MySpace, një website i rrjeteve sociale, u pasuruan kur ia shitën atë News Corp; më pas doli në lojë i suksesshmi Facebook; Blockbuster, një dyqan ku jepeshin video me qira e shndërroi Wayne Huizenga në një miliarder të vërtetë; më pas u hodh në treg Netflix.
Ky proces krijon përfitime të mëdha edhe për shoqërinë. Sipas vlerësimeve të ekonomistit William Nordhaus, midis viteve 1948 dhe 2001 novatorët arritën të përfitonin vetëm 2 % të atyre që ata kishin krijuar. Ndoshta kjo është arsyeja se përse miliarderët tolerohen madje edhe nga vendet me standarde më të larta social-demokratike, si Suedia dhe Norvegjia, të cilat kanë më shumë miliarderë për person sesa Amerika.
Taksat duhet të vendosen në mënyrë progresive. Por kjo nuk justifikon rishpërndarjen e pakufizuar ose taksat ndëshkuese. Taksa e propozuar e znj. Warren është dyfishuar një herë gjatë fushatës së saj. Thomas Piketty, ekonomisti që fshihet pas shumë prej statistikave më të cituara të pabarazisë së pasurisë, dëshiron vendosjen e një taksë pasurie deri në 90 % ndaj miliarderëve më të pasur.
Masa të tilla, sigurisht që do të nxisnin stimujt për të përtëritur dhe për të shpërndarë kapitalin në mënyrë efikase. Një ekonomi me më pak sipërmarrës mund të ketë më pak miliarderë, por në fund të fundit, do të ishte gjithashtu më pak dinamike, duke i lënë të gjithë në një gjendje më të keqe. Pasuria bëhet shqetësuese kur ajo mbështetet ose mbrohet nga forcat përçarëse dhe aty ku vihet re kjo gjë, qeveria duhet të ndërhyjë sa më parë të jetë e mundur.
Çfarëdo që thotë z. Corbyn, Britania nuk është e korruptuar sipas standardeve globale, për shembull marrja apo dhënia e ryshfeteve këtu është një fenomen i rrallë. Por ajo ka një problem me pasurinë e trashëguar, burimin e një së pestës së pasurive të miliarderëve. Taksat më të larta të trashëgimisë do të ishin të mirëpritura si atje ashtu edhe në Amerikë, ku është e thjeshtë të kalosh pasurinë nga brezi në brez.
Një axhendë më e gjerë për të sulmuar fenomenin rent-seeking*, duke u përpjekur që të ruhet dinamizmi, do të dobësonte mbrojtjen e tepërt të pronësisë intelektuale dhe të drejtat e autorit, të cilat shpeshherë zgjasin për një kohë shumë të gjatë. (Vazhdimi i shitjeve për kompaninë Lucasfilm, më shumë se tre dekada pas filmit të parë “Star Wars” nuk do t’i kishte sjellë George Lucas vetëm 4 miliardë dollarë.)
Kjo do të trondiste zbatimin e antitrustit për të promovuar konkurrencën në industri të vjetra, por edhe në ato të reja. Më e rëndësishmja, do të rregullonte ligjet e financimit të fushatës së Amerikës për të shmangur sistemin e saj politik të korporatave në nivel shtetëror dhe atë federal. Veprimi, në këtë mënyrë, do të arrinte shumë më tepër sesa thjesht një sulm ndaj të pasurve. Në të gjitha kuptimet, politikat dështojnë, por miliarderët janë zakonisht “shënjestra e gabuar”.
*rent-seeking- Praktika e manipulimit të politikave publike ose kushteve ekonomike si strategjia që duhet ndjekur për të rritur përfitimet nga ana e një entiteti të caktuar, pa kontribuar fare nga ana e këtij të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.