Edhe pas njoftimit të shtyrjes, subjektet mbeten të rrezikuara për penalizim për mospërmbushjen e detyrimit ligjor të dorëzimit të pasqyrave financiare sipas afateve, prej interpretimit subjektiv të ligjit…
Nga Leart Bushi, Kontabilist
Sipas njoftimit të MF: “Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”.
Interpretimi ligjor është i pabazuar dhe i gabuar, pasi sipas Kodit të Proçedurës Administrative dhe Komentarit në zbatim të tij, theksohet që një nga parakushtet e aplikimit të nenit 54 Rivendosja në Afat, respektivisht parakushti 1 “Pala duhet të mos ketë respektuar afatin ligjor”, pra mos të ketë permbushur detyrimin për depozitimin e Pasqyrave Financiare deri në datën 31 Korrik i cili është afati ligjor.
Sipas kodit PA dhe komentarit në zbatim të tij, parakushtet kumulative që duhen përmbushur për rivendosjen në afat janë:
Parakushti 1 – Pala duhet të ketë dështuar në respektimin e afatit.
Parakushti 2 – Rivendosja në afat mund të pranohet vetëm me kërkesën e palës përkatëse.
Parakushti 3 – Rivendosja në afat nuk duhet të jetë e ndaluar me ligj.
Parakushti 4 – Pala duhet të jetë penguar në respektimin e afatit për shkak të një “arsyeje të justifikuar”.
Parakushti 5 – Kërkesa duhet të paraqitet brënda afatit kohor të caktuar.
Parakushti 6 – Pala duhet të kryejë brënda të njejtës periudhë veprimin për të cilin ajo është penguar dhe ka humbur afatin.
Duke qenë se data 31 korrik nuk ka ardhur akoma, shtyrja në këtë pikë mund të kryhet vetëm në bazë të nenit 53 “Përcaktimi dhe shtyrja e afateve procedurale” , pika 3 “Afati procedural i caktuar nga ligji ose aktet nënligjore mund të zgjatet vetëm nëse kjo parashikohet shprehimisht nga ligji ose akti nënligjor, ndërsa afati i caktuar nga organi publik mund të zgjatet me kërkesë të justifikuar të palës së interesuar, të paraqitur përpara mbarimit të afatit”.
Si rrjedhojë subjektet mbeten të riskuara për penalizim për mospërmbushjen e detyrimit ligjor të dorëzimit të pasqyrave financiare sipas afateve, prej interpretimit subjektiv të ligjit.
Sulmi kibernetik, Rama: Agresion i organizuar, dyshohet për dy shtete
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.