Nga 1 janari dhe deri tani janë fiskalizuar 66,000 biznese sipas të dhënave të përditësuara të tatimeve apo 55% e totalit të bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se procesi është mbyllur për biznesin e madh, për këtë arsye shtyrja e afatit të periudhës pa gjoba vetëm për të vegjlit nuk penalizon kategorinë e tatimpaguesve të mëdhenj. Ibrahimaj shpjegoi se vendimi për shtyrjen e periudhës pa gjoba për biznesin e vogël deri më 30 qershor 2022 u mor për t’i lënë më shumë kohë në zbatimin e kritereve të procesit.
“Shtyrja e periudhës pa penalitete nuk është e padrejtë për pjesën e bizneseve që nuk janë fiskalizuar, pasi biznesi i madh është fiskalizuar. Shtyrja për të vegjlit është bërë për shkak të kostove, që ka procesi për këto subjekte që nga përshtatja e kasave dhe kostove të tjera.
Reforma do kohën e vet dhe ne nuk kërkojmë t’i bëjmë presion bizneseve të vogla, që nuk kanë kapacitetet e duhura për përthithjen e procedurave, prandaj iu është lënë më shumë kohë. Ne kemi studiuar tregun dhe kemi parë që kostot e zgjidhjeve e zgjidhjeve të tjera janë më të lira se ato të kasave fiskale. Përdorimi i kasave fiskale kishte kosto të lartë”, pohon ministrja e Financave.
Ibrahimaj tha se zbatimi i procesit të fiskalizimit po jep efekte pozitive te shumë subjekte, pasi shkurton kohën në zbatimin e shumë procedurave.
Kontabilistët më herët ngritën shqetësimin se ndryshimi i aktit normativ vetëm për kategorinë e biznesit të vogël do të vendosë automatikisht penalizimet dhe do të vështirësojë ndërveprimin mes tyre. “Do të jetë e pamundur që një biznes i madh i fiskalizuar të ndër veprojë me një biznes të madh që nuk është fiskalizuar. Biznesit të madh do t’i vështirësohen procedurat, pasi kjo do të rrisë edhe numrin e faturave të dubluara në sistem”, nënvizoi më herët kontabilisti Sotiraq Dhamo.
Kontabilistët rekomanduan që fillimisht MFE të zgjidhte problematikat e evidentuara prej tyre dhe më pas të vendoste për periudhën pa gjoba, duke vendosur edhe afatin e biznesit të vogël që duhet të pajiset me certifikatë elektronike.
Procesi i fiskalizimit nisi zbatimin nga 1 janari 2021. Faza II nisi të zbatohej nga korriku i vitit të kaluar dhe nga 1 shtatori nisi fiskalizimi i faturave për transaksionet pa para në dorë për biznesin e vogël./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.